Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Europa politike dhe kriza shqiptare

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
Europa politike dhe kriza shqiptare

Nuk ndodh shpesh që Këshilli Europian të diskutojë në mbledhjet e tij të rregullta situatën politike në Shqipëri. Që nga lufta e Kosovës më 1999-n, kur Tiranën e mësynë disa dhjetëra ministra të presidentë, kryeministra dhe ministra të Jashtëm, vendi ynë nuk përbën ndonjë prioritet apo urgjencë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian dhe as të SHBA-së. Shihemi dhe trajtohemi si pjesë e atij që sot quhet Ballkani Perëndimor. Megjithatë të hënën Shqipëria, ose më kriza e saj e brendshme, do të jetë pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian. Termat konkretë mbi të cilët do të fokusohet mbledhja, synojnë gjetjen e një kompromisi politik mes palëve, i cili deri tani nuk është arrirë, për arsye që Europa e Bashkuar i ka tashmë më se të qarta.

Meqë jemi te roli i Europës në krizë, s’mund të mos nënvizojmë një fakt të thjeshtë dhe unik në zinxhirin 20-vjeçar të krizave shqiptare. Si kurrë më parë, në krizën elektorale të 28 qershorit, që mban mbërthyer pozitën dhe opozitën prej më shumë se 11 muajsh, politika europiane ka qenë e polarizuar, kontradiktore, partizane dhe pse jo disa herë edhe tendencioze ndaj njërës apo tjetrës palë, njërës apo tjetrës zgjidhje, njërit apo tjetrit propozim. Kurrë më parë Europa politike (më shumë sesa ajo institucionale), ka folur, shkruar dhe komunikuar qëndrimin e saj shumëngjyrësh, ndaj zhvillimeve që kanë mbajtur të bllokuar në llogoret respektive Sali Berishën dhe Edi Ramën.

Është një realitet që ne shqiptarët e kemi perceptuar thuajse çdo ditë, me një dinamizëm të paprecedentë. Përreth krizës shqiptare ka nisur të luhet prej muajsh një lojë e pastër politike, në kuptimin e stemave dhe flamujve ideologjikë që ndajnë sot arenën politike europiane. Opinioni shqiptar është bombarduar gjatë gjithë gjatësisë së këtyre dhjetë muajve të fundit, nga deklarata, qëndrime, kritika e sulme, lidhur me krizën shqiptare, të cilat e kanë origjinën sa në Strasburg, aq në Bruksel, Vjenë apo gjetiu. Dimë me hollësi çfarë tha filan eurodeputet, cilat batuta hodhi “X” apo “Y” komisioner apo kryetar delegacioni, çfarë bërryli i vuri apo paterice i ofroi ky apo ai zyrtar i lartë i Strasburgut a Brukselit, qeverisë ose opozitës, si i buzëqeshi Fyle Berishës dhe si Svoboda përkrahu Ramën. Mbi të gjithë, dallon në këtë pazar të madh shumëgjuhësh, fytyra dhe zëri metalik i Doris Pak, kësaj ikone të shkuar moshe të politikës kontinentale, e cila në kohëra të ndryshme ka thënë gjëra po kaq të ndryshme për ngjarjet në Shqipëri.

E gjitha kjo ka ndodhur jo pse ne jemi bërë më të kujdesshëm ndaj asaj që thoshte Europa në adresën tonë, por sepse vetë Europa ka folur më tepër për ne, në këto dhjetë muajt e fundit. Duket sikur papritur, pasioni dhe tifoja tipike e klasës sonë politike ka kapur personazhe që vegjetojnë prej vitesh diku në ndonjë zyrë plot rutinë dhe mërzi “komunitare”, në Strasburg a Bruksel. Kriza shqiptare mund të mos ketë gjetur ende një zgjidhje, por s’mund të thuhet se s’ka gjetur interes dhe kërshëri. Madje dhe tifozë. Mjafton të shohësh sesi shprehej dje kreu i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Cavushoglu, i cili u kujtua të sulmonte grevën e urisë së opozitës, tri javë pasi ajo është mbyllur, vetëm sepse gjatë vizitës në Tiranë shkurtin e shkuar pati pasur disa fërkime me kreun e opozitës Rama.

Natyrisht që kjo sjellje aktive e aktorëve politikë e institucionalë europianë ka motivet dhe sfondin personal e folklorik, ashtu siç ka padyshim edhe motive të tjera, më të thella dhe pse jo edhe më të mistershme. Në shumicën e rasteve është i qartë rreshtimi i zyrtarëve europianë, konform kredos së tyre politike. Në raste të tjera simpatitë personale, njohja e hershme e terrenit shqiptar dhe eksperienca e punës me Shqipërinë (për të mos folur për gojët e këqija që flasin ndonjëherë edhe për pazare aspak të bukura) - të gjitha këto kanë një rol jo të vogël në mënyrën sesi e lexojnë dhe e interpretojnë politikanët europianë krizën tonë.

Ka më shumë se një motiv që na shtyn të bëjmë një dallim esencial në qëndrimet europiane ndaj krizës aktuale. Ky dallim ka të bëjë me diferencën që ekziston (dhe që s’është e vogël), mes Europës politike dhe asaj institucionale. Duken si e njëjta gjë, por s’janë aspak të tilla. Pa u hyrë mekanizmave kontraktualë që rregullojnë familjen e sotme europiane, mund të thuhet se institucionet me përfaqësim të pastër politik kanë qenë më të artikuluara edhe për krizën shqiptare. S’është e rastit që Parlamenti Europian, pengesa kryesore që na ndan nga heqja e vizave gjatë këtij viti, është shprehur më ashpër ndaj palëve në krizë, sesa komisioni, një strukturë më shumë teknike, i cili mundohet të shmangë konsideratat e forta.

A na ka ndihmuar kjo larushi deklaratash ndërkombëtare, për ta zgjidhur krizën? Gjendja aktuale na thotë se jo. Por një vështrim i kujdesshëm na sugjeron pikërisht të kundërtën. Për sa kohë që Europa dhe SHBA-ja flasin e debatojnë për ne, shanset për të zgjidhur nyjat që krijojnë rrugës politikanët e këtij vendi, janë shumë më të mëdha. Mjafton të vëresh se të vetmet raste kur dy liderët kryesorë të Shqipërisë janë ulur për të negociuar për krizën, kanë qenë të sponsorizuara fort nga institucionet ndërkombëtare. Si takimi i shkurtit te Presidenti Topi, si darka tashmë e famshme e “Krokodilit”, janë fryt i një diplomacie mjaft aktive perëndimore. Nëse zgjidhja po vonon, kjo nuk i detyrohet edhe aq ndonjë mungese vullneti politik të ndërkombëtarëve, sesa kalkulimeve meskine që kanë bërë palët këtu në Shqipëri dhe që vijojnë ta mbajnë të bllokuar krizën zgjedhore. Lëmshi është këtu. Këtu duhet finalizuar edhe zgjidhja. Padyshim, me shtysën e fortë të atyre që kanë në dorë të zbusin Berishën dhe të bindin Ramën.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama