Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një gangster në pushtet është kosto e madhe për vendin

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 15 vite më parë

Mustafa Nano
Një gangster në pushtet është kosto e madhe për vendin


Zululand

Ja se ç’shkruan midis të tjerash lidhur me klasën politike e drejtuese të korruptuar ekonomisti e gazetari amerikan, Daniel Altman, në librin e tij me titull “24 orë i zhytur në ekonominë globale (24 hours in the Global Economy)”, të publikuar në vitin 2007:

“Diktatorët e tiranët, pothuajse gjithnjë, jepen pas korrupsionit, ngaqë në këtë mënyrë hëm konsolidojnë pushtetin e tyre, hëm nxjerrin përfitime të llojeve të tjera: nëpërmjet klientelizmit mbajnë të ngjeshur e të motivuar bazën e tyre politike, teksa shtien në punë pushtetin e pakufizuar që kanë për të përvetësuar sasira të mëdha parash e pronash. Kur pozita e tyre zë e lëkundet, ata i mbështesin shpresat për të mbijetuar tek fuqia që kanë për të kondicionuar e përcaktuar rrjedhën e zhvillimeve politike të vendit të tyre; duhet theksuar, se duan të mbijetojnë edhe për të mos hequr dorë nga mënyra e stili i të jetuarit mes luksit e kapardisjes, të cilat i kanë peshqesh bash prej korrupsionit. Me fjalë të tjera, frutet e korrupsionit përbëjnë një alamet motivi për t’i bërë rezistencë ndryshimit, apo – më keq akoma – për të shtypur me dhunë agjentët e këtij ndryshimi”.

As presjen nuk mund t’i heqësh këtij arsyetimi. Duket sikur e ka shkruar për Shqipërinë, veçse në këtë rast, për të qenë objektivisht korrektë, termat “tiranë e diktatorë” do të ishte e udhës t’i zëvendësonim me frazën “gangsterë me pushtet”. Pse? Ngaqë fjalët “tiranë” e “diktatorë” asociohen natyrshëm me ushtrimin e një dhune elokuente ndaj kundërshtarëve, gjë që këta tanët nuk e kanë bërë (të paktën, nuk ka prova të qarta që ta kenë bërë në stilin mizor të tiranëve). Amá thelbi i arsyetimit të hollë e të thellë të Altman-it vlen dhe për birbot e Tiranës, të cilët “janë korruptuar me synimin për të zgjeruar e fuqizuar pushtetin e tyre dhe të cilët pikërisht korrupsioni nuk i lë ta çojnë nëpër mendje ndryshimin, d.m.th largimin e tyre”.

Ka një frazë në paragrafin e apostrofuar më sipër, e cila të trondit me vërtetësinë e vet dhe të cilën unë po e perifrazoj: Kur pozita e tiranëve zë e lëkundet, ata s’e kanë për gjë të kërcënojnë me fuqinë e tyre për të hedhur vendin në greminë. Këtë gjë ka bërë gjithë kohën kryegangsteri i Tiranës, Sali Berisha, i cili, sa herë që i thonë se duhet të bëhet mënjanë, apo sa herë që kupton se po i dobësohen pozitat, bën gjithçka për të na përcjellë mesazhin: “Hej, ju mund të më keni në dorë që të më largoni, por mos harroni se kjo punë ka një kosto të madhe; unë kam në dorë të mos largohem pa e bërë lesh e lí situatën”.

Kjo është një arsye më vete, pse nuk duhet lejuar që njerëz të caktuar të kenë nën kontroll të gjithë shtetin e të gjithë vendin: në rrethana të tilla, fundi i tyre është shpeshherë identik me një krizë të madhe kombëtare. Ndoshta është identik dhe me më shumë se sa kaq.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama