Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Si nje filxhan kafeje

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 18 vite më parë

Fatos Baxhaku
Si nje filxhan kafeje

Të gjithë ëndërrojnë. Në këtë faqe të dheut tonë të shkretë mbase nuk ka mbetur më njeri, duke mos përjashtuar as motakët, që nuk e shohin, në një copë herë të ditës, botën e zymtë ashtu si mendonin ata si duhej të ishte dhe jo se si është. Ka njerëz që ëndërrojnë me sy hapur, ka njerëz që ëndërrojnë ndërsa flenë duke hedhur shkelma, ka të tjerë që ëndërrojnë pa dashje, madje duke e refuzuar ëndrrën e tyre të paqëllimtë. Kjo e fundit, zakonisht quhet makth. Të tjerë e shohin edhe realitetin si një ëndërr, që u kalon para syve pa kuptuar, njësoj si një film i gjatë plot ngjyra, që edhe ekziston edhe nuk ekziston. A më mirë me thënë ekziston vetëm në trutë e njërit apo tjetrit. Historitë me ëndrra janë thënë e stërthënë nga ata që quhen psikoanalistë. Ëndrra është një gjë e bukur, madje edhe kur është makth. Është një pjellë e fantazisë, gjësë më të bukur që ka shpikur ndonjëherë mendja e djallëzuar njerëzore dhe pikërisht prandaj me të merren të tërë, të marrë, doktorë, filozofë, gra që shikojnë filxhanin e kafesë, fallxhore rome, teto ndër provinca të harruara dhe kohët e fundit edhe politikanë e njerëz të mediave.

Ditët e fundit jemi marrë pak a shumë të gjithë me një ëndërr të madhe. Kryeministrit të vendit, zotit Berisha, i ishte fanitur në ëndërr një Shqipëri ndryshe nga ajo që ai drejton sot. Në vend të kësaj errësirës sonë pis në orët e darkës, të mbushur me zhurma gjeneratorësh, me tymnaja ndotjeje nga të tëra anët, me fëmijë që nuk shkojnë në shkolla, me rrugë që nuk janë, me njerëz të dëshpëruar e të vetëvrarë, me më shumë llogje se sa me punë, me njerëz ëndërrimtarë të pashpresë dhe me politikanë që harxhojnë më shumë energji të kota se sa me punë të mbara, atij i ishte fanitur një Shqipëri ku çdo gjë ishte rozë. Aq rozë, sa që do të na duhej të na merrte malli për pak gri nga ajo që përjetojmë përditë. Mbi qiejt tanë fluturonin në vend të reve disa engjëj, aq të butë sa që dukeshin si prej pambuku, ndërsa ne, ngatërrestarët këtu në tokë, në vend të ishim këto speciet, që i çajmë kokën me fjalë e ankesa të mërzitshme e të gjata, ishim disa qenie të buta e të lumtura. Ata që i panë filxhanin e vetëm të kafesë, që ai rrufiti atë mëngjes me shumë nxitim rrëfyen për një hata të madhe, për realizimin e një ëndrre. Pikërisht ajo që shumë nga ne kishin përfytyruar për vite e vite me radhë ishte bërë befas realitet, jo atje ku pritej, pra në këtë faqe të dheut, por diku gjetkë, në një vend edhe më të rëndësishëm akoma, në fundin e sheshtë e të llumtë të një filxhani kafeje. Berisha kishte parë në ëndërr Shqipërinë plot me drita. Anë e kënd vendit dritat nuk fikeshin edhe natën. Madje, nëse ndonjëri fikte dritën e quanin sakaq si të sëmurë psikik, ose në rastin më të mirë, si një njeri të kohëve të shkuara, të atyre kur KESH-i i priste dritat. Edhe zgjidhja i ishte fanitur po aq e ndritur sa edhe vetë ëndrra. Ishte një godinë e madhe, e rëndë, e betontë dhe në të punonin disa njerëz që dukeshin si jashtëtokësorë. Berisha nuk e mbante mend mirë se ku ishte vendosur kjo godinë shpëtimtare. Mbante mend vetëm se në hyrje të saj ishte shkruar "Central Bërthamor". E kështu, ndërsa vendi vazhdonte të ishte në humbëtirën e errësirës, të gjithë e harruan hallin e madh të dritave dhe u muarën me ëndrrën e Berishës. "Shqipëria e errët do të bëhet një fuqi nukleare dhe energjetike në Ballkan". Nuk ka më mirë se kaq dhe të gjithë ëndërrshpjeguesit nisën të hapin qitapët e tyre. Më të parët prej tyre, që harruan që Kryeministri nuk u rrëfen të gjitha ëndrrat, por vetëm ato që u hapin punë, ishin shokët opozitarë. "Një central bërthamor në Shqipëri? Po kjo ç‘dreq loje është? A nuk është e ndaluar tashmë në vendet e BE-së? Po ndotja? Po referendumi?" - shumë opozitarë e gjetën edhe një herë punën për t‘u marrë me pasëndrrën e të parit të qeverisë. Ngazëllimi dhe serioziteti me të cilën edhe pozita, edhe opozita u morën me një ëndërr u ngjante tamam atyre grave të lagjeve të harruara, ku rrallë e tek ndodh ndonjë gjë dhe prandaj pikërisht për këtë një ëndërr merr vlerë të madhe si për ata që e besojnë ashtu edhe për ata që nuk e besojnë.

