Manifestim i ndërgjegjes dramatike, apo aq më keq, të munguar, është ajo që po ngjet në skenën e sotme politike të vendit. Politika po rrëshqet në “sokakun” e marrëzisë së saj, jo si në “Sokakun e të Marrëve”, por si në një terren, ku e papritura është frymë dhe gjendje. Protagonizmi politik po riciklon me shpejtësi konfliktin. Një konflikt që tenton të ngrejë infrastrukturën e vjetër që tejzgjati dhe vijon të shtojë këtë tranzicion socreal të postkomunizmit shqiptar. Logoritja e shumicës së kryesuar nga politikani Berisha, po përballet me një gjendje që problematizohet, për shkak të kësaj rrjedhe konflikti.
Përgjegjësia e politikës, si administratore e normalitetit të nevojshëm, po vetëtradhtohet. Në skenën e ditës, kryedebat po shndërrohet projekti i qeverisë për shembjen e Piramidës dhe ideja (jo projekt me maket) për ngritjen e korpusit të Parlamentit mbi themelet e saj. Është gjetur, në sipar të kohës elektorale, objekti për të rifreskuar përdorimin e kauzës së antikomunizmit. Kjo është ndërmarrje vetjake e kryeoratorit të vjetër politik, të kësaj shumice delikate në qeverisje. Është gjetur simboli për indoktrinimin e masës elektorale, në këtë nisje të dyshimtë fushate, për një përballje me palën kundërshtare. Një mjet me përmbajtje ideologjike për ta rikompleksuar palën e paideologji dhe skrupuj trashëgimie, siç është PS e tanishme.
Piramida po shndërrohet në objektin që përmes historisë së vetë të krijimit, mund ta rielektrizojë ideologjikisht përballjen e tanishme pozitë-opozitë. Një mjet i vjetër, për një qëllim rishtar. Në këtë preferencë të Kryeministrit Berisha, po përfshihen të gjithë. Pra, elektrizimi politik i debatit po ndodh. Seanca e djeshme në Parlament është dëshmia e qartë. Rreziku për ta pësuar ajo godinë e kushtueshme dhe për të gëlltitur miliona e miliona euro të tjera në të ardhmen, është eminent. Në këtë vend nuk ka pasur kurrë llogaritje të kostove, por vetëllogari të arritjes së qëllimit. Pësimtari popull e zgjedh vetë ndarjen në ata që janë “pro” dhe në ata që janë “kundër” shembjes apo ruajtjes së objektit. Pësimtari popull nuk ka kurrë një aksion llogarikërkimi për faturat që lënë apo marrin vendimet autoritariste.
Kjo përfshirje në diskutimin për shembjen apo ruajtjen e objekteve publike, shfaqet si liri, si fasadë e madhe e lirisë që propagandikisht politika ia shet si kontribut të saj shoqërisë së vogël shqiptare. Një liri pa përmbajtje dhe me fatkeqësinë e vështirëndreqshme të referencave dhe trashëgimisë. Shembjet e pallogaritura dhe sidomos ato që mbartin pasion politik, janë fatura që duhen ekspozuar dhe tundur para syve të zotëruesve të vendimmarrjes. Mosndodhja e këtij reagimi, shumëfishon rrezikun e varfërimit të shërbimit dhe financave të shtetit ndaj qytetarit. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë fatkeqësisht ka triumfuar ndërgjegjja e rrezikut për shkak të lirisë spontane dhe pa përmbajtje. Ne jemi pikërisht në shijen e së thënës së Kazanzaqisit: “Rreziku, - pasojë e lirisë”.
Mirëpo në rastin e shembjeve të tilla, vlen më shumë syçeltësia pragmatiste se rreziku i flamurit për rikthimin e nostalgjisë ideologjike. Ajo çka Dritëroi i urtë pohonte dje për “Shqip”-in: “Të transformojmë ‘godinën” e kokës’ e jo të shembim godina”, mbetet e thëna që vlen si ndërgjegje që duhet, përballë rrezikut të ndërgjegjes dramatike të politikës. Kjo propagandë ka faturë tronditëse.