Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kostoja e lartë e pabesisë shqiptare

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 15 vite më parë

Adri Nurellari
Kostoja e lartë e pabesisë shqiptare

Besa ka qenë një ndër traditat shqiptare më të vyera, për të cilat jo vetëm krenoheshim me veten, por edhe vlerësoheshim nga fqinjët. Në fakt, pikërisht kësaj vlere i është dedikuar një ndër librat më të suksesshëm të Francis Fukuyama, i cili njihet nga lexuesi shqiptar kryesisht nëpërmjet përkthimit të librit të tij, “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit”. Në librin e titulluar “Besimi: Virtytet Sociale dhe Krijimi i Prosperitetit” (“Trust: The Social Virtues and The Creation of Prosperity”), Fukuyama vë në dukje se përveç faktorëve klasikë të njohur si premisa për zhvillimin ekonomik, sikurse janë tregu i lirë, konkurrenca apo qeverisja e vogël, një rol i rëndësishëm luhet edhe nga kultura. Në këtë libër, autori i ndan shoqëritë në dy kategori, vende që kanë shoqëri me besim të lartë, duke përmendur si të tilla SHBA-në dhe Gjermaninë, dhe vende me shoqëri me besim të ulët, si Kina e Italia.


Ky libër më erdhi në mendje pas një bisede me një mikun tim që punon për Philip Morris, i cili më tregoi se Shqipëria është çuditërisht i vetmi vend ku një produkt kontrabandë është më i shtrenjtë sesa një produkt legal. E kishte fjalën për paketat e cigareve që shiten në Shqipëri, të cilat janë goxha më të shtrenjta nëse janë pa pullë, domethënë të futura ilegalisht, duke mbajtur ende të shkruarat në gjuhën greke apo italiane. Normalisht malli kontrabandë duhet të shitet më lirë, përderisa futet në vend pa paguar akcizën. Megjithatë janë më të shtrenjta vetëm e vetëm sepse janë të jashtme, ndërkohë ato që janë me pullën fiskale e me tekstin të shkruar në shqip, konsiderohen false ose të dorës së dytë, ndërkohë që bëhet fjalë për të njëjtin mall të sjellë në Shqipëri në mënyrë të organizuar dhe kontrolluar nga e njëjta kompani. Kjo situatë lë të kuptohet për një situatë ekstreme të mungesës së besimit ndaj asaj që është shqiptare dhe që nuk ka të bëjë vetëm me kompleksin e theksuar të inferioritetit ndaj të huajve, që e kemi kultivuar pasivisht gjatë këtyre dy dekadave të fundit, por edhe me mungesën e skajshme të besimit ndaj njëri-tjetrit.

Njerëzit kryesisht shkojnë në restorante, hotele apo kafene të rekomanduara nga të afërmit e tyre, sepse kanë frikë se mos “ua dredhin” me çmimet dhe cilësinë e shërbimit. Qytetarët detyrohen të bëhen miq ose ndërtojnë marrëdhënie personale me ustallarët e ndryshëm, sepse vetëm kjo marrëdhënie është garanci për cilësinë e punës së tyre. Përndryshe mbizotëron mosbesimi lidhur jo vetëm me tarifën dhe cilësinë, por edhe për ndonjë sabotim të mundshëm e dashakeq të zanatçiut të panjohur. Situata të tilla të ngjashme mosbesimi mund të gjenden pa problem edhe në shumë fusha e situata të tjera kudo nëpër Shqipëri dhe menjëherë lënë të mendohet se përshkrimi që i bën Fukuyama kësaj kategorie të shoqërisë është shumë i goditur.

Sipas Fukuyamës, shoqëritë që karakterizohen nga prania e një niveli të lartë besimi janë të afta që të formojnë organizata vullnetare dhe meritokratike, që kanë qëllime të gjera dhe janë efikase. Këto organizata, qofshin fitimprurëse ose jofitimprurëse, krijojnë një rrjet të dendur dhe efikas social, i cili është shumë i dobishëm për biznesin, tregtinë, komunikimin dhe zhvillimin e shoqërisë. Me besim nënkuptohet pritshmëria që kanë njerëzit se të tjerët do të sillen në mënyrë të rregullt, të ndershme, bashkëpunuese, duke u mbështetur te norma të përbashkëta. Falë besimit mundësohet edhe rritja e kapitalit social që ka të bëjë me aftësinë e njerëzve për të punuar së bashku për qëllime të përbashkëta në kushtet kur në komunitet janë në nivel të lartë virtyte si ndershmëria, mirëbesimi e besnikëria. Në shoqëritë me besim të lartë, besimi shtrihet përtej familjes dhe kompanitë ndërtohen duke vendosur në pozicione njerëz që s’janë të familjes, duke mundësuar punën në skuadër të individëve që u përkasin kulturave apo tipareve të ndryshme. Falë nivelit të lartë të besimit, njerëzit janë më sipërmarrës sepse perceptojnë një risk të kufizuar, e kanë më të lehtë të komunikojnë duke pasur më pak kosto transaksioni dhe ajo që është më e rëndësishme, kultivohet institucionalizmi dhe respekti për ligjin.

Nga ana tjetër, shoqëritë me nivel të ulët besimi mbështeten te familja, fisi e klani për të ndërtuar rrjete apo veprimtari ekonomike, sociale dhe politike. Kuptohet që këto organizata fitimprurëse ose jofitimprurëse e kanë efikasitetin të kufizuar, përderisa farefisi që e përbën gjithsesi e ka të kufizuar numrin e individëve që kanë kapacitete apo talent menaxherial, shkencor apo kreativ. Pra duke i mbajtur burimet njerëzore të kushtëzuara dhe kufizuara nga fisi, klani apo krahina, shterimi i këtyre kapaciteteve është i pashmangshëm. Kështu që kësilloj organizatash e kanë të pamundur që të zgjerohen e përmirësohen përtej një caku.

Në shoqëritë me nivel të ulët besimi, njerëzit e kanë të vështirë që tu besojnë njerëzve jashtë familjes dhe klanit dhe zakonisht krijojnë biznese vetëm familjare. Ky është rasti tipik i Shqipërisë, ku ekonomia karakterizohet nga biznesi familjar edhe kur bëhet për kompanitë më të mëdha në vend. Një tjetër element tipik që vihet re në vendin tonë është se kompanitë ortake ose aksionere janë shumë jetëshkurtra, si pasojë e thyerjes së besimit ndërmjet partnerëve të sipërmarrjes. Elementi i besimit lidhet edhe me marrëdhënien që kanë shoqëritë me shtetin. Shoqëritë që kanë nivel të lartë besimi dhe shumë organizata vullnetare janë të afta të krijojnë vetë kompani të mëdha, pa pasur nevojë për ndërhyrjen e shtetit. Të tilla kompani shqiptare mungojnë tërësisht në ekonominë tonë, ku të vetmet kompani të mëdha të tilla janë të huaja. Shoqëritë që kanë lidhje të forta familjare, e kanë të vështirë të krijojnë korporata të mëdha profesionale dhe për rrjedhojë i hedhin sytë te shteti për të kryer këtë funksion ekonomik të rëndësishëm dhe për rrjedhojë nuk është i rastësishëm etatizmi i theksuar i shqiptarëve. Njerëzit e transferojnë gjithë shpresën dhe nevojat te shteti dhe ëndërrojnë një shtet të fortë dhe karriera si zyrtarë të lartë qeveritarë, ndërkohë që u vihet shumë rëndësi pazareve, korrupsionit dhe ndikimit nëpërmjet nepotizmit e jo ligjit.

Sipas Fukuyamës, besimi dhe virtyte të tjera kulturore ndërtohen shumë ngadalë e vështirë, por mund të shkatërrohen lehtë, sidomos si pasojë e ndërhyrjes së shtetit, duke nxjerrë në pah dëmin që i ka shkaktuar besimit dhe kapitalit social francez revolucioni dhe diktatura e Bonopartit. Menjëherë këtu mund të bëhet një paralelizëm me Shqipërinë, ku besimi dhe kapitali social janë shkatërruar si pasojë e pushtetit qendror të centralizuar në mënyrë të pakrahasueshme gjatë komunizmit. Siç ndodh me çdo fenomen njerëzor, një element i vetmuar si besimi nuk është i mjaftueshëm për të shpjeguar në mënyrë deterministe zhvillimet apo prognozat. Megjithatë ka shumë arsye për të besuar se besimi është me të vërtetë një faktor me peshë të madhe për një shoqëri jo vetëm që të mundësojë një ekonomi më efikase, por edhe që të mundësojë ndërtimin e institucioneve shtetërore cilësore, partive efikase politike dhe një respekt më të madh për ligjin. Për rrjedhojë, meremetimi i indit social shqiptar të dëmtuar, ripërtërimi i kapitalit social, duke rritur nivelin e ndërveprimit të ndershëm dhe solidaritetit ndërmjet qytetarëve, si dhe restaurimi i institucionit të besës, shndërrohen si prioritete për të siguruar një të ardhme më të ndritur për shoqërinë tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama