Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Beteja e humbur e Presidencës

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 15 vite më parë

Blendi Kajsiu
Beteja e humbur e Presidencës

Refuzimi sistematik që Kuvendi u bën kandidaturave të propozuara nga Presidenti i Republikës, për në Gjykatën e Lartë, është pjesë e betejës për kontrollin e instancave të larta të gjyqësorit. Natyrisht kjo betejë shpesh nga ana e shumicës serviret si kontroll parlamentar nëpërmjet  seancave dëgjimore. Ama e vetmja gjë që dëgjon në këto seanca është refuzimi sistematik i kandidaturave të Presidentit, me arsye që për nga mungesa e logjikës tingëllojnë si justifikime. Kështu njëri syresh ndër të tjera u akuzua se kish qenë nja dy vjet anëtar i Partisë së Punës, gjë që ishte e papranueshme për deputetët demokratë, lideri i të cilëve ka qenë anëtar i Partisë së Punës nja 12 vjet (ama nëse të qenurit komunist vetëm për dy vjet nuk mjafton, kjo duhej bërë e qartë te kriteret e vlerësimit).  

Nuk është hera e parë që Presidenti dhe shumica në pushtet përplasen për kandidaturat e instancave më të larta të gjyqësorit. Risia e betejës aktuale është shpejtësia, ashpërsia dhe masiviteti i refuzimit të kandidaturave të Presidentit nga ana e shumicës në pushtet. Lideri i shumicës Berisha e ka deklaruar haptas se shumica nuk do aprovojë asnjë kandidaturë, që nuk konsultohet paraprakisht me të. Shkurt kjo do të thotë; po nuk na pëlqeu, nuk emërohet. Natyrisht Presidenti mund tia kthejë shumicës me të njëjtën monedhë, duke mos propozuar figurat e saj të preferuara. Kjo do prodhonte, siç ka prodhuar, një bllokim të instancave më të larta të gjyqësorit, si Gjykata e Lartë. Ama kjo është diçka që i shkon për shtat çdo ekzekutivi dhe shumicës në pushtet, që preferon një gjyqësor të dobët dhe të bllokuar, nëse nuk është i mbushur me shërbëtorë të saj. Ndaj refuzimi i kandidaturave të Presidentit për gjyqësorin nga Parlamenti do të thotë se propozimi mund të bëhet nga Presidenti, por emërimi buron nga shumica.

Kemi të bëjmë me një risi politike, që tashmë gradualisht po e sjell gjyqësorin në kontrollin e shumicës në pushtet. Ama nuk kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës, por me një deformim politik që buron nga ndryshimet e fundit kushtetuese.   Arroganca aktuale e shumicës parlamentare dhe e liderit të saj buron nga dobësia politike e Presidentit. Presidenti nuk ka asnjë armë politike me të cilën të shantazhojë shumicën parlamentare, nëse ajo uzurpon kompetencat dhe prerogativat e tij kushtetuese, duke i interpretuar ato sipas dëshirës. Arma më e fundit dhe më e fortë që ka një president, përballë një shumice që e injoron tërësisht atë, është dorëheqja. Por në kushtet kur Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë, ky akt nuk ka asnjë impakt. Përkundrazi, nëse hipotetikisht Topi do dorëhiqej në shenjë proteste ndaj bllokimit që po i bën PD-ja, kjo e fundit do zgjidhte në Presidencë një nënpunës të rëndomtë të saj.

Shumë ndryshe do kish qenë situata me Kushtetutën e vitit 1998, ku Presidenti zgjidhej me 3/5 e votës (84 vota).  Dorëheqja e një Presidenti të tillë do e çonte vendin direkt në krizë dhe në zgjedhje të parakohshme. Në këto kushte, arroganca politike e shumicës do tulatej shumë. Shumëkush mund të thotë me të drejtë epo ku ka president që dorëhiqet, aq më pak një si Topi, që është edhe politikan karriere. Kjo është e vërtetë dhe prandaj Topi si politikan aktiv nuk ishte profili që i përshtatej më mirë Presidencës. Megjithatë duhet theksuar se dorëheqja nuk është e nevojshme të jetë aktuale, por potenciale për ta dhënë efektin e saj. Një President që paraprakisht deklaron se do të dorëhiqet, nëse shumica i rrëzon në bllok të pesë kandidaturat e tij e kufizon shumë arrogancën e shumicës qeverisëse, që në kushte të tilla do duhej të zgjidhte mes kontrollit të Pushtetit Gjyqësor dhe atij Ekzekutiv. Në kushte të tilla kërcënimi edhe pa u aktualizuar kurrë do mjaftonte.

Fatkeqësisht ndryshimet e fundit kushtetuese e zhveshën Presidentin nga pothuajse çdo pushtet real politik. Për pasojë, kompetencat e tij kushtetuese të pambështetura në një kapital politik u kthyen në prerogativa formale. Presidenti në letër ka të drejtë ti ushtrojë këto prerogative, por politikisht ai nuk ka asnjë instrument politik që i garanton ato në instancën e fundit. Në kushte të tilla, shumica në pushtet nuk ka përse tia fërshëllejë fare Presidentit apo propozimeve të tij. Pikërisht këtë po shohim sot në përplasjen mes Parlamentit (ekzekutivit) dhe Presidentit. Parlamenti rrëzon, denigron dhe injoron çdo propozim të Presidentit me lehtësinë më të madhe.

Nuk kemi të bëjmë me një betejë të humbur të Presidentit aktual, por një betejë të humbur të Presidencës si institucion. Ndryshimet kushtetuese e vendosën Presidencën nën kontrollin e shumicës parlamentare, e cila po me këto ndryshime është vendosur pothuajse tërësisht nën kontrollin e Kryeministrit. Ndaj përpara sesa të bërtasim po shkelet Kushtetuta, sot duhet bërtitur Kushtetuta duhet ndryshuar, për tu bërë ashtu siç ishte. Fatkeqësisht një thirrje të tillë sot nuk po e dëgjojmë, as nga opozita që na e bëri dhuratë këtë Kushtetutë. 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama