Javës së kaluar, Gjykata Kushtetuese e diskreditoi Kodin Zgjedhor, duke shpallur se nene të ndryshme të Kodit shkelnin Kushtetutën. Në këtë vendim të marrë, të bërë pas padisë së paraqitur prej u shfuqizuan nenet 68 dhe 71 të Kodit, sepse shkonin ndesh me nenet 17 dhe 18 të Kushtetutës duke cenuar barazinë para ligjit dhe duke diskriminuar në mënyrë të qartë partitë e reja ose ato të vogla. Ky vendim njollos jo vetëm shumicën, por e ngarkon me faj edhe Partinë Socialiste, që ishte nismëtare, duke ngritur pikëpyetjen nëse është apo jo kjo opozita më e mirë për popullin tonë.
Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje pas një ankimimi të Partisë së Bashkimit Popullor të Pensionistëve Shqiptarë, e cila e konsideronte diskriminues nenin nr. 71 të Kodit Zgjedhor, i cili e kufizon hyrjen e kësaj partie në garën elektorale, për shkak të pamundësisë financiare për të përballuar deklaratat noteriale të 15 mijë mbështetësve të saj. Sipas saj, për krijimin e një partie politike kërkohen 300 firma që ajo të regjistrohet në gjykatë, ndërsa për të hyrë në garën elektorale, ajo duhet të paraqesë 15 mijë firma të noterizuara, vlera e të cilave arrin shifrën e 150 milionë lekëve të vjetra. Ky vendim e dëshmoi qartë frymën antikushtetuese që përshkonte të gjithë Kodin. Edhe nenet 162 dhe 163 të këtij Kodi e cenojnë qartazi parimin e barazisë dhe padyshim nëse një parti do t’i kishte çuar këto nene në Gjykatën Kushtetuese, do të ishte arritur i njëjti rezultat.
Tanimë është e provuar se sistemi i ri zgjedhor i vendosur dhe Kodi Zgjedhor dëmtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë partitë e treta ekzistuese, ose që mund të dalin në të ardhmen, të cilat nuk bëhen aleate në koalicionet kryesore duke garanton supremacinë e dy partive politike kryesore shqiptare dhe satelitëve të tyre dhe duke eliminuar disidencën dhe pluralizmin.
Në këtë kod, në mënyrë të vetëdijshme janë nëpërkëmbur të drejtat e individit dhe partive të vogla të pavarura, në favor të partive të mëdha dhe satelitëve të tyre, ndërkohë që konstitucionalizmi në vetvete nënkupton sigurimin e të drejtave të individit dhe pakicave ndërkohë e jo të më të mëdhenjve apo të më të pushtetshmëve.
Sikurse e tregoi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet këtij sistemi zgjedhor partitë e reja, të sapodala ose në potencial për t’u krijuar, ballafaqohen me një kosto jashtëzakonisht të lartë për të hyrë në lojë elektorale, duke i lënë dy partitë kryesore pa rivale dhe duke e çimentuar oligarkinë duopoliste shqiptare. Mirëpo kjo gjë dëmton në mënyrë të skajshme edhe frymën e debatit dhe diversitetin brenda partive, duke i shndërruar liderët në tiranë. Kjo, pasi nga njëra anë gara bëhej vetëm me siglën e partisë duke i nxjerrë personalitetet dhe individët e shquar jashtë loje dhe, nga ana tjetër, grupime të të pakënaqurve ose të mendimeve alternative të dy partive, pasi ato nuk mund ta kërcënojnë lidershipin me skizmë. Nëse ata do të largoheshin nga partia dhe do të shkëputnin një copë të partisë do e kishin të vështirë që të futeshin në Parlament me sistemin dhe Kodin Zgjedhor që kemi.
Deri tani, lideri i opozitës ka shmangur komentimin e reformës zgjedhore duke lënë të kuptohet se s’ka ndonjë lidhje midis sistemit dhe cilësisë së zgjedhjeve dhe duke dëshmuar se ai nuk ka kurrfarë brerje ndërgjegje apo pishmanllëk nga kjo reformë, edhe pse kalbësinë e reformës tanimë e ka certifikuar edhe Gjykata Kushtetuese. Kjo dëshmon se atij i leverdis një sistem zgjedhor, ku eliminohen partitë rivale opozitare ekzistuese ose potenciale, ku i qepet goja disidencës së brendshme të partisë, ku përjetësohet fuqia e dy partive-shtet dhe qytetarët të katandisen në një situatë ku iu ngelet të zgjedhin vetëm midis Skilës dhe Karibdit. Pra jo për pluralizëm, por për duopolizëm, vetëm një hap larg monizmit. Ky qëllim i liderit të opozitës u konfirmua edhe gjatë fushatës, e cila u bë pa program apo platformë zgjedhore alternative, por thjesht nihiliste duke nxirë qeverinë e duke u përkthyer në sytë e publikut si “na votoni ne se këta janë të këqij” pa dhënë ndonjë shpjegim pse opozita është më e mirë. Pothuaj gjysma e qytetarëve me të drejtë vote e gjendur para kësaj alternative, preferoi të mos votonte fare dhe lideri i opozitës mban përgjegjësi historike se përse nuk arriti që të kapitalizonte pakënaqësinë e madhe që është ndërtuar kundër qeverisë ekzistuese.
Së pari, njëherë ky sistem i ri zgjedhor, përveçse është i pandershëm dhe u votua në mënyrë të turpshme, është drejtpërdrejt një ndër shkaktarët kryesorë të krizës aktuale politike, e cila lidhet me kontestimin e zgjedhjeve. Mund të parashikohej lehtë që proporcionali rajonal dhe kodi i posaçëm që e shoqëroi, do të sillte një rezultat zgjedhor shumë delikat, ku dy partitë do dilnin kokë më kokë dhe fitimtari do të kishte një avantazh shumë të zbehtë përkundrejt kundërshtarit. Kuzhinierët e reformës e dinin këtë gjë, prandaj eliminuan mocionin e mosbesimit në këmbim të mocionit të zëvendësimit, duke bërë që një Kryeministër të mund të qeveriste edhe me një shumicë të brishtë prej 71 deputetësh. Po ashtu dihej që vështirë se Shqipëria mund të sigurojë sot proces zgjedhor të përsosur, kështu që parregullsitë e identifikuara kombinuar me diferencën minimale mes partive do ti jepnin shkas secilit humbës për të pretenduar se parregullsitë kanë përmbysur rezultatin. Pra për sa kohë të kemi këtë sistem elektoral, do të kemi një diferencë shumë të zbehtë mes dy partive kryesore dhe për rrjedhojë do të ketë boll arsye për të mos e njohur procesin zgjedhor në tërësi, duke pretenduar se rezultati final është ndryshuar si pasojë e parregullsive. Po të kishim pasur sistemin e mëparshëm zgjedhor, shpërndarja e mandateve do ishte bërë ndryshe dhe tanimë ne do të kishim një rezultat të qartë me një diferencë të theksuar midis fitimtarit e humbësit dhe nuk do kishim një Parlament disfunksional që kemi parë vitin e kaluar.
Së dyti, Kodi cenon një ndër tre kriteret kryesore të Kopenhagenit, që duhen përmbushur për të mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE, atë të sundimit të ligjit. Kjo, pasi administrimi i zgjedhjeve është lënë në dorë të forcës së militantëve, e jo në garancinë e shtetit ligjor. Administrimi prej palëve të interesuara për të vjedhur në mënyrë të pashmangshme solli parregullsi dhe tension të rrezikshëm sikurse u pa në Fier. Pra, për sa kohë menaxhimi i zgjedhjeve u la sërish në dorë të militantëve të partive, nuk kishte sesi mos të pritej që këta militantë të fusnin duart dhe të shtrembëronin procesin zgjedhor sikurse kishin bërë vazhdimisht. Pra këto parregullsi ishin të parashikueshme dhe do të qenë të evitueshme nëse reforma zgjedhore do të ishte bërë në mënyrë të ndershme.
Së treti, sistemi zgjedhor është shkaktar i tërthortë i krizës dhe dështimit të gjithë opozitës, sepse ia arriti qëllimit malinj të shkatërrimit të LSI-së, duke eliminuar shpresën që PS-ja të përdorte mandatet e Metës si gomone shpëtimi në një kohë të dytë. Po ashtu, konsolidoi partinë në pushtet dhe shkatërroi njëherë e mirë çdo lloj mundësie për të ndërtuar një parti alternative të djathtë, duke i kushtëzuar votuesit e djathtë ose që të votonin për PD-në ose që të abstenonin.
Por elementi më indinjues në këtë situatë nuk është thjesht as lidhja e sistemit zgjedhor me krizën dhe as fakti që mazhoranca ka miratuar një sistem dhe kod zgjedhor që cenon Kushtetutën dhe shkakton oligarkinë. Fatkeqësisht tanimë në Shqipëri është bërë traditë shkelja e Kushtetutës nga mazhoranca me kësilloj nismash e reformash dhe revoltimi ka rënë vetëm në vesh të shurdhër. Elementi më indinjues është fakti që kjo reformë zgjedhore antikushtetuese ka pasur si arkitekt e nismëtare në fakt liderin e opozitës. Normalisht qortimi i opozitës mund të tingëllojë si një servilizëm ndaj shumicës, por në rastin e reformës antikushtetuese zgjedhore opozita është bashkëfajtore e plotë dhe meriton të denoncohet për qëllimet e mbrapshta antikushtetuese, antidemokratike dhe antipluraliste që ka pasur kur ka propozuar e mandej miratuar këtë Kod Zgjedhor.