Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Cfarë kanë muret?

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 15 vite më parë

Edmond Tupja
Cfarë kanë muret?

Kësaj pyetjeje, që shumëkujt mund ti duket e çuditshme ose që...

...me shumë gjasë, do të kërkonte një përgjigje po aq të çuditshme, ndonjëri nga moshatarët mi (d.m.th. nga ne që kemi jetuar e përjetuar kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri), i cili ende ka njëfarë kujtese nga ajo, do ti përgjigjej pa pikë ngurrimi: "Muret, çfarë kanë? Ha, ha, ha! Veshë, sigurisht, e çfarë veshësh se, superllapushë!". Ishin kohëra të frikshme (po e shkruaj këtë për njëzetvjeçarët e poshtë, si edhe për ata që, ndonëse më të moshuar, kanë "humbur" kujtesën e ndërgjegjen historike e që, mjerisht, nuk janë të paktë në numër) kur, edhe në shtëpi, me dyer e dritare të mbyllura dhe me radion e hapur në kupë të qiellit, flitej me zë fare të ulët sa herë që prekeshin tema tabu, sidomos politike, ndonëse kishte edhe një variant tjetër "mashtrues": flitej me gjuhën e Ezopit, pra, në mënyrë alegorike.

Ende sot e kësaj dite, në këtë epokë lirie (të paktën për sa i përket të folurës e të shkruarës), ka njerëz të moshës sime, por edhe më të rinj, të cilët, kur flasin për autoritetet e larta (le ti quajmë kështu) ulin instinktivisht zërin: për ta, natyrisht ose, më saktë, çnatyrisht, muret vazhdojnë të kenë veshë. Ndryshe nga ata që e kanë humbur kujtesën kritike, ky lloji i fundit vuan akoma nga fobia e quajtur "spiunitis", thënë ndryshe, nga mania se dikush po i përgjon për ti raportuar tek "organet kompetente", siç thuhej asokohe; madje, gojët e liga (që nganjëherë nuk janë aq të liga sa thuhet e shkruhet) mëtojnë se kjo praktikë vazhdon vende-vende në administratën shtetërore shqiptare, pavarësisht se kush i ka frenat e shtetit në dorë, e djathta apo e majta, por ndoshta më tepër e majta e sotme që doli si me magji, brenda një nate, nga gjiri pjellor i Partisë së Punës, nga e cila duket se ka trashëguar e vijon të ruajë me njëfarë fanatizmi të stërholluar disa metoda të caktuara pune.

Sidoqoftë, kohët kanë ndryshuar e po ndryshojnë me ritme të papërfytyrueshme. Sigurisht që proverbi "Muret kanë veshë" nuk ka dalë jashtë mode, por ai ka evoluuar. Ky evoluim nisi nga fundi i sundimit të diktatorit Hoxha, kur në muret e Bllokut u vendosën kamera. Tani, mund të thuhet me plot gojën dhe të shkruhet me plot bojën se "Muret kanë jo vetëm veshë, por edhe sy". E kam fjalën për kamerat e mbikëqyrjes të vendosura mureve nëpër institucione e hapësira të ndryshme publike, por edhe private, sigurisht për të mbrojtur vlerat që ato kanë.

Madje, edhe në hapësira të ngushta të përdorimit më të thjeshtë publik, e kam fjalën për ashensorët, ka kamera që e pengojnë njeriun serioz, kur është vetëm, pa dyshim, të kruajë hundën, veshin apo edhe ndonjë pjesë tjetër të trupit, kuptohet, kur nevoja për tu kruar kthehet në domosdoshmëri, ide fikse ose makth. Duke parë përmasat që po merr terrorizmi në shkallë ndërkombëtare, nuk do të jetë e largët dita kur edhe në WC-të e aeroporteve apo të stacioneve të trenave mund të vihen kamera. Ky evoluim është theksuar edhe me futjen e zhvillimin e atyre që quhen "media investigative" të cilat, me gjithë shërbimin e nevojshëm që kryejnë ose hamendësohet se kryejnë për shoqërinë, ndonjëherë i kapërcejnë dukshëm kompetencat e tyre.

Mendimi që më lind natyrshëm është se, kështu si po ecin punët jo vetëm në Shqipërinë tonë, por edhe në botën moderne, do të vijë një ditë kur muret, përveç veshëve e syve, do të kenë edhe gojë: për shembull, kur dikush në ashensor do të përpiqet të shkarravisë paretet, një zë i rreptë do ta paralajmërojë se kjo mund ti kushtojë shtrenjtë sapo të dalë në katin e kërkuar. Duke e shtyrë edhe më larg fantazinë time, guxoj të them se nuk do të jetë e largët dita kur muret do të kenë edhe hundë: për shembull, kur dikush, gjithmonë në ashensor, duke qenë krejt vetëm, ndjen fryrje barku pas një dreke të mirë dhe lëshon, me dashje apo pa dashje, ndonjë sasi të vogël gazrash, me ose pa parfum "gastro-intestinal", automatikisht, nga një vrimë e padukshme e kabinës do të lëshohet një shkulm lëngu erëmirë që, aty për aty, do ta asnjanësojë parfumin e paftuar, pra, të padëshiruar, të zotërisë apo të zonjës në fjalë.

Miku dhe kolegu im i ri me emrin erotik Françesk Armadhi mëton se, në hotelet e frekuentuara nga prostitutat dhe prostitutët e niveleve të larta, një ditë, apo më saktë, një natë të bukur, do të ketë, përgjatë mureve ose në kabinat e ashensorëve, edhe duar epshndjellëse që do ti ledhatojnë klientët sa për nxehje për ndeshjen që kanë parashikuar të zhvillojnë me të hyrë në dhomën e rezervuar. Atëherë do të thuhet e shkruhet pa druajtje se muret kanë jo vetëm veshë, sy, gojë e hundë, por edhe duar, madje, se ata ia fusin duart njeriut (mashkull apo femër, hetero apo homo qoftë) atje ku sia pret mendja, por ia kërkon trupi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama