Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Në Strasburg nuk dinë shqip

Shkruar nga: Aurel Plasari  
Botuar më: 15 vite më parë

Aurel Plasari
Në Strasburg nuk dinë shqip

Ndërkombëtarët nuk dinë shqip. Edhe z. Mavlut çavushoglu, ngaqë nuk paskësh ditur shqip, e paskëshin “çinformuar”.
Ndërkombëtarët mbajnë vesh – pa e humbur ende durimin – fjalitë stereotipe të kryetarit të PS-së për “transparencë”,
për “të drejtën për transparencë”,deri edhe për nevojën që “Berisha t’i hapë rrugë transparencës...” etj., sepse në
Pallatin e Europës nuk kanë fatin të njohin gjuhën tonë dhe të informohen me shtampat ligjërimore me të cilat Kryetari
prej muajsh cyti turmat nëpër sheshe dhe bulevarde si gojëtar publik çështje informacioni, jo më shumë. Kemi ndonjë faj ne që nuk dimë mjaft gjëra dhe që duam, të gjithë, të jemi të informuar? Të informuar për çdo gjë, jo vetëm për projektin e Kryetarit në orvatje e sipër për të na qeverisur. Jo vetëm për të, përderisa jetojmë në një botë në të cilën kemi përshtypjen se oreçast ndodh diçka për të cilën nuk jemi të informuar. Dhe jemi me fat që në kohë intensiteti të madh, si kohët në të cilat jetojmë, ekziston një vlerë e vlerave që njeriu e ka ushqim të përditshëm: informacioni. Të dish diçka, qoftë edhe pasaktësisht, por të dish, është bërë gati-gati si drogë. Ndërsa të informohesh për çaprashitjet e Kryetarit të PS-së është tanimë një narkotik i vërtetë: media të shkruara, media televizuale, media elektronike, faqe web, – përfshi një faqe elektronike të PS-së, – një pafundësi mundësie për t’u informuar. “Transparencë”? “E drejtë për transparencë”? “Demokracinë transparente”? Ja t’ia vëmë veshin në gjuhën shqipe.

Kryetari i PS-së në Fier më 19 nëntor thirrje për t’u mbledhur në protestë në sheshin “Skënderbe” më datën 20 nëntor. Për çfarë? “Për t’i vënë vizën Sali Berishës...”. Për ata që nuk kanë kuptuar figurën gjithnjë Kryetari: “Për të pushuar nga puna Sali Berishën...”. Kryetari në Berat më 17 dhjetor në kuadrin e premtimeve për Vitit të Ri: “Ne do ta bëjmë 2010-n vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet...”. Kryetari për ndonjë që dyshon: “do të protestojmë për largimin e këtij pushteti”. Kryetari më 15 dhjetor në Durrës: “Sali Berisha e ka humbur të drejtën për të qeverisur”. Kryetari më 18 dhjetor në Elbasan në kuadrin e të njëjtave premtime për Vitin e Ri: “Ne do ta bëjmë 2010-n vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet”. Kryetari për kë nuk e ka të qartë: “do të protestojmë për largimin e këtij pushteti...”. Kryetari në Fier dhe në Vlorë më 19 dhjetor: “Opozita do ta bëjë 2010-n vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet”. Më 21 dhjetor Kryetari në Lezhë dhe në Shkodër: “deri në largimin e Sali Berishës nga detyra...”. Kryetari më 21 dhjetor në Tiranë: “do të protestojmë papushim për largimin e këtij pushteti...”. Kryetari edhe më personalisht për kryeministrin: “Deri në largimin e Sali Berishës nga detyra...”.
Ka dalë 2009-a dhe ka hyrë 2010-a dhe ja gjithnjë Kryetari i PS-së më 4 prill në Durrës: “Sali Berisha i grabiti votat më 28 qershor”. Për të bindur edhe të pabindurit po Kryetari: “Në 28 qershor vota juaj u grabit”. Ftesa për të ardhur “të gjithë” në Tiranë: “Për të larguar qeverinë”. Në Vlorë më 10 prill po Kryetari: “Të gjithë e kanë marrë vesh që Sali Berisha i vodhi zgjedhjet”. Kryetari jep “asikuracionin”: “Të bashkuar mund t’i japim fund këtij pushteti...”. Më 17 prill në Korçë po Kryetari: “Të gjithë e kanë marrë vesh që Sali Berisha i vodhi zgjedhjet”. (Refren që përsëritet ad nauseam, d.m.th. sa të vjen të pështjelltit.) Në Korçë: “Të bashkuar mund t’i japim fund këtij pushteti...”. Më 21 prill nuk është më “Sali Berisha” që i paskësh vjedhur zgjedhjet, por është “qeveria”: “Kjo është qeveria që të gjithë e kanë marrë vesh që i vodhi zgjedhjet”. Më 25 prill një sqarim i ri nga vetë Kryetari: pushtetin nuk e dashkësh Kryetari, pushtetin qeveria u dashkësh t’ua lëshuaka “qytetarëve”. Pak ditë më vonë Kryetari është “pa qejf” dhe e zëvendëson njëri nga dytësit e tij: “3 ditë nga sot, në 30 prill, në bulevardin e Tiranës, u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen protestës sonë deri në largimin e kësaj qeverie...”.

Sikurse shihet, Kryetari i PS-së nuk ka as ç’numëron, as ç’rinumëron dhe “kutia” mbetet një fjalë boshe. çështja rezulton pushtet, ose qeverisje, ose prapë pushtet, ose prapë qeverisje, mandej prapë pushtet dhe kështu me radhë: ky është thelbi nëse gojëtarisë publike ia zhvoshkim mbushjet. Të tjerat? Janë mbushje fjalimore të një stili të cilin, ata që nuk janë krejt pa informim, e referojnë lehtë te Goebbelsi. Fjala vjen nga gjithëdijshmëria e gojëtarit publik: “110 mijë nëpunës e nëpunëse të këtij shteti, që s’do të blejnë asgjë për vitin e Ri...” (Elbasan, 18 dhjetor 2009). Asgjë? Përnjëmend asgjë? Po fare-fare? Fare: sepse Goebbelsi i Kryetarit ua di nëpunësve të shtetit edhe birat e xhepave. Në fund montohen disa artefakte emocionale të llojit hartim për detyrë shtëpie: “Tirana për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, nën renë e një krize ekonomike që fryhet përditë mbi kokat e banorëve të kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë. Në sot protestojmë sepse Tirana dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të festojnë. Në këtë shesh sonte nuk jemi vetëm ne. Këtu pranë jetojnë në qiellin e mbytur të këtij fundviti e në të ftohtë të përndjekur të regjimit komunist që kanë 27 vjet burg mbi shpijë...” (Tiranë, 21 dhjetor 2009). Vini re: Goebbelsi e ka fjalën ngaherë për “gjithë Shqipërinë”, si njëherë motit për “gjithë Gjermaninë”. “Të gjithë” jemi brenda: “të gjithë” duhet të mobilizohemi nën thirrjet e Kryetarit, ata që kanë votuar PS-së po e po, por edhe ata që nuk e kanë votuar, deri edhe ata që kanë votuar çiltas për PD-në. Pushteti i Kryetarit qenkësh çështje për “gjithë Shqipërinë”. Nuk po llogaris në gojën e gojëtarit publik invektivat ku shfaqet talenti goebbelsian deri për bejte: “S’janë më hajdutë e kusarë as rulët e xhuvelët, imamët e neritanët, qyshse janë bërë çingijet e oborrit që i bëjnë këngë ahengu për popullit shpifjet e Saliut...” (16 dhjetor 2009). Cilido absolvent i mirë filologjie do të mund ta dallonte lehtë tekstin goebbelsian që përpunon psikologjikisht turmat në Shqipëri – ta zëmë më mirë në “gjithë Shqipërinë” – me një agjit-prop të tillë, qoftë edhe vetëm prej të metave morfologjike dhe/ose sintaksore të fjalive që ndërton.
Këtë të bën informacioni: i lehtë në vetvete, ai ka fuqinë për të ushtruar tirani të jashtëzakonshme mbi njeriun bashkëkohor. Jo më kot bota moderne e quan kështu: me prejardhje fisnike, me emër të madh, nga lat. informacio.
Vetëm se, si çdo gjë e kësaj bote, edhe informacioni vetë ka ardhur duke u bjerrë, duke u zvetënuar. Duke u degjeneruar, në e daçim në gjuhët e Strasburgut. Ne njerëzit e sotëm as që e vëmë re se sa trajta jete, sa nocione, sa fjalë degjenerohen, automatizohen. Thuhet se jeta gjuhësore është pasurim. Por në disa vështrime ajo është edhe e kundërta: varfërim, humbje, pakësim. “I zbrazim sendet nga kuptimi që të lëvizim me lehtë nëpër to”, pohonte Viktor Shklovski. “Shkelim mbi varre fjalësh si nëpër varreza të vërteta”, ia priste Roman Jakobsoni nga “Qarku i Pragës”. Mirëpo gjërat e vdekura zgjohen kur e kur dhe atëherë na zë frika prej gjithë sa kemi lënë të vdesë në mënyrë që të jemi ne të lirë të jetojmë.
Them se dukuria ka në vetvete një shkak mitik. E dimë prej mitologjisë se si mbijetojnë në ndërgjegjen e njeriut bashkëkohor mitet origjinare që e kanë humbur pothuajse tërësisht kuptimin. Shembull: së paku qysh prej Antikitetit njeriu ka ëndërruar dhe kërkuar një “ishull të lumturisë”, siç e quanin, njëfarë parajse tokësore ku njeriu të jetë i çliruar prej gjithë sa i duket mjerane në jetën e vet të zakonshme. Ka hequr dorë sot nga ky mendim? Jo. Vetëm se e ka degraduar. Njeriu modern lakmon “kroçiera”, kërkon pushime ideale: një breg të largët deti, jo më Palma de Maljorca, ishuj sa më të rrallë, tanimë edhe më të parrahur nga Barbadosi e nga Karaibet, nga ishujt Bahamas e më the të thashë. ëndërron pra, edhe sot e gjithë ditën, një strehim të lumë, pa e menduar që dëshira e tij e zë fillin te një ëndërr e qartë, e mirorganizuar, me kuptim gati fetar, pikërisht tek ajo e “ishullit të lumturisë”, në kërkim të të cilit janë nisur sa e sa lundërtarë – po aq edhe romancierë – duke i çuar përpara njohuritë e njerëzimit, por pa e çuar kushedi se ku vetë lumturinë. Kujtova modelin e ëndrrës me “ishull të lumturisë”, për të mos provokuar me atë të ëndrrës me “kullë të pushtetit”. Kështu bjerren edhe fjalët. Kanë, në fillim, një pasuri, një plotëri, që na shërben për të shpalosur palë-palë jetën tonë shpirtërore. Mandej i shqiptojnë vetëm buzët, sidomos në rastin e gojëve publike. I shqiptojnë automatikisht: në Fier, në Korçë, në Elbasan, në Vlorë, në Lezhë, në Shkodër, në Tiranë, dhe ato thithen prej mikrofonave, zmadhohen prej amplifikatorëve, përhapen prej altoparlantëve.
E keni menduar ndonjëherë se nga, vallë, vjen kjo fjalë e rëndomtë, e aplikueshme pothuajse në çdo gjë: in-form-oj? Ndryn në vetvete idenë e formës. Dhe ja se ku e ndiejmë që merr peshë. Jo çdo gjë mund të informojë. Të informon ajo që ka një formë, ajo që mund të të kalojë formën e vet dhe mund të zërë vend te ti nëpërmjet formës. Të informosh donte me thënë dikur të japësh formë, të modelosh, të trupëzosh: sot fjala duket sikur nuk ka më asgjë prej kësaj.
Mirëpo, kur dëgjon shtampa ligjërimore si ato të sipërmet, të lëshuara përmes mikrofonash, të zmadhuara prej amplifikatorësh dhe të përhapura prej altoparlantësh, njeriu pyet veten a mos vallë vjen një ditë dhe fjala informacion, e zbrazur kësisoj nga kuptimi, mund të hakmerret për mënyrën si e përdorim. Nuk e keni pasur ndonjëherë këtë frikë? I përdorim këto fjalë si lëndë eksplozive, me të cilën jemi mësuar të ecim e madje të bredhim në “gjithë Shqipërinë”: Tiranë, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan, Korçë, Fier etj. Por, po si një eksploziv që bëhet i rrezikshëm nëpërmjet shpërbërjes, një fjalë mund të shpërbëhet një ditë prej ditësh dhe ja: të gjejë përsëri kuptimet e veta fillestare. Atëherë qetësinë në të cilën jeton e merr lumi. Ju paralajmëroj për këtë rrezik: përdorimin shumë të shpeshtë, madje të tepruar deri në shpërdorim, të veprimit “informacion”.
Dhe lejomëni, meqë paralajmërova, të dëftoj të gjithë rrezikun që fshihet në të.
Koncepti informim, pra, përmban në vetvete atë të formës. Por ç’kuptim ka forma, kujt i kundërvihet? Materies: e kemi mësuar qysh në shkollat e mesme. Formë dhe materie janë dy nocione me të cilat luajmë pa e ditur. Të informosh d.m.th. në latinishte t’i japësh formë një materieje. Ekziston pra një materie që mund të marrë forma të ndryshme, pothuajse çdo formë, pra një materie e pacaktuar. Kurse forma qenkësh diçka e caktuar, që vjen dhe përcakton materien, i jep asaj një kontur, e nxjerr nga anonimati. Jepi formë një materieje çfarëdo, informoje, dhe e ke bërë diçka të ekzistojë. Me pak fjalë ju parashtrova – ndoshta pa e ditur as ju – teorinë e famshme të Aristotelit. Kuptimi i thellë i informimit lidhet, në ndërgjegjen europiane, me perspektivën filozofike të Aristotelit.
Por të mos na trembë emri i tij: shikoni sa e thjeshtë është teoria në vetvete dhe sa e ndërlikuar ngjan kur e vendosim nën emrin e Aristotelit. ç’thotë ajo? Thotë se ekzistojnë forma, që janë diçka e caktuar, dhe materie, që nuk është asgjë e caktuar, por mund të jetë diçka, mund të aktualizohet, duke qenë se është vetëm virtuale. Ndryshe: materia e përcaktuar është materie së cilës i kemi dhënë formë, ajo është informuar, . Ishte aty, pa formë, dhe nuk konceptohej prej nesh; konceptohet prej nesh si materie në çastin kur fiton formë të re: ky quhet edhe “paradoksi ontologjik”. Ndaj edhe koncepti materie na ka dhënë si të përkundërt konceptin formë (Fizika, II, 193 b). Neoaristotelikët madje e zbatonin këtë teori edhe mbi martesën: martesa qenkësh njëfarë informimi, duke qenë burri diçka e caktuar në shoqëri, pra formë, që ia kalon formën e vet gruas, e cila qenkësh materie e pacaktuar: le të mos u mbetet hatri grave me neoaristotelikët gjithë fantazi.
Befasia jonë sot është kur shohim se si prej këtij kuptimi të thellë, të japësh formë, termi ka marrë atë kuptim që ka sot: të njoftosh, të japësh një kumt, të lajmosh. E tillë është jeta e fjalëve Kush mund ta përfytyrojë që e njëjta fjalë, formë, do të jepte mes të tjerash në frëngjishte fjalën dikur formage dhe sot fromage, d.m.th. djathë?! Që gjella e sotme e shqipes dikur kishte kuptimin jetë, si edhe folja e vjetër gjëlloj, e kemi nxënë edhe nga “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër” e Jul Varibobës, që do me thënë pikërisht “Jeta e Shën Mërisë...”. Gjella e njëhershme erdhi duke u zëvendësuar me fjalën jetë, përftuar nga folja të jesësh ose të jetësh (të mbesësh ose të mbetësh = angl. to remain). Mund ta rilexojmë jo vetëm te vargu i moçëm kutelian “Dhe veç një mall m’u jes...”. Folëm që folëm për bejte, edhe Nezimi kështu e përdorte: “Kush ka ymyz që të jesë,/ tek s’e bënë pejgamberët...?” Folja të jesësh/të jetësh, pra, erdhi e u përftua në mendjen e shqiptarit nga ideja e të mbeturit, kur të shumët kanë ikur – me ç’mund të përfytyrohet – derisa u imponua fjala jetë, kurse gjella i mbeti “gjellës” së sotme që mban “gjallë” njeriun.
Do të thoni që nuk kemi ç’bëjmë: këto janë ligjet e gjuhëve. Afërmendsh që nuk kemi ç’bëjmë, kështu e ka kjo zallëme që e quajmë gjuhë. Vetëm se – dhe pikërisht këtë doja të dëftoja – fjalët mund të hakmerren. E le që t’u degradohet kuptimi? Mirëpo ato dinw nganjëherë ta rifitojnë kuptimin vetë dhe të ta imponojnë. Pandehni se termi ynë informacion nuk e merr kurrë më kuptimin e formës? Pandehni se informojmë njëri-tjetrin pa i dhënë njëri-tjetrit formën tonë, pa paguar, pa vuar? Ja ta përfytyrojmë Kryetarin e PS-së, një nga këto ditë, seç e ka kapluar një valë trishtimi dhe nuk e di se ç’ka: edhe lidhet me Strasburgun, edhe s’lidhet me të. (“Trishtim” një fjalë goje, shkencërisht le ta quajmë “krizë metafizike”.) Edhe më të trishta duken turmat milituese që ai i pati cytur me fjalimet e tij këtu e disa muaj rresht. Të trishta edhe ato dhe nuk e dinë se nga e kanë: nuk është e lehtë për to të kthejnë drejt një jete normale sociale e njëherësh politike. Kryetari i kishte informuar, u kishte dhënë informacion, madje ua kishte përsëritur, ripërsëritur, stërpërsëritur informimin: “Ne do ta bëjmë 2010-n vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet...”, “Opozita do ta bëjë 2010-n vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet”, “Kjo është qeveria që të gjithë e kanë marrë vesh që i vodhi zgjedhjet”, “Sali Berisha i grabiti votat më 28 qershor”, “Të gjithë e kanë marrë vesh që Sali Berisha i vodhi zgjedhjet”, “Në 28 qershor vota juaj u grabit”, “Sali Berisha e ka humbur të drejtën për të qeverisur”, “do të protestojmë për largimin e këtij pushteti”, “do të protestojmë papushim për largimin e këtij pushteti...”, “deri në largimin e Sali Berishës nga detyra...”, “Për t’i vënë vizën Sali Berishës...”, “Për të pushuar nga puna Sali Berishën...”, “Për të larguar qeverinë”, “Të bashkuar mund t’i japim fund këtij pushteti...”, “në 30 prill, në bulevardin e Tiranës, u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen protestës sonë deri në largimin e kësaj qeverie...”.
Kur jetonim nën diktaturë, pra jo në demokraci, këtë situatë e kisha lexuar tek amerikani John dos Passos pa e kuptuar sak: në një regjim demokratik, si ai amerikan, ku shtypi ishte i lirë (tani te ne shto edhe mediat elektronike), informacioni qarkulluakësh lirshëm, u thuakësh çdo gjë, u njoftuakësh çdo gjë, dhe njeriu i gjorë nuk ditkësh nga t’ia mbajë, njeriun e pushtuakësh njëfarë pasigurie, njëfarë çekuilibri i brendshëm. Tani ja ku e përjetojmë vetë këtë situatë që dikur e njihnim nga të lexuarit: situatë informimi nga të gjitha anët. Dhe, ngaqë jetojmë mes një informacioni që nuk ka aftësinë të na kalojë plotësisht një formë të vetme, të na informojë njëherë e mirë, ai hakmerret duke na deformuar. Ideja e formës ka mbijetuar dhe, përderisa nuk e pranojmë ashtu siç është, nuk na lë as ajo siç jemi: na deformon. Ky është rrengu.
Përse i analizoj këto? Ndoshta për t’ju sugjeruar diçka, për t’ju propozuar diçka: mos u informoni me të tepërt! Sidomos nga gojëtaria publike dhe mediat që kanë mision t’ju bombardojnë – ato mëtojnë se po ju informojnë – me të. Mos u informoni me të tepërt sepse rrezikoni të merrni prej formës më shumë nga sa mban një jetë e mirekuilibruar njeriu. Forma mbijeton edhe në termin tonë të degraduar, të sotëm, informacion: ju siguroj për këtë. Jetojmë mes formash dhe i kalojmë njëri-tjetrit forma, kështu informohemi, pra formohemi pareshtur. Gjithë jeta jonë është shkëmbim, huazim, ndërdepërtim formash. (Ja: Fatos Lubonja më ofron shkrimin e tij “Berisha, Rama dhe ne” (2010), i shqetësuar për çështje njëanshmërie, kurse unë ia kthej duke zgjedhur ndonjë shkrim prej dorës sime, ku kam numëruar edhe çfarë nuk më ka pëlqyer nga bihevjuri politik i Berishës: “Këmisha e kuqe nën këmishën e zezë” (18 dhjetor 2005), “Tre ish-komunistë në Shën Pjetër” (2 prill 2006) etj.) Disa forma që na ofrohen mundemi t’i bëjmë tonat. Të tjerat jo. Disa na formojnë me të vërtetë, të tjerat mund të na deformojnë. Madje të na deformojë keq. E përmenda vërtet z. Paul Joseph Goebbels të historisë, por nuk dua të kujtoj si vetëpërfundoi ai dhe si përfunduan trutë e tij agjit-propagandistikë. Rasti i Kryetarit të PS-së është fatlum. Në Pallatin e Europës nuk janë aspak të informuar me shtampat ligjërimore me të cilat Kryetari prej muajsh i cyti turmat nëpër sheshe dhe bulevarde si gojëtar publik: ata dëgjojnë prej tij vetëm slogane fjalështruara me “transparencë”, “të drejtë për transparencë”, madje “demokraci transparente”. Sepse në Strasburg nuk dinë shqip.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama