Retorika dhe Politika
Unë insistova…! Unë e shpalla…! Unë e finacova…!
Gëzim Mekuli,
kritik i mediave
Hashim Thaçi në “debat” me gazetarë. Me tre gazetarë “të kujdesshëm” e paksa edhe “të frikësuar”. Hashim Thaçi flet në veten e parë njëjës, “UNË”; “Unë jam ideator”, “Unë jam themelues”, “Unë jam strateg”, “Unë jam nismëtar”, “Unë jam politikan” me përmasa planetare,... “Unë”, “Unë”, “Unë.... Pafundësisht, Unë!
Në këtë “debat” ky as që theksoi fuqinë intelektuale dhe politike të partisë së tij; ky nuk madhëroj dhe foli tragjikisht pak për sakrificën e popullit shqiptar.
Pasojat e këtij përqendrimi në veten e tij ka bërë politikën e Thaçit më pak të rëndësishme për popullin. Ky po gatuan mendimin se politika dhe ekzistenca e shqiptarëve të Kosovës bëhet vetëm me ndihmën e këtij njeriu dhe, ky zhvillim politik, ekonomik e arsimor lindë dhe gjallëron vetëm në kokën dhe zyrën e tij!
Mendimet e Hashim Thaçit në këtë “debat” janë tepër shqetësuese; fjalët e tij me karakter fushate parazgjedhore, duan të çimentojnë depërtimin e mendimit akademik universitar; ky përsëri dëshmoj se nënçmon dhe shigjeton debatin dhe kritikën shkencore që vie nga gazetarët dhe intelektualët të cilët nuk i takojnë partive politike.
Opinioni publik ka filluar të kuptoj fjalorin retorik të Hashim Thaçit, por nuk është e sigurtë nëse ne kemi filluar të kuptojmë gjuhën e tij jo-verbale; gjuhën tjetër, atë të trupit (body language).
Çfarë mendoni ju? A është e mençur tundja e kokës përderisa tjetri flet e të kritikon?
Në “debatin” e së premtes në R T K, ku ishte i ftuar kryeministri i Kosovës, pamë një reflektim të retorikës së fortë. Hashim Thaçi u vetzbulua edhe si “folës” jo-verbal. Fjala e tij ishte e zbrazët, nuk kishte argumente. Ai ishte kopjues i keq, sepse teknika e debatit të tij ishte ajo e vjetra; kopjo e recito.
Një nga karakteristikat e Thaçit ishte gjuha agresive e trupit të tij, përderisa pjesëmarrësit e tjerë flisnin. Kjo sjellje dhe lëvizje e trupit “të mysafirit”, përderisa debatuesit e tjerë flasin, në shkencën e retorikës quhet “sjellje në sfond” (background behaviour). Thaçi shpesh mbart një sjellje shumë aktive në sfond. Në “debate” ai përdorë kundërshtimet jo-verbale ndaj kritikëve të tij. Kur, për shembull, analisti Ramush Tahiri kishte fjalën, nuk ishte e pazakontë që Thaçi me duar, gishtërinjtë, sytë, dhe mimikën e tij tentonte të tregoj qartë se kundërshtari e ka plotësisht gabim.
Kur ai u kritikua për lirinë e medieve dhe sistemin shëndetësor, ai ne befasi u përkul prapa ne karrige dhe mori frymë thellë; kështu Thaçi përmes gjuhës së trupit dërgoi një sinjal se debatuesit e paskan “keqkuptuar”.
Më e zakonshmja për të kritikuar nëpërmes sjelljes në sfond tek Thaçi është tundja mohuese me kokën e tij. Në këtë mbrëmje kur njëri nga gazetarët e kujdesshëm përdori argumentet përpara tij, Thaçi në mënyrë të pakontrolluar shkundte kokën dhe shikonte në panik majtas – djathtas dhe, në këtë mënyrë ky tërhoqi vëmendjen e kameramanit prej gazetarit tek vetja e tij. Përmes gjuhës së trupit ky arriti dy efekte: të jetë në qendër të vëmendjes dhe dërgimin e shenjave tek shikuesi se, gazetari nuk po dika se çfarë është duke folur.
Për kameramanët kjo sjellje në sfond krijon një mundësi të mirë për të krijuar një televizion më aktiv e më të gjallë. Kjo lëvizje e tepërt dhe artificiale e duarve dhe kjo gjuhë e trupit, prodhon dramë dhe shumë emocion; e, veçanërisht kur shikuesi shef ndërprerjet dhe mos respektin ndaj të tjerëve në dhomën e televizionit. Problemi është, natyrisht, se ne shikuesit nuk ishim në gjendje të dëgjojmë e as të kuptojmë atë se ç’farë deshi ti thoshte Thaçi debatuesve gazetarë dhe shikuesit televiziv.
Shumica prej nesh ndoshta, në mënyrë intuitive, mendon se kjo sjellje negative dhe kritikuese në sfond e Thaçit është e papërshtatshme, shqetësuese dhe nga pikëpamja etike është problematike. Është problematike sepse kjo është edhe strategjia retorike e Thaçit për të “fituar” debatin.
Por jo, kjo nuk është e tëra. Nuk duhet harruar se në debatet televizive përfshihen jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe shikuesit. Dhe, jemi ne shikuesit që vendosim se kush do të fiton ose kush do të humb. Studime që merren me sjelljet negative dhe agresivitetin në situata të tilla, tregojnë, se është opinioni publik ai që ndëshkon sjelljet jo-verbale mohuese si p.sh të këtij mendjemadhi ballkanik.
Pra, opinioni publik nuk vlerëson vetëm sjelljet negative dhe përjashtuese të politikanit, por edhe gjuhën e tyre të trupit. E, gjuha e trupit dhe mimika e Thaçit të premten ishte nënçmuese dhe ofenduese, jo vetëm për kundërshtarët politik dhe gazetarët e ftuar në “debat”, por edhe për shikuesin dhe popullin në përgjithësi. Kjo paraqitje e tij shkakton pa mëdyshje besueshmëri të ulët. Shikuesi argumentet e Thaçit i merr si të pasakta dhe pak bindëse.
Hashim Thaçi, ju mund të tundni kokën në një “debat” televiziv dhe të lëvizni duart ashtu si ju kanë këshilluar, por çfarë mendoni ju nëse populli, për përbuzjen dhe manipulimin që po i bëhet këtij nga politikat në pushtet, nesër, në zgjedhje të lira, në shenjë mohuese do të tundë kokën e tij?
Kontakto: gezim@mekuli.com