Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sistemi D

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 15 vite më parë

Edmond Tupja
Sistemi D

Vë bast që dikush mund të mendojë se, duke qenë autor i "Fjalorit erotik të gjuhës shqipe" të sapobotuar për të dytën herë, me shprehjen "sistemi D" unë nënkuptoj ndonjë marifet që ka të bëjë me erosin, d.m.th. me dashurinë, shkronja e parë e së cilës është pikërisht "D"-ja. Jam, pra, i detyruar ta zhgënjej këtë "dikë". Ja si qëndron puna: Në frëngjishten e folur, më saktë, në atë bisedore, të jetës së përditshme, gjejmë shprehjen "le système D", d.m.th. "sistemi D" (nga shkronja e parë e fjalës "débrouillard", që në shqipe do të thotë "çallëstiar").  Nuk bëhet fjalë për asgjë më tepër sesa për një mënyrë...

të shkathët, ndoshta disi më të shkathët se çduhet, që kanë disa tipa njerëzish për tia dalë kurdoherë mbanë. Për shumëkush është fare e qartë se nuk ka nevojë ta flasë e ta shkruajë frëngjishten për ta përdorur këtë sistem në rrethanat e volitshme ose të pavolitshme që na ofron jeta krejt papritmas.

Ndonjë koleg apo edhe dashamirës mund të hidhet e të më thotë: "Zoti Tupja, ju që e mbani veten edhe si përkthyes, duhej ta kishit shqipëruar saktë togfjalëshin "le système D", pra, ta kishit dhënë në shqipe të mirëfilltë me barasvlerësin "sistemi Ç" meqë "débrouillard", sipas jush, në shqipe përkthehet me "çallëstiar". Vërejtje e drejtë në pamje të parë, por unë nuk e kam përkthyer, veçse e kam përshtatur në shqipe, sepse "D"-ja, pikërisht në shqipe, është shkronja me të cilin fillon folja - kaq shumë e përdorur dhe e përfolur - "dredh", sidomos në shprehjen "e dredh" apo "ia dredh dikujt" (mashkull apo femër, autoritet shtetëror apo privat qoftë). Siç mund ta vërejë edhe lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, "sistemi D" në frëngjishte nuk është plotësisht identik me "sistemin D" në shqipe, sepse në frëngjishte thuhet për njerëzit e zakonshëm që punojnë dhe e fitojnë bukën e gojës pak a shumë ndershmërisht, kurse në shqipe, diçka më thotë (pavarësisht se nuk kam bërë as anketa e as sondazhe lidhur me këtë) se "sistemi D" karakterizon kryesisht ata që e "dredhin" për të fituar më tepër sesa bukën e gojës.

Gojët e liga mëtojnë se "sistemi D" po bëhet, tani që ne jemi duke ndërtuar kapitalizmin jo aq me forcat tona sesa me ato të të tjerëve, një tipar përherë e më karakteristik i të gjitha shtresave të popullsisë autoktone shqiptare. Kështu, zbatojnë "sistemin D", me hope apo rregullisht, pak rëndësi ka, shumica e thjeshtë e qytetarëve pa pretendime të mëdha dhe e fshatarëve me pretendime të vogla nga Jugu në Veri të Shqipërisë, pavarësisht profesionit që ushtrojnë pak a shumë me transparencë; shumica relative e nëpunësve modestë në administratën shtetërore, por edhe private; shumica e kualifikuar e nëpunësve të mesëm e të lartë, pra, e shefucëve, shefaluqëve, shefalaqëve, shefanakëve, shefacakëve dhe e shefxhinjve që marrin e japin urdhra; shumica e papërcaktuar e rojeve, gardianëve, policëve që na sigurojnë rendin, qofshin atë të paguar nga pushteti qendror apo nga pushteti vendor, madje edhe nga ente private të sigurisë; shumica e paragjykuar e prokurorëve dhe e gjykatësve të të gjitha shkallëve e sheshpushimeve hierarkike, shumica e kapardisur e deputetëve, të majtë apo të djathtë qofshin ata, si edhe shumica e plotë e mjediseve mafioze.

Është e dukshme se lista e mësipërme e "shumicave" që përdorin rregullisht e bujarisht "sistemin D", është larg së qeni shteruese; ekzistojnë grupe individësh apo thjesht individë edhe në arsim, kulturë e media, që "sistemin D" e kanë ngritur në sistem, por për të cilët i rezervoj vetes të drejtën të shprehem në ndonjërin nga shkrimet e mia të ardhshme; po ta kisha bërë sot analizën e tyre, ata mund të ishin ndier të prekur e, njëherazi, të mikluar në sedër: të prekur sepse diku do tu digjte, të mikluar, sepse, në njëfarë mënyre, do tu bëja sado pak publicitet që do tu jepte krahë për të përsosur "sistemin e tyre D" me synim ngjitjen në podiumin e "shumicave" të lartpërmendura.

Gjithsesi, si për çdo ligj a rregull, edhe këtu ka përjashtime: sipas mendimit tim, nuk e zbatojnë "sistemin D" pensionistët e moshuar, të sëmurët që nuk lëvizin nga shtrati, handikapatët mendorë, besimtarët naivë, si edhe disa përfaqësues të dalë mode të një kategorie idealistësh qesharakë deri në dhimbje, specie në zhdukje e sipër, së cilës, në fund të fundit, jam krenar që i përkas, ha-ha-ha!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama