Komisioni i Shërbimit Civil, ai i Ruzhdies dhe greva e urisë botuar tek gazeta Shqip E gjithë vëmendja e opinionit publik tanimë është përqëndruar tek greva e urisë që kërkon hapjen e kutive për hir të transparencës dhe për të bërë një pikë kthese njëherë e mirë nga tradita e deritanishme e cënimit të zgjedhjeve. është më se qesharake të pretendohet se hapja e kutive për hir të hetimit duke shmangur numërimin, është një precedent negativ. Transparenca në sistemin demokratik nuk duhet të jetë përjashtim por rregulli. Fakti që transparenca nga një pjesë e mirë e opinionit po konsiderohet si precedent i rrezikshëm tregon se në Shqipëri ka një problem të madh me kulturën politike e cila ndryshon në mënyrë shumë graduale e nuk çrrënjoset menjëherë, as me një grevë urie. Perfektja do ishte që me një të shtënë të shkopit magjik të Merlinit gjithçka të ndryshohej në mënyrë drastike e radikale dhe kjo grevë të shërbente si epilogu i fundit të parregullsive në votime. Mirëpo siç thoshtë Volteri përfektja është armikja e të mirës, sepse duke pretenduar vetëm perfekten në Shqipëri po eleminohet ose nënçmohet plotësisht avancimi i bërë apo përmirësimi. Pra nëqoftëse do pretendohet përsosmëri absolute në zgjedhje atëhere ajo vështirë se arrihet ndonjëherë në Shqipëri. Në vitet e ardhshme cdo palë humbëse do ketë arsye për të pretenduar papërsosmëri të zgjedhjeve mirëpo ndërkaq vendi ka nevojë për qeverisje. Në pamundësi të një përsosmërie te procesit duhet të biem dakord për një dimension relativ, për një maksimum rrethanor të rigorozitetit. Pra të mos shpresojmë për një revolucion që ndryshon e çon në përossmëri por për evolucion drejt të përkryerës. Kjo do të thotë që duhet të kemi një ide të tolerimit të deridikushëm të parregullsive, pra të kemi njëfar mase kritike përtej së cilës zgjedhjet quhen të papranueshme. Në fakt komuniteti ndërkombëtar kam përshtypjen se e ka pasur këtë përqasje dhe i ka pranuar rezultatet e zgjedhjeve edhe pse ka pasur vërejtje boll. Konkretisht mund të merret e mirëqenë që ka pasur parregullsi në zgjedhje, mirëpo vështirë të besohet që këto parregullsi në proces të kenë qenë më të mëdha se ato të vitit 2005 kur rezultati u pranua nga dy palët. Dallimi kësaj radhe është se sistemi i ri zgjedhor në mënyrë të pashmangshme do i çonte të dy palët në një rezultat shumë të përafërt duke bërë që secila palë të pretendonte fitoren. Pra ky proces me këto vota po të numëroheshin me sistemin e mëparshëm do sillte një rezultat më të qartë me diferencë më të madhe ndërkohë që kësaj radhe doli 70 me 70. Rasti i nxjerrë me të drejtë prej opozitës si cënues i votës së lirë, ai i Ruzhdies, duhet të shërbejë jo vetëm për të treguar një problem institucional të procesit demokratik por edhe për të vënë në dukje një problem të mprehtë kulturor që lihet pas dore me qëllim jashtë analizës. Argumenti im në këtë rast është se edhe po të ketë ujdi në nivel qëndror për zgjedhjet, do ketë vështirësi të mëdha që ujdia të zbatohen në nivel lokal. Pra edhe po të ketë vullnet të mirë liderët e të dy partive kryesore që zotërojnë monopolin e administrimit të zgjedhejve (gjë që ska qenë e vërtetë në qershor të 2009) do dojë kohë që edhe në nivel lokal të bëhet ndershëm loja. Për të shtjelluar këtë përqasje të evolucionit përkundrejt revolucionit, të përmirësimit përkundrejt të përsosurës, të kontekstualizimit përkundrejt virtualizimit, do ishte mirë që të bënim paralel midis Ruzhdies dhe Komisionit të Shërbimit Civil. Fatkeqësisht problemet shumë serioze të këtij komisioni shumë të rëndësishëm janë eklipsuar nga opinioni në kushtet kur në qendër të vëmendjes ka ngelur komisioni zgjedhor i Ruzhdies. Po të lexohet raporti i progresit i Bashkimit Evropian për Shqipërinë i tetorit 2009 shihet që një pjesë e mirë e vëmendjes, kritikës dhe rekomandimeve shkonin pikërisht për rritjen e kapacitetve, efikasitetit dhe ndershmërisë të administratës publike. Në pamje të parë administrata publike duket si antitezë e demokracisë duke qenë se të parët janë të emëruar dhe të dytët të përzgjedhur mirëpo shumica e kontakteve midis votuesve dhe të zgjedhurve kryhet pikërisht nëpërmjet administratës. Administrata është aktor thelbësor në zbatimin e politikave, në kryerjen e shërbimeve, zgjidhjen e problemeve teknike, aplikimin e teknologjise dhe procedurave duke shërbyer shpesh si kuti matës i qytetarëve për realizimin e detyrave që ata presin prej shtetit. Literatura shkencore ka treguar se problemet me administratën publike janë shumë të dëmshme për zhvillimin dhe konsolidimin e sistemeve politike demokratike pikërisht sepse shërbimi civil luan një rol thelbësor në përmbushjen e interesave dhe nevojave të qytetarëve. Nëse nuk ia del ta luajë siç duhet këtë rol, diskreditohet i gjithë shteti. Për më tepër ndryshe nga një shekull më parë, në epokën kur jetojmë përmasa e shtetit dhe nëpunësve shtetëror është shtuar shumë duke e bërë akoma më të rëndësishme profesionalizmin, efikasitetin, etikën dhe cilësinë e veprimtarisë së tyre. Për të bërë mbikëqyrjen e menaxhimit të shërbimit civil në të gjitha institucionet është krijuar si institucion i pavarur Komisioni i Shërbimit Civil. Ky është organi administrativ që zgjidh ankimet ndaj vendimeve, lidhur me nëpunësin civil e merr mandatin prej Parlamentit dhe ka autoritetin apo tipare të një gjykate administrative. Veprimtaria e viteve të fundit të këtij komisioni i ngjan një kalvari harbutlliku aspak të denjë për rolin dhe funksionin që ai ka duke mos dalluar shumë nga komisioni zgjedhor i Ruzhdies. Në vitin 2007 kryetari i mëparshëm Samir Mani u eleminua nga drejtimi i komisionit me një lloj puçi pasi disa anëtarë të komisionit ia zaptuan postin duke i shqyer derën dhe ndryshuar çelësat e zyrës, ndërkohë që Mani ishte në një vizitë në Spanjë. Kryetarja e Parlamentit e ligjëroi këtë akt të pahijshëm duke autorizuar si kreytare të KSHC-së vetëm zj. Mimoza Hysenaj mirëpo kjo gjë nuk mjaftoi për ta bërë funksional dhe efikas këtë institucion kaq të rëndësishëm. Në mars të këtij viti tre anëtarë të komisionit kësaj radhe vendosën të shkarkonin zj Hysenaj dhe kjo e fundit dorëzoi për këta tre një kallëzim penal në prokurori. Kjo situatë qesharake e shkaktuar nga disa individë që hamendësoheshin të ishin shumë të kualifikuar dhe profesional bëri që komisioni parlamentar i ligjeve i parlamentit ta shqyrtonte këtë situatë dhe të vendoste për eliminimin plotësisht të këtij komisioni. Relatorja, deputetja Arenca Trashani deklaroi në prill tekstualisht se: "Konfliktet e brendshme tuaja, nuk i ngjajne nje institucioni shteteror, por nje telenovele te dale mode fare. Kanë shemtuar imazhin e ketij institucioni si garant i zbatimit te ligjit per statusin e sherbimit civil. Kjo situate absurde ka sjelle nje kolaps te plote ne shqyrtimin e ankesave te nepunesve" Situata banale e KSHC-së dëshmon se në Shqipëri fatkeqësisht është pamundur të ndërtohet një institucion mbikqyrës dinjitoz të nëpunësve civil e jo më të mendohet për të krijuar një administratë publike funksionale dhe të ndershme e aq me pak për një strukturë dinjitoze të administrimit të zgjedhjeve në nivel lokal. Pra kur katandiset në këtë situatë një grusht i vogël komisionerësh të KSHC-së në qendër të Tiranës të ngarkuar me një detyrë kaq të rëndësishme prej parlamentit, sa mund të pretendohet nga komisionerët e Ruzhdies dhe dhjetëra mijëra të tjerë që kanë qenë nëpër qendrat e votimit nëpër skutat më periferike të Shqipërisë? Ky paralelizëm e tregon qartë që lufta për të arritur një përsosmëri në procesin e organizimit të zgjedhjeve nuk mbyllet thjeshtë me një betejë ekstreme si greva e urisë por është një proces afatgjatë, i ngadalshëm dhe i lodhshëm.