Në të vërtetë fjalimi i Nanos, të cilit ju iu referuat, ishte një fjalim patetik në limitet e paranojës, por ai atë fjalim e mbajti mesa duket për të prekur telat e delegatëve të Kongresit dhe mesa duket ia arriti qëllimit. Tani Nano ka arritur një objektiv dhe mendoj që ky është objektivi që arriti gjithë Kongresi në përgjithësi: Nano nga Kongresi mori një mandat shumë të fuqishëm politik. Ai këtë parti përfundimisht e kontrollon në të gjitha qoshet e saj. Unë mendoj që në funksion të habitjeve të Nanos kjo është arritur, por nga ana tjetër nuk mendoj se është një gjë pozitive për zhvillimet politike në vend dhe për të ardhmen e Partisë Socialiste. Përjashtimi që iu bë Metës dhe mbështetësve të tij, apo moszgjedhja e Edi Ramës dhe Rexhep Meidanit në kryesinë e Partisë Socialiste në ditën e sotme, unë mendoj se është hakmarrja që Partia Socialiste dhe anëtarët e saj apo përfaqësuesit e saj, u bëri atyre që guxojnë të rivalizojnë liderin. Në këtë kuptim unë mendoj që Partia Socialiste po bëhet gjithmonë e më pak demokratike. Ky ishte zhvillimi negativ i gjithë Kongresit sipas meje.