Ëndrra e Berishës për një central nuklear në Shqipëri i ngjan pak një tjetër ëndrre, që një nga kryeministrat socialistë e kishte parë vjet më parë. Edhe ai kishte ëndërruar një gjë të madhe për vendin e tij. Kishte menduar se një tunel nën Adriatik, i ngjashëm me atë të La Manshit, që lidh Francën me Anglinë, do të ishte një gjë fort e mundur. Nga Vlora në Brindisi do të shkonim këndej e tutje jo më me skafe apo me mjete të tjera lundruese, porse me makina dhe në mënyrë fare të qetë, njësoj sikur të shkonim nga Vlora në Lushnjë. Asokohe, opozita e atëhershme, pozita e sotme, nuk ia vuri shumë veshin kësaj ëndrre. Mbase ngase për nga natyra e saj është shumë më realiste se sa duket, apo mbase se në atë kohë kishte gjëra më të rëndësishme për t‘u marrë, ajo nuk tha ndonjë gjë të madhe lidhur me këtë shpresë të mbarë. Nuk ka ndodhur kështu kësaj radhe. Më i gjatë ka qenë komenti për ëndrrën se sa vetë shpjegimi i ëndrrës kryeministrore.

Një ëndërr meriton gjithnjë respekt, qoftë kjo edhe e parë në mendjen e një Kryeministri. Energjitë që harxhohen rreth filxhanit të kafesë pastaj janë punë tjetër. Berishës mbase ia do puna që në momentin e errësirës më të madhe të Shqipërisë të shohë të tilla gjëra dhe madje të na i thotë edhe neve. Është një dredhi e vjetër, që nga ëndrrat që sheh tregon vetëm atë më të mbarën. Madje edhe kur thuhet ëndrra e centralit bërthamor nuk shpjegohet se çfarë rruge e gjatë dhe e mundimshme për një vend të vogël si i yni është të arrijmë deri atje. Nuk thuhet se sa vite duhen për t‘u ndërtuar një i tillë dhe as se si, e qysh e tek do të gjendet lënda e parë, uraniumi i frikshëm. Pastaj erdhi edhe kjo puna e globalizmit dhe antiglobalizmit. Kur deshën t‘i prishin ëndrrën Kryeministri i akuzoi zhurmëtarët si "antiglobalistë" dhe, me këtë u dha dërrmën duke i dhënë të sharën më të fortë të fillimit të këtij mijëvjeçari. Kryeministri harroi se të jesh antiglobalist nuk është e sharë, njësoj sikur të jesh globalist nuk është lëvdatë, përkundrazi. Po kjo është një histori tjetër, që ka lidhje me realitetin, me të varfrit që shtohen përditë anë e kënd dhe me përqendrimin e parave në vetëm pak duar. Ëndërrimtarët që shohin qytete të ndriçuara, qiej bojë rozë, engjëj që fluturojnë ndër re të kristalta, fëmijë të qeshur dhe çifte super të lumtura, më mirë të mos ngatërrohen me realitetet tona të ashpra. Ëndrrat le t‘i shohin dhe t‘i komentojnë. Le të shohin përditë fundin e filxhanit të kafesë, kjo është një gjë fort e bukur, madje edhe zbavitëse. Por, por do të bëjnë më mirë sikur në ëndrrat dhe komentet e tyre më mirë të mos ngatërrojnë të tjerët, ata që në betejën e tyre të përditshme, të ashpër për mbijetesë përballen në çdo çast me errësirën dhe, më keq akoma, me mungesën e ëndrrave bojërozë.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama