Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Administrata nis 'zborin' elektoral

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Administrata nis 'zborin' elektoral

A do të bjerë shteti sërish nën “zborin” elektoral? Kjo pyetje më rëndoi në mendje dje, ndërsa gjendesha në zyrat e një agjencie kombëtare, nga më të rëndësishmet për problemin kryesor social në vend, që është ai i pronësisë. Nëpunësit me të cilët kontaktova në shumicë, pyetje të parë kishin politikën, lëvizjet e saj dhe ç’do të bënte opozita. Aty mësoje shumëçka që lidhet me mendësinë ditore të administratës publike dhe se ç’efekt po bën shpallja e fushatës së zgjedhjeve vendore te psikika kolektive e kësaj administrate.

E thënë ndryshe, fushata e saponisur elektorale të lë shijen e rënies së administratës nën gjendjen e një farë “zbori” elektoral. Jam i sigurt se diçka e tillë ka nisur të ndihet në të gjitha llojet e administratës sonë, si atë vendore, ashtu edhe atë qendrore. Kjo pyetje apo bisedë e kudogjendur spontane në mjedisin e zyrave të institucioneve publike, shpreh pigmentin e parë, por të mjaftueshëm për verifikimin se në ç’masë është rikthyer diferenca e përkatësisë partiake në administratën tonë. Një normë politizimi partiak që të sjell në kujtesë periudha kritike të tranzicionit të tejzgjatur.

Paralajmërimi për një rikthim negativ në këtë normë partiakizmi, ka kohë që është bërë prej mediave e sidomos oponentëve të guximshëm publikë në vend. Kemi të bëjmë me një shfaqje të deformimit, për shkak të pasigurisë së vetë këtyre individëve në vlerën apo kualitetin profesional që përfaqësojnë. Në një mënyrë flagrante, derdhja e ndërgjegjes dhe emocionit partiak të tyre, është tregues i faktit që rekrutimi i tyre në administratë ka ndodhur për shkak të këtij kriteri. Sjellja elektorale e tyre po tradhton kriteret reale, me të cilat janë marrë në këto vende të rëndësishme pune.

Kjo sjellje evidenton realisht deformimin e administratës sonë. Pasoja që sjell ky rideformim apo kjo gjendje “zbori”, në realitetin dhe cilësinë e institucionalizmit tonë, është e rëndë, madje më shumë nga sa e mendojnë krerët politikë, apo ndeshësit partiakë të ringritur në pozicionin klasik të agresivitetit dhe konfliktit politik.

Në disa edicione informative të mediave elektronike në vend gjatë këtyre dy-tre muajve është përcjellë lajmi për shkurtime mësuesish, për shkak të angazhimeve apo përkatësisë partiake të tyre. Në disa sektorë të tjerë janë bërë shkurtime për arsye financiare dhe fondesh, por që të prekurit prej kësaj mase janë ankuar nëpër ekrane dhe foltore publike, si të ndëshkuar për shkak të pjesëmarrjes në aktivitete partiake.

Kjo tablo rikthehet në debatin dhe polemikën elektorale të vendit, si proces i riciklimit negativ. Që ndodh është gjysma e së keqes, por që të legjitimohet publikisht, kjo është më se tronditëse. Lëvizjet e fundit në kabinetin e Kryeministrit Berisha, të ministrave të zotit Meta, janë lëvizje me motiv të pastër partiak. Së paku këtë gjë e pohoi vetë zyrtarisht zëvendëskryeministri Meta i vetëlëvizur si ministër. Ky akt po pason me një sërë ndërrimesh në nivelet e përqindjes që zotëron në administratën aktuale forca e tij politike. Në të njëjtën kohë, në shumë prej bashkive kryesore të vendit, ndërsa po lëvrin pëshpëritja e emrave që do të rikandidojnë apo kandidojnë si kandidatë për kryetarë bashkish, po ndodh e njëjta gjë.

Kanë nisur ndryshimet në administratat bashkiake dhe ato komunare, duke përgatitur shtabet elektorale me nëpunësinë e rekrutuar dhe atë në nevojë. Një model i vjetër tranzicioni, i cili riaktivizohet sipas një mekanizmi socio-kapitalist, tribalo-partiak. Një ankth mësuesish, ekonomistësh, financierësh, diplomatësh apo ekspertësh. Një alarm tipik partiak, që drithëron të gjitha strukturat dhe segmentet e kësaj administrate mediokre që ka vendi. Asnjë institucion statusmbrojtës nuk bëhet i gjallë përballë kësaj tabloje. Dhe e keqja është se nuk po ngjet asnjë akt triumfues i ligjit, përmes autoritetit gjykator për kësi shkeljesh apo përdhosjesh të integritetit ligjor të nëpunësisë dhe administratës. Kjo premisë ka zhvleftësuar forcën vepruese të disa ligjeve që në tërësinë e tyre përbëjnë paketën që investuan disa legjislativë të këtij vendi në këtë 20 vjetësh, për t’i dhënë administratës publike një status vlerëmbrojtës, një status integriteti dhe dinjiteti. Fushata në të cilën kemi hyrë po jep të plota shenjat se edhe më keq do të sillen partitë tona me këtë investim kapital të tyre dhe shoqërisë. Le ta risodisim në këtë tur elektoral këtë zhbërje shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama