Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqiptarët përkulen para Nënë Terezës

Shkruar nga: Sali Berisha  
Botuar më: 15 vite më parë

Sali Berisha
Shqiptarët përkulen para Nënë Terezës

Shqiptarët  kudo që janë përkulen me nderimin dhe mirënjohjen më të thellë ndaj bijës së tyre më të ma-dhe, më të famshme, simbolit më të përsosur të moralit dhe të emrit shqiptar, Nenë Tereza. Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhi lindi 100 vjet më...

parë në Shkup, në qytetin më të madh të trojeve shqiptare të asaj kohe. U rrit dhe u edukua në familjen e saj me vlerat, virtytet më të arrira të vajzës, gruas dhe nënës shqiptare, vlera dhe virtyte me forcën e të cilave ajo do të ngjiste madhërishëm shkallët e Shenjtërimit për së gjalli, do shndërrohej në engjëllin e më të varfërve të kësaj bote, do të meritonte admirimin dhe adhurimin, respektin e mbarë qytetarëve të planetit. E larguar në moshën më të hershme nga trojet shqiptare, "me gjak jam shqiptare", - do të pohonte ajo, në çdo rast, për të dëshmuar dashurinë, por edhe krenarinë për familjen, kombin dhe origjinën e saj. Asgjë nuk do tia lëkundte dashurinë për dheun e saj, edhe në kohërat kur ajo nuk lejohej ta vizitonte të çmallej me nënën, motrën dhe vendin e saj.

Vërtetë vlerat dhe virtytet e nënës, motrës, gruas shqiptare, me besimin e madh tek Zoti dhe Krishti me të cilat u mbrujt u bënë forcë mahnitëse e pashtershme morale e saj, por do të ishte India, ky vend i madh, qytetare e së cilës do të thoshte se jam tani, do të ishte Kalkuta, ky megapol i dhimbjes, vuajtjes, lëngimit dhe mjerimit njerëzor, do të ishin të sëmurët, leprozët, hemiplagjikët, të sëmurët me AIDS, jetimët, të braktisurit e saj, qyteti dhe vendi ku gonxhja e kombit tonë do të lulëzonte, do të lartësohej në Nënë Terezën, në fakt në Nënë Terezën e Kalkutës, në personalitetin moral më të fuqishëm të kohës së vet. Në Kalkutë themeloi Urdhrin e misionareve të bamirësisë apo më drejtë, misionareve të dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore. Për më shumë se gjysmë shekulli, Shtëpitë e Urdhrit të saj u ngritën në mbi 130 vende.

Trajtuan, kuruan, u kujdesën për miliona qytetarë në nevojë. Mjerisht Shqipëria ishte ndër më të fundit vende, në të cilin ajo ngriti Shtëpitë e Urdhrit të saj, kjo sepse diktatura paranojake hoxhiste kishte ndaluar me ligj dhe Kushtetutë besimet fetare, Krishtin, Muhametin, por së bashku me to edhe shenjtoren e gjallë të shqiptareve, kurse nënës dhe motrës saj i rezervoi mjerimin më të skajshëm. Sot në këtë fjalë, do të doja ti paraqisja Nënë Terezës ndjesën publike për qëndrimin që diktatura hoxhiste mbajti ndaj saj dhe familjes. Por unë nuk e bëj këtë për arsyen e vetme sepse në një nga takimet e mia në vitin 1992, kur unë desha të marr miratimin e saj për këtë akt publik, ajo mu përgjigj : - Jo nuk do ta bësh këtë, ndjesa publike do të ishte për mua një lëndim i vërtetë, pasi unë kurrë nuk jam zëmëruar dhe nuk mund të zemërohem asnjëherë me vendin dhe kombin tim. Unë çdo ditë, me dashuri të madhe i jam lutur Zotit dhe lutem për ta, njësoj siç jam lutur dhe lutem për nënën, motrën dhe familjen time. Ajo ndjehej shumë e lumtur që më së fundi vendi i saj ishte i lirë dhe kishte hapur Shtëpitë e Misionit të saj në Shqipëri, që mbarte më së fundi pasaportën shqiptare. Emocionet, gëzimi dhe kënaqësia e saj ishin të jashtëzakonshme, të papërshkruara ditën që priti së bashku me Presidentin e vendit, më 25 prill të vitit 1993 në dheun e vet, Papa Gjon Palin e Dytë, në vizitën e tij historike në Shqipëri.

Ajo u lumturua shumë kur Ati i Shenjtë do ti drejtohej në fjalën e tij nga ballkoni i Ipeshkvisë së Shkodrës si Nënë Tereza, bija e kombit shqiptar. Bamirësia, humanizmi dashuria, dhembshuria dhe jo politika ishin mbretëria e saj. Por në këtë aspekt, shqiptarët duhet ta dinë se Shqipëria ishte përjashtimi i saj. Ajo ndiqte me shumë vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Në korrik të vitit 1995 do të udhëtonte nga Kalkuta në Tiranë dhe do të vinte direkt nga Rinasi në zyrën time. Kam ardhur kësaj here për të uruar për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. Jam jashtëzakonisht e gëzuar. Iu përgjigja se ky urim i gëzon të gjithë shqiptarët.

"Nga thirrja jam murgeshë katolike, vepra ime i përket të tërë botës", do të deklaronte në mënyrë të përsëritur Nënë Tereza. Prandaj sot me nderim të madh në 100-vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare përkulen qytetarët e të gjithë kombeve tjerë, pavarësisht nga besimet fetare, racat apo bindjet. Kjo sepse në një jetë të tërë, Nënë Tereza me besimin e saj tek Zoti, tek Krishti, të cilin e shihte te çdo njeri me përkushtimin, forcën e madhe të dashurisë, u shndërrua në autoritetin moral më të fuqishëm të shekullit që jetoi. Me shtatin e saj të vogël, zemrën dhe shpirtin e saj të madh, gruaja që zgjodhi për të mos u bërë nënë me fëmijë të vetët, ia doli që me forcën e dashurisë dhe dhembshurisë së nënës, të bëhet nënë për mbarë njerëzimin.

Ajo si hyjni e dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore arriti që me forcën e tyre të bëhet përfaqësuesja engjëllore e njeriut, e qytetarit, e familjes, e shoqërisë, e kishës, e mjekësisë, por mbi të gjitha e Krishtit dhe e Zotit që e dërguan atë aty ku ishte dhimbja, vuajtja sëmundja, dëshpërimi dhe mjerimi më i madh, aty ku të gjithë të tjerët familja, shoqëria, mjekësia, kisha, institucione të tjera fetare, qeveria, shoqëria civile mungonin. "Të ndihmosh dhe të kuptosh të varfrit duhet të jetosh si ata", deklaroi në fjalën e saj në ceremoninë e laurimit me çmimin Nobel. Nënë Tereza dhe motrat e Urdhrit të saj, një jetë të tërë zgjodhën tu shërbejnë, ushqejnë, të ndihmojnë, të mjekojnë, të lehtësojnë, të përkëdhelin, tu mbjellin shpresë qenieve njerëzore më të varfra, më të mjera, më të sëmura, më të braktisura të kësaj bote, të braktisura në mënyrë të pamerituar.

Ata me të cilët unë punoj nuk duan lot se kanë shumë vetë, ata duan buzëqeshje, - do ti shprehej një ditë një adhurueseje të saj, që shkrehu në vaj tek vizitonte komunitetin për të cilin kujdeseshin motrat e Nënë Terezës, në Kalkuta. Çdo njeri që ka pasur fatin ta njohë nga afër, mban në memorien e tij buzëqeshjen e saj, si më të ëmblën e të gjitha buzëqeshjeve njerëzore, që ka hasur në jetën e tij.  

Për së gjalli Nënë Tereza meritoi dhe mori urdhrat, medaljet më të larta në këtë botë. Ajo u laurua me çmim Nobel, me medaljen e lirisë nga Presidenti Ronald Regan, u shpall qytetare e SHBA-së nga Kongresi Amerikan, duke u bërë personi i 4-t në historinë e këtij vendi të madh që meritoi këtë titull. India i akordoi qytetares së saj nderimet dhe dekoratat më të larta, po kështu edhe vende të tjera. Shqipëria e shpalli Nderi i kombit, Vatikani Medaljen e Paqes, Kembrixhi dhe Universitete të tjera e shpallën Dr.Honoris Kauza për veprat e saj të shumta, teologjike, himne të vërteta të dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore, skulptorë dhe piktorë, shkrimtarë e muzikantë i kushtuan krijime të shkëlqyera të gjinive ku lëvronin.

Por nderimin më të madh ia bëri Nënë Terezës, Papa Gjon Pali i Dytë, Papa i lirisë, mik i madh i kombit shqiptar, që vetëm pak kohë para vdekjes hapi procedurën e shenjtërimit dhe rrugëtimit të saj drejt përjetësisë. Ndaj dhe është një rast për mua për të uruar që së bashku të gjejnë shenjtërinë dhe të bashkohen me shenjtorët e tjerë të këtij kombi. Duke mbyllur fjalën time le ti shprehim edhe një herë mirënjohjen tonë më të thellë bijës më të shquar të kombit tonë, dhuratës më të çmuar që kombi shqiptar i ka bërë njerëzimit në të gjitha kohërat.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama