Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bursa apo stili i vjetër i hapjes së shkollave të reja

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 15 vite më parë

Adri Nurellari
Bursa apo stili i vjetër i hapjes së shkollave të reja

Bursa apo stili i vjetër i hapjes së shkollave të reja

botuar tek gazeta Shqip
Pak ditë më parë, Kryeministri shpalli një nismë të re arsimore, atë të hapjes së katër fakulteteve të teknologjisë së informacionit, ndërkohë që arsimi i lartë shtetëror tashmë është i tejfryrë me institucione, studentë dhe programe dhe tejet i mangët për nga cilësia e mësimdhënies, burimet materiale dhe stafi akademik. Sikur të mos mjaftonte kjo, pak javë më herët u shpall edhe nisma e hapjes së një universiteti për administratën publike, që nuk do të bëjë gjë tjetër përveçse do ta diskreditojë më tepër arsimin e lartë publik, të cilit i është sakrifikuar cilësia për hir të sasisë. Mjafton të përmendet fakti që tanimë, institute universitare publike ka pothuaj çdo qytet që ka disa dhjetëra mijëra qytetarë për të kuptuar që kjo situatë të kujton taktikën e hopit të madh përpara Mao Ce Dunit, i cili në vitin 1958 vendosi të shtonte prodhimin total të çelikut, duke fragmentuar industrinë dhe duke ndërtuar nga një furrnaltë në çdo komunë. Kjo taktikë shumë shpejt e dëshmoi veten jo vetëm si një dështim i plotë ekonomik, por edhe si një katastrofë humanitare, duke çuar dhjetëra miliona kinezë në zi buke. Prandaj duke pasur parasysh se në çfarë derexheje kanë përfunduar universitetet periferike apo filialet e disa fakulteteve të hapura gjatë viteve të fundit, nuk është e vështirë të hamendësohet që edhe këto institucione të arsimit të lartë që po propozohen në këtë periudhë do të kenë të njëjtin fat.

Ideja e hapjes së katër fakulteteve të reja të teknologjisë së informacionit dhe të një universiteti për administratën publike nuk çalon vetëm për faktin që tendos dhe fragmenton burimet tona tashmë të kufizuara, por edhe sepse aplikon një përqasje të gabuar lidhur me mënyrën si i jep subvencionet shteti. Edhe duke e marrë të mirëqenë një dimension social apo intervencionist të shtetit në ekonomi, prapëseprapë përqasja që aplikohet mund të bëjë një diferencë të madhe.

Një ndër reformat më të suksesshme të qeverisjes së PD-së në fushën e arsimit ka qenë ajo e altertekstit. Kjo reformë prezantonte një formë të re të administrimit të fondeve publike nga qeveria, duke ia dhënë subvencionin drejtpërdrejt nevojtarëve, përdoruesve dhe jo instrumenteve që ofrojnë shërbimin apo produktin. Në këtë mënyrë qeveria i çon paratë te destinacioni, duke garantuar me shumë efikasitet dhe jo tek instrumenti i shpërndarjes që garanton shpërdorim e abuzim. Me propozimin e hapjes së këtyre pesë institucioneve të reja të arsimit të lartë përmbyset praktika efikase dhe dinjitoze e altertekstit dhe bëhet një kthim prapa te praktikat e gabuara që subvencionet i kanalizojnë tek institucionet e jo te përdoruesi. Në këtë situatë institucionet që ofrojnë shërbimin nuk kanë asnjë nxitje apo kërkesë llogarie për të garantuar cilësi për sa kohë i kanë të ardhurat të garantuara çfarëdo që të ndodhë. Pra vazhdohet përvoja e deritanishme e konsolidimit të korporatës tashmë të kalcifikuar akademike.

Një tjetër element që të kujton të kaluarën komuniste është filozofia e përmbushjes së nevojave që na dalin me forcat tona. Domethënë meqenëse kemi nevojë për nëpunës të kualifikuar civilë, na takon të hapim një universitet tonin për këtë fushë e po kështu nëse synojmë të nxisim teknologjinë e informacionit në vendit tonë atëherë na bie që të hapim edhe një shkollën tonë për këtë punë.

Ndërkohë që praktika më e mirë do të ishte që për këto fusha të mund t’i çonim të rinjtë më të talentuar me bursa me detyrim kthimi apo kredi për të studiuar jashtë vendit, në vend që t’i merrnim më qafë maturantët e talentuar duke i keqarsimuar me shkolla tona mediokre. Fatkeqësisht edhe një nismë që synonte të nxiste inkurajimin e cilësisë së shkollimit dhe kthimit të trurit dhe që u reklamua shumë në fillim si një panacea për të mbyllur boshllëqet që kemi ne për burimet njerëzore, tanimë nuk po përmendet më fare. U bënë vite që nuk dëgjohet as për konkursin për fondet e ekselencës dhe as për ndonjë projekt alternativ të financimit të studimeve jashtë vendit të të rinjve më të talentuar. Shtetit tonë i takon të përdorë më mirë sistemin e sponsorizimit të shkollimit jashtë vendit, sesa atë të hapjes së shkollave të reja, pikërisht sepse përvoja e deritanishme e shkollave publike është një dështim, ndërkohë që nevojat për ekspertë të kualifikuar mirë në fusha specifike po rriten në mënyrë eksponenciale. Këto kredi ose bursa që mbartin përgjegjësi ndaj përfituesit për t’u kthyer e shërbyer si formë kompensimi e mirënjohje për bursën e dhënë, janë përdorur me shumë sukses nga shumë vende dhe do mundësojnë që të lidhin ose bëjnë për vete individë të talentuar, që rrezikohen të largohen njëherë e mirë.

Megjithatë, një ndër dobitë që vjen nga studimi në universitete të mira perëndimore, që është e pazëvendësueshme, por që shpesh shpërfillet, është dimensioni i etikës dhe kulturës së punës që mund të haset në Perëndim e që mungon fatkeqësisht te ne. Në vendet e zhvilluara perëndimore është e mundur që studentët shqiptarë të mëkohen me etikën e lartë profesionale, bindjen se ambiciet dhe aspiratat realizohen vetëm nëpërmjet punës së palodhur, këmbënguljes e talentit.

Modelet e suksesit në Shqipëri karakterizohen nga individë të cilët e kanë vënë pasurinë dhe pushtetin kryesisht nëpërmjet avantazhimeve politike, mitëmarrjes, licencave apo tenderëve të marrë me hatër, imunitetit për kontrabandën apo trafiqe të paligjshme që kanë bërë si dhe evazionit fiskal. Këto modele e kanë bërë shumë jopopullore idenë që në këtë vend mund të bëhesh i suksesshëm, i pasur dhe i pushtetshëm, falë punës e përpjekjeve të ndershme.

Në vendin tonë, fatkeqësisht edhe studentët më të zellshëm përballen me raste konkrete apo me peshën e rëndë të perceptimit publik që notat e mira shtihen në dorë kryesisht nëpërmjet servilizmit, nepotizmit, korrupsionit apo lidhjeve familjare e politike. E po kështu edhe kur bëhet fjalë për gjetjen e vendeve të punës, prapëseprapë duket e qartë për rininë tonë se ajo që vlen më shumë është përkatësia politike apo ryshfeti i dhënë sesa cilësia e shkollimit.

Fatkeqësisht, kjo përshtypje publike, është përforcuar dhe masivizuar edhe nga vetë struktura e tregut të punës në ekonominë tonë. Punëdhënësi kryesor ngelet shteti, i cili në procesin e rekrutimit të kuadrove të rinj, ende nuk vazhdon të marrë në konsideratë meritokracinë, por bazohet kryesisht te lidhjet politike, ekonomike, krahinore, familjare apo te mitëmarrja. Pjesa më e madhe e ekonomisë mbizotërohet nga biznesi i vogël e i mesëm që punëson kryesisht njerëz me lidhje farefisnore e nuk para përfshin individë të cilët janë thjesht të arsimuar mirë. Po ashtu, përqendrimi i ekonomisë në sektorë si tregtia, bujqësia, ndërtimi, turizmi e mban të ulët kërkesën për individë shumë mirë të shkolluar e për rrjedhojë edhe një pjesë e mirë e individëve të arsimuar në më të shumtën e rasteve punësohen në vende pune që s’kanë të bëjnë me kualifikimet e tyre.

Me pak fjalë, edhe sikur në Shqipëri të mund të krijohen shkolla shumë cilësore, me profesorë shumë të mirë, me programe bashkëkohore mësimore e me bazë materiale për ta pasur zili, studentët e kanë të vështirë që të japin maksimumin, sepse gjithsesi dekurajohen nga ambienti kulturor, normat dhe perceptimet e deformuara që mbizotërojnë. Pra dimensioni kulturor ku jetojnë e bën të vështirë ose i dekurajon këta studentë që të japin maksimumin.

Përjetimi i përvojës të të studiuarit, në një ndër vendet e Europës Perëndimore do të shoqërohet gjithashtu edhe me një trysni sociale për të përdorur tjetër sistem reference më të moralshëm për sa i përket jetës shkollore e profesionale. Aty do të kuptojnë se arsimimi është rruga më e sigurt dhe e drejtë drejt suksesit dhe do motivohen më shumë që t’i përqendrojnë të gjitha energjitë dhe kapacitetet për të dhënë maksimumin në shkollë. Por nuk është thjesht fakti që modelet e suksesit që mbizotërojnë andej janë motivuese, por vetë ambienti ku jetohet është infektues. Duke takuar e parë dita-ditës kudo njerëz që lexojnë, që ecin shpejt e nuk humbasin kohë kafeneve, që e trajtojnë kohën e tyre dhe të të tjerëve me vlerësim me kursim, që jepen pas shkencës, artit e kulturës, padyshim që edhe individi fillon e kultivohet me këtë stil jete, që rrit ndjeshëm efikasitetin shkollor apo atë profesional.

Në këtë linjë, një tjetër element që padyshim i jep një epërsi shumë të madhe shkollimit në universitetet perëndimore është ai i integritetit akademik. Me integritet akademik nënkuptohet pak a shumë korrektësia apo rigoroziteti në procesin arsimor dhe punën akademike. Me hidhërim duhet pranuar që integriteti akademik në vendin tonë lë shumë për të dëshiruar. Kush ka kaluar në bankat e shkollave tona e di që kopjimi gjatë provimeve, plagjiarizmi i eseve apo kërkimit shkencor, fabrikimi i të dhënave, bërja bisht ndaj detyrimeve shkollore siç janë ndjekja e mësimit apo konspektimi i literaturës, janë pjesë e qenësishme e realitetit tonë dhe, qëndrimi që mbahet ndaj këtyre fenomeneve në shoqërinë tonë është gjithnjë e më pak kritik. Këto sjellje në Shqipëri janë bërë normë e përditshme, ndërkohë që në vendet e tjera të zhvilluara perëndimore, këto dukuri janë përjashtime nga rregulli, janë shumë sporadike dhe aspak përfaqësuese të realitetit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama