Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Filozofia e reformës në sistemin e drejtësisë

Shkruar nga: Ilir Rusmaili  
Botuar më: 18 vite më parë

Ilir Rusmaili
Filozofia e reformës në sistemin e drejtësisë

Këto nuk janë konstatime që i bëjmë vetëm ne, por i bëjnë të gjithë strukturat, organizmat dhe organizatat e asistencës dhe monitorimit të Shqipërisë dhe ky është një realitet që ne sot e prekim dhe e konstatojmë. Tek ky fakt unë do të ndalem, pasi jo shumë vite më parë, tendenca e përgjithshme në Shqipëri ka qenë që proceset e reformimit në sistemin e drejtësisë të konsideroheshin si procese evolutive dhe kryefjalë kanë pasur rritjen e profesionalizmit të funksionarëve të drejtësisë. Nëpërmjet rritjes së profesionalizmit do të vinte zhvillimi, nëpërmjet rritjes së profesionalizmit do të luftohej korrupsioni, nëpërmjet rritjes së profesionalizmit do të vinte kualiteti i ri i drejtësisë, i krahasueshëm me kualitetin evropian të drejtësisë.

Për vite me radhë, për fat te keq, kjo filozofi ka shërbyer si lustër për sistemin, mirëpo lustra, vërtet e bën sistemin të duket më i shkëlqyer dhe më të pëlqyeshëm se ç'është në realitet, duke u bërë një shtresë mbrojtëse për të gjithë fenomenet negative të sistemit, duke i konservuar ato dhe duke bërë që këto fenomene të mos goditen, por të zhvillohen. Kjo, në vetëdijen e mbarë faktorit politik shqiptar sot, ka qenë një nga difektet më të mëdha të proceseve të mëparshme te zhvillimit, difekt që sot duhet korrigjuar.

Kjo do të thotë që filozofia që ne prezantojmë për reformën në drejtësi është filozofia e trajtimit me ndershmëri dhe sinqeritet e problemeve në drejtësi. Duke njohur me ndershmëri dhe duke pranuar me sinqeritet realitetin, ne kemi mundësi që ta modifikojmë atë shpejt dhe ta shërojmë menjëherë sistemin.

Jo shumë vjet më parë, një nga kolegët e mi, eksponent i sistemit, në një deklaratë të vetën publike thoshte se drejtësia nuk është as më pak e as më shumë e korruptuar sesa shoqëria shqiptare dhe se ajo është pasqyrë e shoqërisë, që nuk mund të shërohet përpara se të shërohet shoqëria.

Unë besoj se ky është një qëndrim i gabuar, pasi besoj se vetedija e të gjithëve është se drejtësia nuk mund të shihet si pasqyrë e sistemit. Drejtësia është avangardë e sistemit dhe kusht pa të cilin sistemi nuk funksionon dot. Nëqoftëse ne sot kërkojmë të integrohemi, qytetarëve tanë dhe qytetarëve të Europës, duhet t'u ofrojmë nivelin europian të drejtësisë, përndryshe ne nuk do të jemi të denjë dhe të aftë per t'u integruar. Kjo do të thotë që në procesin tonë të reformave, reforma në drejtësi duhet të jetë prioritare. Besoj, se kam të drejtë të shpall se momenti që po kalojmë është momenti i artë për reformën në fushën e drejtësisë, është momenti kur era fryn në favor të reformës.

Së pari, kemi vetëdijen më të qartë të të gjithë spektrit politik shqiptar se drejtësia ka nevojë për reforma, se institucionet duhen riparë, duhen ristudiuar, ndoshta duhen ribërë, se grehina kushtetuese ndoshta duhet rivizituar, duhet përmirësuar, se sistemi ka nevojë për kolaudim të ri pas 16 vjetëve eksperiencë.

Së dyti, në këtë fushë kemi një mbështetje të pakufishme të të gjithë grupeve te asistencës për Shqipërinë, Komisionit Europian, Këshillit të Evropës, të strukturave të specializuara të SHBA, të cilat janë të fokusuara, më shumë se kurrë në reformen në drejtësi. Falë tyre dhe përpjekjeve të ekspertëve shqiptarë të fushës, sot, konceptet e reformës janë më të qarta se kurrë. Dokumenti i Stategjisë për Zhvillim dhe Integrim i parashtron ato në vija të përgjithshme, por detajet për secilën fjali të përmendur janë në zyrat e ekspertëve shqiptarë të së drejtës, janë në zyrat e asistentëve tanë të huaj. Duhet që vetëm ne të gjejmë mirëkuptimin, konsensusin për t'i shndërruar këto koncepte të reformës në ligje dhe pastaj t'i zbatojmë ato.

Së treti, por jo i fundit për nga rëndësia, kemi angazhimin publik të Presidentit të Republikës për të ndihmuar dhe për të shtyrë përpara procesin. Publikisht, në të gjitha deklarimet e tij, Presidenti ka thënë se duhet të çojmë përpara reformën në drejtësi. Ajo është kalë beteje i Presidentit, është kalë beteje i Parlamentit, është kalë beteje i forcave politike shqiptare.

Atëherë, pse të mos kemi sukses, kur të gjithë përbërësit e suksesit janë aty? Unë jam i sigurtë se do të kemi sukses, pasi kemi vullnetin e shprehur, të qartë politik të të gjithë faktorëve kryesorë të vendit dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë. Nga ana tjetër kemi gatishmërinë e qeverisë për të mbështetur procesin, për aq sa ajo mund ta mbështesë procesin. Qeveria e ka treguar vullnetin e vet duke rritur fondet buxhetore në shërbim të kësaj reforme, duke rritur fondet buxhetore në shërbim të sistemit, duke rritur fondet buxhetore në shërbim të rritjes së cilësisë së dhënies së drejtësisë.

Sigurisht, që procesi është vullnet politik, është kompromis dhe nuk është vullnet mazhorance. Ai duhet të jetë kompromis, sepse duhet të jetë jetëgjatë dhe nuk duhet të përfaqësojë interesin, vizionin politik të një grupi forcash politike që janë në qeveri.

Ministria e Drejtësisë është përpjekur gjatë gjithë kësaj periudhe të riorganizohet në funksion të këtij procesi reformash. Stafet e saj kanë punuar për përgatitjen dhe rikonceptimin e organizimit dhe funksionimit të institucioneve kyçe, që i japin fizionominë sistemit të drejtësisë mbi parimin modern të funksionimit te sistemit të drejtësisë, rritje e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, nëpërmjet rritjes së përgjegjshmërisë së tij. Një sistem i pavarur dhe i papërgjegjshëm është armik i vetë sistemit. Nëse u japim besimin njerëzve që ushtrojnë drejtësinë, duhet të kemi besimin se ata e ushtrojnë me përgjegjshmëri atë, përndryshe sistemi korruptohet, bëhet abuziv, bëhet arbitrar. Këtë filozofi të Komisionit Evropian e ka shprehur së fundmi edhe Komisioneri Evropian për Drejtësinë dhe Sigurinë, Franco Frattini, rritje e pavarësisë nëpërmjet rritjes së përgjegjshmërisë.

Personalisht, kam një përvojë diskrete në raport me funksionimin e organeve, sepse kam një kohë të shkurtër brenda sistemit, por nuk e kam pasur të vështirë të konstatoj se në një numër shumë të rëndësishëm çështjesh, në një numër jo të vogël rastesh, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka funksionuar si një strukturë klienteliste, si strukturë shokësh, si strukturë familjariteti të sëmurë, si strukturë favoresh për individë të caktuar dhe kjo është e dëmshme, është shumë e rëndë për sistemin dhe për organin vetë, sepse KLD-ja është aty si strukturë që duhet të zbatojë ligjin, si strukturë që e mban të pastër sistemin, si strukturë që lufton pa kompromis korrupsionin, si strukturë që zhvillon drejtësinë. Kjo që po them nuk është sekret, pasi është deklaruar në shumë raste sesi, duke u nisur nga individi që ka objekt shqyrtimi, KLD-ja gjykon në çështje të caktuara,. Kjo nuk duhet të funksionojë kështu, por mbi bazë parimesh, llogaridhënieje dhe përgjegjshmërie. Për këtë arsye, ne kërkojmë rritjen e përgjegjshmërisë, luftën e fenomenit negativ të familjaritetit dhe miqësisë në ushtrimin e funksioneve, dhe përshtatjen e garancive të nevojshme ligjore që fenomene të tilla korruptive të mos shfaqen dot. Kjo kërkon që ne të rishohim edhe njëherë parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, mënyrën sesi ne i kemi organizuar ato, dhe pse jo, mënyrën sesi ne duhet ta ndreqim atë.

Ku është përgjegjshmëria politike për nivelin e drejtësisë në Shqipëri? Rëndom thuhet se kjo përgjegjshmëri politike i takon Parlamentit, por, nëse Parlamenti nuk ka instrumente për ta ushtruar atë, dhe këtu po sjell për ilustrime jo për polemikë rastin e Prokurorit të Përgjithshëm, nëse Parlamenti konstaton mungesë të zbatimit të ligjit në të drejtën penale, nëse Parlamenti konstaton marrëdhënie miqësore me krimin në Shqipëri, indulgjencë ndaj krimit dhe nuk ka instrumente për të vepruar, a mund t'i themi Parlamentit se është fajtor apo deputetëve kur shkojnë për të kërkuar votën se janë fajtorë për këtë gjendje? Jo, nuk mund t'u themi! Sepse, në qoftë se u lëmë përgjegjësinë politike atyre, ne duhet t'u japim edhe instrumentet në dorë për ta ushtruar atë. Nëse ne e bëjmë KLD-në gardian të pavarësisë së gjyqësorit, ne duhet t'i kërkojmë KLD-së edhe llogari për sëmundjet e sistemit dhe për sëmundjet e gjyqësorit, për mënyrën sesi ruan pavarësinë, por edhe për mënyrën sesi ruan cilësinë e drejtësisë.

Sigurisht, forma sesi duhet ta bëjmë këtë gjë janë të larmishme dhe interesi i Ministrisë së Drejtësisë është që diskutimi për këto çështje të jetë i hapur, me pjesëmarrjen aktive të të gjithë faktorëve të interesuar për fushën, faktorit politik dhe të njerëzve të sistemit gjyqësor.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama