Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza universitare dhe doktoraturat politike

Shkruar nga: Afrim Krasniqi  
Botuar më: 15 vite më parë

Afrim Krasniqi
Kriza universitare dhe doktoraturat politike

Lajmi se kryetarja e Parlamentit, kryetarja e Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, Prokurorja e Përgjithshme, disa deputetë dhe një numër i madh zyrtarësh të lartë në sistemin gjyqësor, ekzekutiv apo administratën shtetërore kanë aplikuar për mbrojtje doktorature pranë Universitetit të Tiranës, i parë në aspektin formal, është një lajm pozitiv. Secili prej tyre duhet vlerësuar për këtë akt, sepse formalisht, është gjest pozitiv kur politika dhe vendimmarrja kërkon më shumë dije. Në fund të fundit ne gjithnjë kemi dëshiruar që vendimmarrësit tanë, sidomos ata në krye të institucioneve kushtetuese, të kenë formimin e duhur profesional dhe kualifikimin e përvojave shkencore e akademike. Ndaj formalisht, ku politikanët merren me librat, kemi më shumë shanse që minimalisht vendimet e tyre të mos vijnë nga padija, por nga mendimi alternativ. Për më tepër, Shqipëria ka vuajtur shumë nga udhëheqjet politike të pakualifikuara, breza politike dhe ekzekutive që erdhën në poste për shkak të meritave luftarake, njohjeve personale apo besnikërisë ndaj partisë. Në dekadën e fundit të sistemit komunist, më shume se një e treta e Byrosë Politike ishte pa arsim të lartë, dy të tretat pa njohuri të një gjuhe të huaj perëndimore dhe 90% e tyre pa formim minimal në konceptet shkencore te politikes, funksionimit dhe administrimit të shtetit modern.

Parë më në brendësinë e këtij akti, trajtesa rezulton problematike në disa aspekte. E para, në traditën e marrëdhënieve politikanë-zyrtarë të lartë me botën akademike ka një rregull logjik: çdo politikan e zyrtar fillimisht merret me studime akademike dhe pasi plotëson njohuritë dhe CV e tij, synon të hyjë në politike për të zbatuar konkretisht edhe njohuritë e marra. P.sh , presidenti amerikan Obama, kryeministri Braun apo kancelarja Merkel ishin pedagogë universiteti dhe kryen studime të avancuara profesionale përpara se të hynin në politiken aktive. Tek ne po ndodh procesi i kundërt, drejtues politike dhe të institucioneve kushtetuese në kulmin e karrierës së tyre politike e institucionale kërkojnë të fitojnë edhe status akademik, përmes studimeve të avancuara master apo Doktor i Shkencave.

Aspekti i dyte është pasojë e logjikes së mësipërme. Një politikan vendimmarrës dhe drejtues i institucioneve kushtetuese supozohet se emërohet ose zgjidhet ne detyre jo vetëm për shkak të vlerave partiake, por edhe për shkak të vlerave të cilësuara profesionale në raport me konkurrentët e tjerë. Rasti i fundit pranon automatikisht gjendjen e kundërt; ata nuk janë më të aftët për detyrat që kanë, dhe se merita kryesore e zgjedhjes së tyre në këto poste të rëndësishme kushtetuese nuk lidhet me anën profesionale, por me faktorë të tjerë, siç janë mbështetja partiake apo mbështetjet personale të liderëve kryesorë politikë. Imagjinoni të gjendet një vend tjetër europian ku drejtuesit kryesore të institucioneve kushtetuese të jenë njëherësh studentë në auditore, në kërkim të një identiteti akademik. Në historinë e Shqipërisë kemi një rast "të tillë", Fan Noli hyri në universitet në moshën 56-vjeçare, por me dallimin se ky moment shënoi ikjen përfundimtare të tij nga politika dhe investimin e tij 100% drejt aktiviteteve shkencore dhe kishtare.

Aspekti i tretë lidhet me simboliken e gradave shkencore. Në politikë përbën aksident pozitiv historik një rast kur një akademik është njëherësh edhe një burrë shteti me merita të theksuara politike. E kundërta ka ndodhur e ndodh kudo. Liderët politikë kryesisht janë profesionistë politikë, njerëz me një projekt dhe vizion të qartë, me merita në administrimin e pushtetit dhe vendimmarrjen politike. Konkretisht, Xhorxh W. Bush apo Roland Regan në SHBA, Margaret Thacer ne Britani apo Konrad Adenaruer e Helmut Kohl në Gjermani, Les Valesa në Poloni apo Nelson Mandela në Afrikën e Jugut, janë politikanë dhe shtetarë që kanë bërë epoka në vendin e tyre dhe në botë, por asnjë prej tyre nuk kishte një titull të rëndësishëm akademik. Shumica e titujve iu dhanë në formë nderimi gjatë kryerjes së funksionit, siç ndodh rëndom edhe sot me Klinton, Bler, Shirak apo Shreder. Grada akademike nuk janë as Sarkozi dhe as Berluskoni, por të dy janë lider të padiskutueshëm të vendeve përkatëse dhe politikës europiane. Në Shqipëri kemi një situatë tjetër; dy liderit historik të tranzicionit, ishin njëherësh të vetmit lider rivale në Europën Lindore me gradat më të larta akademike (prof.dr), megjithatë kjo nuk pati asnjë rol në faktin se modeli shqiptar tranzicionit ishte shumë larg modelit të suksesshëm të këtyre vendeve. Ne sot kemi me titull akademik "prof.dr" dy krerët më të lartë të shtetit, megjithatë prej muajsh Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s ne krizë politike.

Aspekti i katët lidhet me raportet e konfliktit të interesit midis botës akademike dhe institucioneve politike vendimmarrëse. Imagjinoni nivelin e pavarësisë dhe gjykimit profesional të një kolegji profesorësh mbi dosjet dhe punimet konkurruese të drejtuesve të parlamentit, qeverisë, prokurorisë dhe gjykatave, kur vete këta pedagogë kanë qenë e janë kontigjenti kryesor konkurrues për poste drejtuese në gjykatën kushtetuese dhe gjykatën e lartë, vende që kërkojnë patjetër votën dhe pëlqimin e atyre që sot janë në garë për tu ribërë "studentë" të tyre. Ne kemi rreth 25 deputetë që vijojnë studime të avancuara, ndërkohë që ata do të kenë rastin të jenë edhe përcaktues në votimet nominale parlamentare për borde, komitete, autoritete e struktura të tjera të zgjedhura nga parlamenti, ku natyrisht kryesojnë listat vetë pedagogët, dekanët apo rektorët e institucioneve ku ata studiojnë. Edhe në listat e fundit elektorale ishin pjesë e saj dekanë e rektorë, të cilët në çdo rast janë të interesuar të kenë marrëdhënie të mira me politikën vendimmarrëse, në shkëmbim të vendeve më të avancuara në listën elektorale partiake në zgjedhjet e radhës.

Aspekti i pestë lidhet me mbajtjen më këmbë të reminishencave të vjetra të njeriut universal, "njeriut të ri", të aftë të bëjë njëherësh detyrën e bariut dhe deputetit, të mekanikut dhe rektorit, të ministrit dhe brigadierit. Ky model i njeriut universal, i aftë të bëjë gjithçka nëse merr besimin e partisë, ka hapur një garë midis politikanëve aktivë, ku të gjithë shfaqen si politikanë e shtetarë, si kampion sporti e noti, si shkrimtarë e pikturë të talentuar, si analistë e shoqëri civile, si frekuentues të modës së fundit dhe të traditës. Nëse do ti kishim të tillë ky do të ishte lajm i mirë, por frika është se duke u shfaqur të aftë për të gjitha, nuk arrijnë të bëjnë mirë qoftë edhe një gjë të vetme. Sepse, ne nuk presim që ata të jenë universalë dhe të gjithanshëm, por i kemi votuar dhe presim që ata të kryejnë detyrën për të cilën janë zgjedhur, të miratojnë ligje të mira e profesionale, të administrojnë taksat dhe shtetin, të krijojnë hapësirat e nevojshme për zhvillimin real të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Së gjashti, kemi të bëjmë me një keqkuptim të pozitave zyrtare dhe në rastin më të mirë, në probleme në ndarjen midis aktivitetit profesional e politik. Për shembull, për shkak të pozitës së lartë dhe aktivitetit të dendur, një numër i madh zyrtarësh drejtues të institucioneve kushtetuese dhe partive politike paguajnë stafe ekspertësh për përgatitje të fjalimeve, deklaratave, njoftimeve dhe memove të takimeve. Kjo praktikë normale hera herës keqkuptohet dhe politikanët përfitues fillojnë të besojnë se janë krijimtaria e tyre, ndaj edhe 12 deputetë aktual, drejtues të maxhorancës apo ish- maxhorancës kanë botuar libra me fjalimet e tyre, të cilat me siguri janë produkte jo personale, por te stafeve të tyre në parlament dhe ministritë përkatëse. Nga ana tjetër, ne nuk kemi ende një politikan mendimtar, i cili të ketë arritur të botojë një koment, artikull apo studim në një revistë shkencore europiane, në një gazetë të madhe perëndimore dhe as të jetë i ftuar nominalisht, jashtë funksionit zyrtar, si referues dhe lektor në universitetet e njohura perëndimore. Ne kemi politikanë e kryetarë partish që mbajnë titullin "akademik", por që paradoksalisht, në jetën publike janë simbole të retorikës së ashpër ose se as publiku dhe as ata vetë nuk mbajnë mend kohën kur për herë të fundit kanë botuar një artikull apo dhënë një mendim shkencor që lidhet me fushën e tyre të studimit për të cilën janë zgjedhur edhe akademikë.

Pa dashur të zgjatem më tej me kalimin nga epidemia e fajdeve tek epidemia e universiteteve dhe tani, tek epidemia e gradave shkencore, marr kurajën të propozoj një praktikë administrative për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Qeveria, Ministria e Arsimit ose vetë universitetet le të shpallin publikisht një kriter për posedimin e çdo grade shkencore, detyrimin që autorët të botojnë në një faqe interneti të gjitha temat e diplomës, të studimeve master, të doktoraturës dhe të titujve profesor, të marra ne vite. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për publikun, për bibliotekën universitare, për brezin e ri dhe për vlerësimin racional dhe objektiv të vlerave që mbartin këto punime.

Nëse kjo ndodh, jam i sigurt se gati gjysma e atyre që sot kane tituj dhe kapërdihen në ekranet televizive, auditore mësimore apo në zyrat e shtetit, do të preferonin më mirë të hiqnin dorë nga titulli shkencor sesa të publikonin punimet e tyre thellësisht politike dhe doktrinare, shumica e tyre mbi vlerat e luftës së klasave, diktatorin, realizmin socialist, mendimin marksist, vlerat e tufëzimit, kooperativave apo fletërrufe kundër BE, KSBE, NATO dhe shteteve imperialiste perëndimore. Një pjesë tjetër e madhe e poseduesve të titujve shkencorë do të refuzonin publikimin e punës së tyre sepse studimet janë plagjiaturë, të marra të gatshme nga autorë dhe libra të tjerë në vende të ndryshme të botës. Ironikisht, sot ne kemi emëruar në krye të institucionit vlerësues të kërkimit shkencor një person, i cili është ndër të vetmit e akuzuar publikisht nga një autor amerikan, për vjedhjen e punimit te tij shkencor. Ndërkohë ajo pjesë që do të pranonte botimin online të studimeve, do të ishte jo vetëm edhe më e vlerësuar për shkak të dijeve dhe jo lidhjeve politike e nepotike, por edhe më dobiprurëse për studimet e tjera në fusha të tilla.

Kryerja e këtij katarsisi akademik e universitar do ti jepte fund praktikave monopol, që politika ka pasur e ka mbi arsimin dhe kërkimin shkencor, që një brez i vjetër ose i mesëm profesorësh kanë pasur e kanë mbi institucionet universitare dhe së fundi, do të ndihmonte në nxitjen e një sistemi të ri vlerash, të bazuara në aftësi dhe konkurrencë profesionale. Për Shqipërinë duhet të marrë sistemi aktual antivlerë, ku p.sh , shkrimtari ynë më i madh dhe më i studiuar Ismail Kadare nuk ka asnjë nderim thelbësor nga qarqet universitare, ndërkohë që ne kemi profesorë nderi në universitete, politikanët e radhës, apo kemi të paktën pesë deputetë listash, të cilët kanë në xhep 2-3 diploma e tituj shkencore të "fituar" brenda pak muajve në universitetet private këtu, në Tetovë ose në Prishtinë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama