Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Reforma e arsimit të lartë dhe sistemi i kuponëve

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 15 vite më parë

Adri Nurellari
Reforma e arsimit të lartë dhe sistemi i kuponëve

Kohët e fundit, zgjerimi i numrit dhe fuqisë së universiteteve private është shoqëruar nga një nismë lobimi për të aplikuar në vendin tonë sistemin e kuponëve (voucher), që nënkupton dhënien nga qeveria drejtpërdrejt të një kuponi që përmban një shumë të parapërcaktuar në dorën e një studenti për ta shpenzuar atë në institucionin e preferuar prej tij. Ky sistem i propozuar prej Milton Friedman, synon të sjellë shumë dobi në fakt, sepse shton mundësinë e zgjedhjeve, duke ia lënë në dorë studentit shkollën ku do të shkojë. Nxit diversifikimin e shkollimit dhe të fondeve që financojnë arsimin. Sistemi i kuponëve nxit konkurrencën, duke rritur efikasitetin e sektorit publik, i cili gjithashtu duhet të garojë për t’i bindur studentët që kuponët e qeverisë ti harxhojnë në shkollën e tyre, duke e transformuar në mënyrë radikale ofertën.

Në parim ky sistem duket goxha i vlefshëm, mirëpo ka disa rrethana konkrete që e bëjnë të mendohet se aplikimi në Shqipëri është i papërshtatshëm. Pikësëpari duhet bërë e qartë që ky sistem, kur është propozuar, si fillim ka pasur kryesisht si qëllim arsimin para-universitar, e jo atë universitar, sikurse po promovohet tani. Pra synimi kryesor ka qenë që të miradministrohen fondet që qeveria jep për shkollimin në nivelin fillor dhe të mesëm, duke dashur që ta shkundë sistemin publik dhe ta ballafaqojë me sektorin privat, duke e detyruar të rrisë përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien dhe duke e nënshtruar ndaj konkurrencës së lirë, duhet vënë në dukje se ka një dallim të jashtëzakonshëm mes arsimit para-universitar dhe atij universitar. Qeveria ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për individin deri në moshën 18-vjeçare. Më pas, kur i bie të jetë edhe mosha universitare, individi duhet të ecë me këmbët e veta, është krejtësisht i përgjegjshëm para ligjit e për rrjedhojë moralisht, për një liberal, financimi i arsimit universitar në vetvete nuk është edhe aq i pranueshëm. Domethënë, për një liberal të vërtetë, individi pasi bëhet 18 vjeç duhet ta mbajë vetë në kurriz koston e arsimit universitar, meqenëse në atë moshë është bërë një individ i lirë dhe i pavarur, që ka vetë në dorë fatin e jetës së tij.

Për këtë arsye, sistemi i kuponëve nëpër botë është aplikuar kryesisht në sistemin e arsimit para-universitar. Përjashtim bën ndonjë rast si shteti i Kolorados në SHBA, ose ndonjë propozim i viteve të fundit për ta aplikuar edhe nëpër universitete në Australi apo Hong-Kong. Madje në disa raste qëllimi kryesor i propozimit dhe aplikimit të sistemit të kuponëve nuk ka qenë thjesht futja e konkurrencës dhe rritja e efikasitetit të sektorit publik, por edhe përpjekja për të eliminuar segregimin e minoriteteve racore. Kështu, për shembull, në Uashington DC apo territore të tjera ku është aplikuar sistemi, është synuar që prindërit të mund të merrnin prej qeverisë kuponët e shkollimit e t’i çonin fëmijët në shkolla jashtë lagjes së tyre (duke përdorur sistemin e autobusëve për shkolla), në mënyrë që ata të largoheshin nga kriminaliteti që pllakoste në shkollat e lagjeve të zezakëve dhe të mund të rriteshin në një ambient shkollor më të shëndetshëm.

Në rastin e Shqipërisë, nga një liberal i kulluar do të kërkohej që fillimisht sistemi i kuponëve të aplikohej tek arsimi para-universitar. Fundja, e gjithë shoqëria paguan taksa, por pothuaj të gjithë anëtarët e shoqërisë në një moment të jetës e kanë bërë apo do e bëjnë arsimin para-universitar, kështu që duket edhe më e moralshme që shoqëria të paguajë për të subvencionuar arsimimin me instrumente të tregut sikurse ofron sistemi i kuponëve. Fundja, një gjë e ngjashme është duke u aplikuar me sukses me subvencionime të teksteve shkollore, duke bërë që subvencionimi të shkojë direkt te përdoruesi dhe jo tek ofruesi i shërbimit apo produktit. Në rastin e arsimit universitar, në përgjithësi tingëllon e pamoralshme nga prizmi liberal që shoqëria të paguajë taksa për më pak se 2% të studentëve që venë në shkolla të larta shqiptare.

Është edhe një tjetër element që e bën të papërshtatshëm aplikimin e sistemit të kuponëve në Shqipëri e që ka të bëjë me frikën që mundësia e këtyre kuponëve do të sillte një inflacion akoma më të madh se ky ekzistuesi për të rendur pas diplomave universitare, duke braktisur shkollat profesionale apo aktivitetet tradicionale si bujqësia e blegtoria. Madje në kushtet e këtij masivizimi, në kurriz të cilësisë që po haset në Shqipëri, duhet menduar se si të shtohen filtrat e jo të inkurajohen qytetarët që të vendosin të shkojnë e ta shfrytëzojnë me zor mundësinë që jep kuponi për të përmbytur shkollat e larta, ndërkohë që në të tjera rrethana s’do të kishin shkuar në universitet. Për mos të folur pastaj për faktin që në kushtet aktuale, sistemi i kuponit nuk do të ishte gjë tjetër përveçse një tjetër formë e sofistikuar për të rrjepur taksapaguesit. Që tani janë vënë re se shumë universitete private po i ofrojnë diplomat fiktive vetëm në këmbim të pagesës, pa u kujdesur për rigorozitetin e mësimdhënies dhe për përmbushjen e detyrimeve minimale të studentëve. Një pjesë e madhe e universiteteve e mban të hapur regjistrimin për programe bachelor apo mastera deri në pranverë të vitit akademik, pa e vrarë mendjen për mungesat nga programi, për mos të folur pastaj për rastet e shumta ku lihen enkas vende bosh në regjistrat e amzës për të shitur diploma pa u bërë frekuentim shkollor për ata që ofrojnë pagesa të majme. Tregu shqiptar karakterizohet nga një përpjekje për të siguruar diplomën pa frekuentim e mundim dhe nëse ofrohet edhe mundësia që ky veprim të bëhet pa nxjerrë gjë nga xhepi, situata do të shndërrohet në katastrofale. Në fakt ky është edhe një ndër burimet kryesore të shpërdorimit të ofertës universitare publike. Studentët e universiteteve publike nuk e kanë për gjë të ngelin dhe përsërisin pafundësisht provime dhe vite shkollore, sepse nuk mbartin kosto për shpërdorimin që janë duke i bërë një shërbimi të mbuluar nga fondet e taksapaguesve.

Me pak fjalë, sot shteti është i paaftë dhe i papërgatitur që të sigurojë që këta kuponë të taksapaguesve të shndërrohen në arsim të mirëfilltë dhe jo në një marrëveshje të ndyrë mes një pseudo-studenti që do veç të certifikojë injorancën e vet me një pseudo-diplomë shkollore dhe pronarëve pa integritet të universiteteve private. Kjo gjë ka ndodhur tashmë në mënyrë masive me subvencionimin e barnave shëndetësore, sepse dihet mirë që dhjetëra miliona euro të taksapaguesve vidhen prej farmacive nëpërmjet sistemit të kuponëve, që në rastin e shëndetësisë quhen receta të siguruara nga shteti.

Zgjidhja liberale në arsimin e lartë shqiptar do të ishte më e arsyeshme të vinte në një formë tjetër, në atë të kredive. Domethënë, duke pasur parasysh rëndësinë që ka cilësia e burimeve njerëzore për një vend, si dhe duke e marrë të mirëqenë që qeveria duhet të shpenzojë për arsimin universitar, atëherë më e përshtatshme do të ishte që studentët e interesuar të merrnin kredi me interesa të ulëta dhe të fillonin t’i shlyenin këto kredi në mënyrë graduale, pa shumë presion, kur të fillonin të siguronin të ardhura të mjaftueshme, sikurse ndodh dendur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që të rritet konkurrenca mes universiteteve publike dhe atyre private, duhet që në universitetet publike studentët të detyrohen të bëjnë pagesa që mbulojnë sa më shumë koston e arsimimit të tyre dhe në këtë mënyrë universitetet private nuk do kenë një disavantazh të madh konkurrimi për sa i përket çmimit në treg. Vendosja e sistemit të kredive të buta do të rrisë ndjeshëm edhe përgjegjësinë dhe përkushtimin e vet studentëve, të cilët do të maten shumë herë para se ti futen universitetit publik, duke pasur parasysh që herët a vonë kanë për të paguar kosto të mëdha. Gjithashtu, kur ata të futen në universitete publike, nuk kanë për tu treguar moskokëçarës ndaj ngeljes nëpër provime apo zvarritjes pafund të studimeve, sepse çdo shpërdorim rrit koston që do tu duhet të paguajnë.

Mbi të gjitha do të ishte e nevojshme që jo vetëm tregu shqiptar i arsimit të lartë të përfshihej nga konkurrenca e lirë intensive, por edhe vetë tregu shqiptar të futej në konkurrencë në tregun botëror. Që do të thotë se, do të ishte e domosdoshme që studentët që marrin subvencione apo kredi, të kenë mundësinë të zgjedhin edhe universitete jashtë vendit. Sot universitetet shqiptare janë duke i ngjarë gjithnjë e më shumë njëri-tjetrit dhe janë duke bërë një garë drejt fundit. Ato po përpiqen ti tërheqin studentët nëpërmjet garës se kush e kush ofron një diplomë më të lehtë e me më pak mundime e jo duke garuar se kush ofron shkollimin më cilësor dhe rigoroz. Logjikisht është tmerrësisht e vështirë që të krijohet një sistem kuponësh që t’i lejojë studentët ta shpenzojnë kuponin jashtë vendit, kështu që dhënia e kredive afatgjata me kushte të buta ngelet mënyra e vetme për të siguruar mobilitetin e studentëve shqiptarë dhe daljen nga pellgu i arsimit të lartë që po kalbet në Shqipëri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama