Jo pak politikanë apo diplomatë perëndimorë kanë mundur të na dëshmojnë këto vitet e fundit se kur është fjala për standardet, qoftë në politikë apo në tregti, Shqipëria bën përjashtim. Meqenëse është një shtet ende i prapambetur, në Shqipëri mund të zbatohen vetëm disa “standarde”, që janë jashtë standardeve të vërteta, por që janë të mira për Shqipërinë ose, sikundër përflitet rëndom edhe në publikun shqiptar, janë “buono per Albania”. Këtë realpolitikë cinike, që në fakt nuk të çon shumë larg, e pamë të shtjelluar më tej edhe nga Franko Fratini, ministri i Jashtëm i Italisë që sapo vizitoi Tiranën.
Krejt në kundërshtim me standardet e një diplomacie të vërtetë europiane, Fratini e thelloi realpolitikën cinike të standardeve “buono per Albania”, duke u kujdesur të deklaronte para gazetarëve shqiptarë vetëm ato gjëra që ai i gjykonte se ishin “buono per Berisha” pra, të pëlqyeshme për Kryeministrin shqiptar dhe pushtetin e tij. Duke bërë një gjë të tillë, Fratini jo vetëm që injoroi alarmet e opozitës politike shqiptare (një diplomaci jo fort e mirë kjo) por ra në kontradiktë edhe me ato që po deklaron edhe vetë Parlamenti Europian (PE) për krizën politike dhe përgjithësisht gjendjen jo të mirë të punëve në Shqipëri.
Që një përfaqësues i partive të djathta europiane të vijë në Tiranë dhe të mbrojë në mënyrë edhe groteske Kryeministrin “e djathtë” shqiptar, kjo edhe gëlltitet. Edhe kur thotë broçkulla si ato që këputi para shqiptarëve, në mitingun nga PD përmbyllës të fushatës elektorale të 2009-s, Wilfried Martens, president i Partisë Popullore Europiane. “Berisha është i vetmi lider që mund t’i çojë shqiptarët në Europë”, deklaroi atëherë Martens.
Nuk ka pohim më antidemokratik, më antipluralist, më monist dhe mesianik sesa ky. Nuk ka gjë më të gabuar t’i propagandosh një populli që sapo ka dalë nga vargonjtë e kulteve anti-institucionale të liderit komunist, mendimin se ai mund të përparojë dhe të europianizohet jo në sajë të institucioneve të pavarura, shtetit ligjor dhe të gjitha avantazheve të lirisë, por vetëm në sajë të udhëheqjes së ndritur të një lideri të vetëm. Është e gabuar, është e pavërtetë por, megjithatë, nuk është një gafë diplomatike. Në fund të fundit, përfaqësuesi i një partie thotë ca fjalë të mira për një lider të një partie që ai e konsideron të krahut të tij. Por sikur nuk përqaset fort me standardet europiane të politikës e diplomacisë, kur përfaqësuesi i një qeverie perëndimore, një ministër si Fratini, zbarkon në Tiranë dhe nis e bën propagandën e qeverisë, duke injoruar të gjitha ndjeshmëritë e një opozite të stërmadhe, që ndodhet në protesta.
Me standarde europiane, Fratinit nuk i lejohet të diskriminojë ndjeshmëritë e opozitës italiane e jo më ato të opozitës së një shteti tjetër. Shpalosja nga Fratini e një fratelance aq të hapur me qeverinë, jo vetëm që nuk është diplomatike, por e ka shtyrë atë të thotë edhe shumë të pavërteta. Një e tillë është ajo lidhur me zgjedhjet si dhe krizën politike në Shqipëri. Fratini tha se “...zgjedhjet në Shqipëri janë monitoruar nga një komision ekspertësh të misionit të OSBE-ODIHR, rezultatet e të cilave janë gjykuar si absolutisht të rregullta”. Nuk është absolutisht e vërtetë! Ky është një pohim që injoron edhe ato shqetësime që monitoruesit e huaj të OSBE-ODIHR shfaqën lidhur me zgjedhjet.
Por Fratini injoron edhe shqetësimet e Parlamentit Europian (PE) për këtë problem. Në të njëjtën ditë që ministri italian shpaloste në Tiranë deklarata që ngazëllenin Berishën, në median shqiptare publikohej një projektrezolutë e PE, ku shprehej shqetësimi për parregullsitë e vërejtura gjatë zgjedhjeve “në veçanti për transparencën e procesit, presionin dhe trembjen e votuesve, regjistrimin e zgjedhësve dhe mbi monitorimin e numërimit të votave”. Ku janë këtu “zgjedhjet absolutisht të rregullta”? Kujt t’i japim të drejtë?
Apo mos duhet të themi se shqetësimi i PE është i ekzagjeruar dhe se pavarësisht mangësive, zgjedhjet ishin “bono per Albania”? Kemi frikë se një qëndrim i tillë nuk lejon zbulimin e të vërtetave e të hidhura që po nuk u kuruan prodhojnë, sikundër thoshte Rusoi, helme të rrezikshme për organizmin e shtetit. Shqipëria e ka provuar një herë në vitin 1997, se në çfarë tragjedish të çon fshehja e të vërtetave, si ato mbi piramidat financiare, “begatia” e të cilave u promovuan si “mrekulli ekonomike” edhe nga ca “ndërkombëtarë”. Edhe atëherë ishte në pushtet po ky Berishë që po i shet (me ndihmën edhe të diplomatëve si Fratini) zgjedhjet e qershorit si më të mrekullueshmet.
Në përpjekje për të deklaruar sa më shumë gjëra “bono per Berisha”, Fratini tha se Gjykata Kushtetuese “ka vendosur që Parlamenti nuk mund të numërojë një për një votat...pra, nuk mund të bëhet numërimi individual i votave”. Ne e kuptojmë që një ministër italian nuk mund të ketë as kohë dhe as predispozitë që të informohet deri në hollësi teknike për punërat e kokolepsura të Shqipërisë. Por kjo duhet ta bëjë atë, minimalisht, më të kujdesshëm për të mos rënë në vulgarizime të tilla si ai që sapo sipërcituam. Fratini nuk e di se çfarë thuhet në një vendim prej rreth 20 faqesh të Gjykatës Kushtetuese Shqiptare, ndaj dhe do ishte më korrekte, që të mos bëhej zëdhënës i Kryeministrit shqiptar për një problem që nuk e njeh.
Kjo nuk ka si shihet me sy të mirë jo vetëm nga lidershipi opozitar, por edhe një elektorat shumë i gjerë në Shqipëri, që pret një diplomaci të standardeve europiane nga politikanë europianë, pavarësisht krahut politik. Prandaj nuk është as një diplomaci e mirë. Do të donim që një ministër i huaj (i kujtdo shteti) që viziton Tiranën, të mos shfaqej si mik vetëm i qeverisë, aq më pak vetëm i Kryeministrit të radhës, por edhe më gjerë, edhe si mik i opozitave pra, edhe si mik i Shqipërisë.
Fratini bëri edhe një tjetër gabim. U përpoq të këshillonte opozitën shqiptare nga pozitat e qeverisë shqiptare. Ai tha se forcat politike duhet të kuptojnë se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e saj europiane, ndaj kanë përgjegjësinë që të mos fusin “...elementë të krisjes apo thyerjes që mund ta largojnë Shqipërinë nga BE”. Po kush janë këta që fusin “elementë të krisjes dhe thyerjes”. Duket se në mendjen e Fratinit është opozita, të cilën, e porosit të bashkëpunojë ngushtë me pozitën në Parlament. Por opozita shqiptare ka një mendim krejt tjetër. Ajo mendon se “krisja” që na largon nga BE është pikërisht kokëkrisja e Kryeministrit që këmbëngul të mos i hapë rrugën transparencës së votimeve pa të cilën, nuk mund të ketë as ndëshkim për vjedhjen kronike të votave në Shqipëri dhe as zgjedhje të lira e të ndershme.
Dhe pa zgjedhje të lira e të ndershme, as mund të mendohet që një shtet të integrohet në BE. Ndaj dhe opozita ka arritur në përfundimin se do ishte një qëndrim i papërgjegjshëm tolerimi i vjedhjes dhe bashkëpunimi për reforma me një qeveri që ka frikë të tregojë xhepat pra, që nuk provon dot legjitimitetin e pushtetit të vet. Sa për vendimet e gjykatave që duhen respektuar, Fratini bën sikur nuk e di, madje nuk është fare në rezonancë as me projektrezolutën e PE që ngre përsëri shqetësimin e një pushteti gjyqësor jo të pavarur dhe nën presionin e politikës. Dhe një gjyqësor i tillë është dukshëm “buono per Berisha” por aspak, në kuptimin e vërtetë të fjalës, “buono per Albania”!