Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mënyra e Ramës për të qenë Berishë

Shkruar nga: Ermal Hasimja  
Botuar më: 15 vite më parë

Ermal Hasimja
Mënyra e Ramës për të qenë Berishë

Një nga akuzat që i janë bërë më shpesh Berishës, që prej viteve ’90, është ajo e marrëdhënieve problematike me mediat dhe njerëzit e mediave. Në këtë vazhdë është arritur që prej bojkotimit të mediave, presioneve të ndryshme e deri te përkufizimet radikale të disa mediave si “hanxharë të mafias”. Sot për sot (fatmirësisht), ato media që deri dje konsideroheshin si të tilla janë ende të lira të kritikojnë Qeverinë dhe kjo është një nga arritjet më të vlefshme të demokracisë së brishtë shqiptare.

Nga Rama, si i ardhur më vonë në politikë, pritej një sjellje e ndryshme  nga ajo e Berishës, ndoshta edhe për shkak të shpresave që zgjoi te një pjesë e mirë e elektoratit, “modeli” i ri aq i reklamuar i kryebashkiakut në modë. Në raport me qëndrimin ndaj mediave dhe njerëzve të mediave, kjo shpresë duket sot krejtësisht e zhgënjyer. Është bërë thuajse e zakonshme që nëpër debate televizive, Rama të përpiqet të skualifikojë ose shmangë pyetjet e gazetarëve ose analistëve, me pretendimin se janë vegla të pushtetit dhe nuk përfaqësojnë opinionin publik. Madje këtë e bën në nivel personal me refleksin e një prokurori. Ky qëndrim ka disa probleme madhore që nuk kanë pasoja vetëm për Ramën, por për komunikimin politik në përgjithësi në Shqipëri.

Nuk mund të gjykohet ose paragjykohet nëse Rama i mban këto qëndrime thjesht sepse nuk ka ndonjë formim të thellë mbi modelet e demokracisë, apo sepse kështu mendon se u shpëton pyetjeve apo komenteve të sikletshme. Megjithatë këto pika duhen sqaruar edhe pa e marrë si të mirëqenë burimin e problemit të tij.

Së pari, qëndrimet për paanshmërinë dhe objektivitetin e mediave sot janë degdisur në nivelin e utopikes. Askush nuk është i pavarur, sepse nuk mund të jetë i pavarur nga vetja: nga vizioni i tij për demokracinë, progresin, të ardhmen, interesat e tij, etj. Kjo nuk e dëmton demokracinë, sepse kushti i saj themelor nuk është paanshmëria e mediave dhe njerëzve të medias, por pluralizmi dhe sidomos pavarësia nga Qeveria. Nga pikëpamja faktike, sot Rama ka më tepër audiencë në dorë sesa ka Qeveria dhe natyrisht nuk mund të ankohet për terr informativ. Një gazetar ose analist nuk mund të jetë i pavarur në kuptimin klasik, sepse çdo fjalë që thotë dhe çdo mendim e detyron të mbajë një qëndrim. Vetë gjuha është pashmangshmërisht subjektive.

Nga ana tjetër konstatohet me lehtësi se Rama i trajton gazetarët ose analistët si shërbëtorë të Qeverisë, kur ata janë kundër tij. Natyrisht harron se një pjesë e tyre deri dje mund të kenë mbrojtur ose argumentuar qëndrimet e Ramës. Kjo përkthehet kështu: nëse më mbështet mua, atëherë je objektiv dhe i paanshëm, por nëse ajo që thua më prek mua ose mbështet qëndrimin e kundërshtarit, atëherë je shërbëtor i tij dhe nuk ke legjitimitetin për të pyetur ose komentuar. Këtu nuk është problemi vetëm me humorin e Ramës, por edhe me parashikimin e qëndrimeve të mundshme ndaj mediave, në një të ardhme kur pushteti mund t’i lejojë shumë më tepër. Një qëndrim të ngjashëm ka pasur edhe Berisha, p.sh. me idenë e tij (fatmirësisht të braktisur) për ta garantuar “pavarësinë” redaksionale të mediave nga pronarët e tyre.

Së dyti, një problem madhor është boshllëku që le pas shmangia e përgjigjes, me justifikimin se pyetjen po e bën një “shërbëtor i Qeverisë”. Supozojmë se vërtet pyetësi është shërbëtor i Qeverisë, madje me rrogë të fshehtë prej saj. A ka ndonjë rëndësi kjo? Mos ndoshta qytetarët e këtij vendi, që nuk mendojnë si Rama dhe mendojnë si Berisha, nuk kanë të drejtë të marrin përgjigje prej Ramës? Ku shkoi qëndrimi i tij përtej së majtës e së djathtës? Ky është ndoshta rasti i vetëm, ku ky qëndrim mund të vlejë më tepër sesa thjesht llafe bosh. Mos ndoshta në 2013, Rama do të synojë të jetë vetëm Kryeministër i qytetarëve që kanë votuar për të e që mendojnë si ai, ndërsa të tjerët nuk duhet të hapin gojën se janë shërbëtorë të Berishës?

Shmangia nga përgjigjja në fakt e ve gjithashtu në pozitë të vështirë vetë imazhin e Ramës, sepse le hapësirë për interpretimin e kësaj shmangieje si paaftësi për t’u përgjigjur. Gjithashtu, ajo le shteg për konstatimin se kryetari i partisë kryesore opozitare dhe kandidat për Kryeministër nuk është në gjendje të pranojë legjitimitetin e pluralizmit të qëndrimeve.

Komunikimi në hapësirën publike nuk mund të funksionojë ashtu siç e mendon Rama e as siç e mendonte (dhe ndoshta ende e mendon) edhe Berisha. Qëndrime agresive të tilla delegjitimuese ndaj gazetarëve dhe analistëve nuk të lenë të shpresosh për një thellim të demokracisë në të ardhmen, të paktën në nivelin e funksionimit të komunikimit në hapësirën publike si kusht themelor i saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama