Pak ditë më parë, Arben Ristani, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i dha përsëri “një dorë” mbështetjeje shumicës parlamentare për të hartuar një rezolutë që i shpall zgjedhjet e 28 qershorit “më të mirat, më të drejtat dhe më të lirat që ka realizuar Shqipëria pas viteve ‘90”. Ky unitet i kryetarit të KQZ-së me partinë në pushtet, shpaloset në një moment kur opozita vazhdon të jetë në protestë, duke kërkuar transparencën e zgjedhjeve të munguar pikërisht për shkak të Ristanit. Sepse ishte ky i fundit që udhëhoqi shumicën berishiste në KQZ në refuzimin qartazi të jashtëligjshëm të kërkesës së dy komisionerëve për rinumërim të votave në disa zona zgjedhore. Dhe te ky dhunim i hapur i një transparence të sanksionuar me ligj e Kod Zgjedhor, duhet kërkuar fara e kësaj krize politike që po zgjat prej muajsh në Shqipëri. Por rasti që përmendim ilustron tipikisht shumë më tepër. Ai është shembulli më i freskët i asaj kapje të institucioneve që duhet të jenë të paanshme, por që pushteti berishist i përdor pikërisht për të maskuar kapjen e shtetit dhe kriptodiktaturën që po ushtron mbi liritë dhe të drejtat e opozitës e qytetarëve. Janë pikërisht “ristanët” e të gjitha fushave (me të cilët Kryeministri ka mbushur institucionet e “pavarura”, duke e degjeneruar burokracinë nga një administratë qytetarësh në zyra fanatikësh në shërbim të pushtetit), ata që po e ndihin të mashtrojë edhe “ndërkombëtarët” mbi të vërtetën e asaj që po ndodh në Shqipëri.
T’u thuash tjetër gjë “ndërkombëtarëve” dhe Europës dhe të bësh tjetër gjë, është sot një nga thelbet e politikës mashtruese të pushtetit berishist. Një politikë që mbetet jo pak dobiprurëse për të (por jo për Shqipërinë), sepse shfrytëzon me sukses, përveç të tjerave, edhe mungesën e adaptimit apo vështirësi të mendësisë perëndimore për të rrokur në tërë gamën e vet dukuritë e politikës shqiptare. Për shembull, kancelari apo diplomatë të huaj e kanë të vështirë të kuptojnë sesi një institucion si KQZ, që shpallet publikisht i pavarur, mund të kishte prirjen, aq më pak të guxonte të ndërmerrte vendime të varura nga interesat e njërës apo tjetrës parti politike e aq më tepër të qeverisë. Prandaj, kur një institucion si KQZ thotë se zgjedhjet ishin shumë të mira, jo pak perëndimore, e marrin një gjë të tillë shumë seriozisht, thuajse si një të vërtetë absolute. Sepse ata e kanë të vështirë të kuptojnë sesi një jurist mund të braktisë krejtësisht frymën e ligjeve (që është drejtësia dhe paanshmëria) dhe të japë, aq më tepër kur ndodhet në krye të një institucioni të pavarur, vendime e deklarata të padrejta në favor të partisë në pushtet. Ata nuk e dinë (disa, në fakt, bëjnë sikur nuk e dinë) se në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, u kalua nga drejtësia e partisë te juristët dhe gjykatësit e partisë. Nën komunizëm kishim një drejtësi që e diktonte haptazi partia. Nën “demokraci” kemi një drejtësi që partia e dikton fshehtazi. Dhe për këtë shërbejnë juristët e tipit Ristani, që me sa duket, e kanë në gjen që të shërbejnë herë një pushteti dhe herë një pushteti tjetër dhe kurrë drejtësisë së vërtetë e të lirë nga partitë dhe pushtetet politike.
Kjo skotë juristësh që nuk kanë për ideal drejtësinë dhe lirinë, por konformizmin me vullnetin e udhëheqësit, janë sot një e keqe po aq e madhe sa edhe vetë lideri apo pushteti që i keqpërdor. Kush ka lexuar sadopak Tukëvilin e ka konstatuar se demokracia në Amerikë do të kish qenë e pamundur të themelohej, pa ekzistencën e një klase juristësh që nuk donin t’ia dinin për pushtetet politike, që i vinin fre me ligj e drejtësi pasioneve dhe turra-vrapit të pushteteve politike. Në fakt, liderët dhe pushtetet e tyre nuk do të mund të bënin të këqijat që po bëjnë, nuk do të mund të manipulonin votimet dhe të zvarritnin vendin në kriza katastrofike që po rrezikojnë demokracinë, lirinë dhe integrimin e Shqipërisë, nëse nuk do të kishin ndihmën e “ristanëve” që dalin dhe flasin në emër të institucioneve të “pavarura”. Dhe sa më të shantazhueshëm të jenë nga pushteti për kushedi se ç’lloj mëkatesh, aq më të zellshëm shfaqen “ristanët” për t’i shërbyer pushtetit në kurriz të së drejtës. I tillë shfaqet edhe kryetari i sotëm i KQZ-së, që deri para pak kohësh mbronte si avokat kompaninë “Olim” nga arbitrariteti i Kryeministrit Berisha, ndërsa sot, bën avokatin e Berishës kundër opozitës dhe transparencës së votës. I tillë, në unison me Berishën, u shfaq ai edhe kur kundërshtoi ardhjen në Shqipëri në krye të misionit të monitorimit të zgjedhjeve të Glover-it, i tillë edhe kur dhunoi Kodin Zgjedhor duke penguar rinumërimin, i tillë edhe sot kur në mbështetje të hapur të pushtetit dhe duke injoruar shqetësimet e shpallura të opozitës, akuzon deri edhe prokurorinë për njëanshmëri në hetimin e komisionerëve të Ruzhdies.
I njëanshëm u shfaq kryetari i KQZ-së “të paanshme”, kur citoi nga raporti i OSBE-së vetëm pjesët e buta dhe të shijshme për pushtetin dhe jo “kocka” të tilla ku thuhet se politizimi “pati ndikim mbi punën e KQZ-së, veçanërisht mbi detyrën e saj për t’i administruar zgjedhjet në mënyrë asnjanëse dhe efikase”. Po si mund të citojë një i “pavarur” atë që e demaskon me vartësi të turpshme, pa integritet dhe jo profesionale? Ristani citoi pjesë të raportit të OSBE-së, ku thuhet se persona të paautorizuar ndërhynin dhe drejtonin procesin në disa prej vendeve të numërimit të votave, por nxitoi të shtonte se “me 100 për qind garanci, numërimi ka qenë korrekt dhe i pamanipuluar”. Ç’është kjo “garanci” që jep kryetari i KQZ-së për një proces që është dhunuar nga persona të paautorizuar?
Ku e di ai se ç’kërdi mund të kenë bërë ata? Në raste të tilla, garanci thelbësore për publikun duhet të jetë rinumërimi dhe transparenca. Por Ristani ka qenë i pari që ka dalë kundër rinumërimit, duke hedhur themelet e krizës politike që po vuajmë. Dhe nuk janë fare pa të drejtë disa që thonë se e keqja për zullumet që po ndodhin në Shqipëri nuk duhet kërkuar vetëm te Berisha. Është e vërtetë, ky i fundit nuk do të mund të bënte dot asgjë pa armatën e “ristanëve” që i japin dorë ta maskojnë kapjen institucioneve me “pavarësi”, padrejtësinë me ligj, autoritarizmin me “parlamentarizëm”, despotizmin me “demokraci”. Pa “ristanët” jurisprudencës, medias, politikës apo edhe biznesit, Berisha nuk do të mund ta shndërrojë Shqipërinë nga një shoqëri qytetarësh të lirë, në një turmë skllevërish të nënshtruar ndaj pushtetit, pra në një Ristanistan.