Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Kamaleoni' politik Meta

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 15 vite më parë

Skënder Minxhozi
'Kamaleoni' politik Meta

Kur Ilir Meta doli në mbrojtje të ministrit të tij Dritan Prifti, në mesin e sulmeve të opozitës për deklarimin e tij të pasurisë, nuk qenë të paktë ata që vunë buzën në gaz. Arsyeja është thjeshtë dhe e njohur në ambjentin politik e mediatik të Tiranës. Prej kohësh mes kreut të LSI dhe zëvendësit të tij nuk rrjedhin ujra të qeta. Pozicioni i Dritan Priftit që nga nata e vjetshme elektorale, kur ai u bë lajmësi i parë i aleancës më të çuditshme në botë mes PD e LSI, nuk ka ndryshuar shumë.

Ashtu si atëhere, Dritan Prifti mund të llogaritet pa spekulluar shumë, si një votë e PD-së në Kuvend, më shumë sesa e LSI. Ndoshta kjo ndarje do të ishte shfaqur edhe publikisht, nëse parlamenti do të kalonte ligjin e ri për SHISH, ku zërat brenda LSI pranojnë se ministri do të kishte votuar ndryshe nga partia e tij.

Kjo marrëdhënie problematike për Metën, gjatë këtij viti të parë, ka krijuar padyshim ndryshk dhe distancë mes tij dhe Berishës. Në mënyrë të kuptueshme, kreu i LSI e ka të vështirë ta përtypë këtë diversion brenda shtëpisë. Por s’ka qenë vetëm çeshtja Prifti që ka sjellë (ose po sjell) ftohje mes kreut të qeverisë dhe numrit dy të saj. Edhe sot, kur qeveria e koalicionit ka konsumuar një të katërtën e rrugës së saj, martesa politike mes PD dhe LSI vijon të mbetet një copë e arnuar me pe të bardhë.

Në një vit të vetëm, episodet ku PD e LSI kanë qenë përballë, e jo përkrah njëra-tjetrës, janë më shumë se gishtat e një dore. Ndërsa daljet publike kundër rrethimit të shtëpisë së Dash Pezës ose komisionit hetimor të Tivarit, mund të shiheshin thjesht si gjeste kalorsiake të LSI, kundërshtimi i ligjit të SHISH dhe rreshtimi pro presidentit nuk janë aspak të tilla. Meta e ka goditur shefin e tij hapur dhe në dy pika tejet delikate, të cilat normalisht, në një sistem politik të pakorruptuar si ky i yni, do të sillnin një refleksion të thellë rreth mbajtjes ose jo në këmbë të vetë koalicionit.

Ilir Meta po e ndjen ngadalë në subkoshientin e tij, se rruga më Berishën do të jetë e vështirë dhe me më shumë se një të panjohur. Trajektorja e pushtetit ndërkaq nuk i lejon atij shumë hapësirë për manovër, pasi të jesh numri dy i një qeverie të Doktorit do të thotë veç të tjerash, të bësh me veten paktin e të qenit një asistent i tij, më shumë sesa një aleat me peshën dhe zërin përkatës. Një vit pasi ka ndarë qeverisjen me Berishën dhe pasi ka marrë (siç thuhet) 20% të posteve përfaqësuese në shkallë të ndryshme të shtetit, ish-kryeministrit socialist i duhet të nisë të shohë përreth. Sepse mandati si sotëm, sado i gjatë që të duket, do të vijë një ditë drejt fundit.

Afrimi i vjeshtës, me tensionet e mëdha të pritshme, zgjedhjet lokale dhe ndryshimet e mundshme në përbërjen e kabinetit, ofrojnë një skenar tejet sugjestiv për LSI dhe rolin që ajo do të luajë brenda koalicionit. Duket jashtë çdo dyshimi se lojtari me përvojë Ilir Meta do të përpiqet që të lundrojë në këto ujra të turbullta, kryesisht për të përforcuar pozitat përballë një të djathte që mbetet nën goditjet e vazhdueshme të opozitës dhe me një situatë politike e ekonomike delikate. Fare mirë ky sezon negociatash, bërrylash dhe riformatimi mund të mbyllet me një thelë më të madhe për LSI në qeverisje, çka do të mbante edhe për ca kohë në gjendje armëpushimi marrëdhëniet mes kryeministrit dhe ministrit të jashtëm.

Por në horizont janë gjithsesi zgjedhjet lokale, ku LSI s’do mund t’i zgjidhë dot më problemet me një negociatë pallati, por do të jetë përballë votuesve. Kjo pikë e axhendës duket se mund të sjellë distancimin e vërtetë të LSI nga PD. Zgjedhjet, në vetvete, janë një moment që vetë Meta do të donte t’i shtynte sa më shumë, pas baletit spektakolar të 28 qershorit, kur i mori në thes votat e tij majtas dhe i transportoi djathtas. Ky takim elektoral mund të jetë momenti kur Meta do të ndjejë nevojën që të ketë një zë dhe një profil shumë të ndryshëm nga ai i PD. Për faktin e thjeshtë se ai, për arsye historike dhe ideologjike, e ka thuajse të pamundur të pretendojë vota në atë pjesë të spektrit politik. Pushteti për LSI vjen nga e djathta, kurse votat s’kanë të vijnë, veçse nga e majta.

Ndoshta edhe fërkimet që fillojmë të shohim sot mes tij dhe Berishës, kanë pikërisht këtë qëllim. Pra që t’i rikujtojnë elektoratit të majtë atë frazë që Meta pati artikuluar kur shtrëngoi duart me Doktorin, se “që sot fati i të majtës është i ndarë, një pjesë e saj në pozitë dhe pjesa tjetër në opozitë”. Vjeshta e ardhshme, por sidomos zgjedhjet e ardhshme, mund të jetë një kohë interesante e plot ngjarje brenda maxhorancës. Pikërisht për shkak të aftësisë së Ilir Metës për të qenë një kamaleon politik, që luan ftohtë dhe në mënyrën më pragmatiste të imagjinueshme.

Natyrisht, një afrim i tij me Ramën sot, do të tingëllonte si një krisëm arme në mes të një koncerti. Por pas asaj që kemi parë e dëgjuar një vit më parë, është e këshillueshme që t’i fusim thellë në syndyk të gjitha konceptet klasike që kemi për moralin politik në Shqipëri. Sepse në këtë vend mund të ndodhë vërtetë gjithçka. Mjafton që kurba e interesave të aktorëve të mësipërm, të puqet diku gjatë rrugës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama