Nuk do të trajtojmë në këtë shkrim dellin nekrofil që nxit Berishën t’i drejtohet përsëri shkatërrimit. Pra s’do merremi me atë dell që “Piramidën”, një ndërtesë, një send pa shpirt, e quan një gjë të gjallë, e quan zemra e “komunizmit” pa shkatërrimin e së cilës, nuk mund të bëka hajër Shqipëria. Sepse e dimë që zemra e çdo sistemi politik është jo në ndërtesa, por në trutë e njerëzve.
Ndaj do merremi më gjatë me atë dinakëri politike që e shtyn Berishën t’i kthehet pas 20 vjetësh temës së hershme të çrrënjosjes apo “shkatërrimit të komunizmit”, gjë që nuk mund të mos përngjajë me një lloj donkishotizmi. Ashtu si Don Gjizoti i turrej mullinjve të erës duke i akuzuar për përbindësha, ashtu dhe Berisha i turret Piramidës duke e akuzuar se është zemra e komunizmit. Por ndërsa Gjizoti e bënte nga çmenduria, Berisha e bën pjesërisht edhe nga një dinakëri cezariane që udhëhiqet nga motoja: përça dhe sundo.
Me shumë të drejtë disa analistë kanë konstatuar se Berisha po i rikthehet luftës simbolike kundër komunizmit. Dhe “rikthim” është termi i saktë, sepse edhe në fillim të viteve ’90 kur shitej dhe e shisnin si sjellës të demokracisë, Berisha jo vetëm nuk e ka luftuar asnjëherë komunizmin, por u bë konservuesi i shumë mendësive dhe praktikave komuniste në politikën postkomuniste. Në fakt, një neokomunist me kostum “demokrati”.
Nëse Berisha do kishte qenë vërtet një lider i dedikuar ndaj vlerave të demokracisë, të paktën prej 20 vjetësh nga rënia e komunizmit prona e rrëmbyer nga komunizmi do kishte shkuar tek i zoti, të përndjekurit politikë do ishin shpërblyer dhe rehabilituar denjësisht për sakrificat, dosjet e agjentëve të Sigurimit do ishin hapur me kohë, në Shqipëri do ishin krijuar gjykata dhe pushtete të tjera të pavarura, njerëzit nuk do flakeshin nga punërat për shkak të bindjeve politike të ndryshme nga ato të pushtetit. Pra do ishin bërë shumë gjëra nga ato që përbëjnë themelin e një shoqërie të hapur demokratiko-liberale. Por nuk janë bërë, sepse kryeliderë si Berisha, që po qeverisin fatin e shqiptarëve në një kohëgjatësi të denjë për diktaturat, nuk kanë qenë asnjëherë të interesuar për demokraci reale, por për një demokraci false që është vetëm gjethja e fikut e hallateve të një sundimi të ri të korruptuar dhe në thelb, neokomunist.
Por ndërsa e ka luftuar komunizmin vetëm simbolikisht, Berisha, ky komunist që nuk arriti kurrë të bëhet një ish-komunist, por vetëm një nga ata antikomunistët-komunistë aq të rrezikshëm për demokracinë që përmend Valcav Havel, gjithsesi, nuk mund t’i harrojë dot lehtë përfitimet që pati nga “antikomunizmi” simbolik që ushtroi në vitet ’90. Sepse ishte një “antikomunizëm” që e solli në pushtet me mbështetjen e shumicës së shqiptarëve që ushqenin iluzione për shpëtimtarin, për “mesian” blu që po rrëzonte “mesian” e kuq, Enver Hoxhën.
Ishin kohëra përçarjesh të mëdha mes shqiptarëve në komunistë dhe antikomunistë, përçarje që ia bënë të lehtë jo vetëm ardhjen në pushtet, por edhe zbatimin e projekteve për përjetësimin e një pushteti gjithnjë e më pa kufij. Dhe Berisha do të ishte përjetësuar me kohë në pushtet (ambicie që e ushqen edhe sot e gjithë ditën) nëse nuk do të kishte ndodhur “aksidenti” tragjik me piramidat financiare, në fakt, një produkt i paaftësisë, korrupsionit dhe verbërisë së pushtetit të tij. Do të ishte përjetësuar, sepse edhe në jo pak qarqe politike perëndimore, Berisha kishte nisur të perceptohej si lideri i vetëm që mund të çrrënjosë komunizmin në Shqipëri. Ndaj në këto kohë të vështira për të, kur qeverisja e tij mbetet tepër deficitare ndaj demokracisë në të gjitha rrafshet, si atë ekonomik, të zbatimit të ligjit apo dhe atë politik, Berisha po tenton të rikthejë, me donkishotizëm dhe dinakëri njëherazi, ato kohëra kur ai perceptohej nga jo pak shqiptarë, por edhe nga jo pak perëndimorë si kalorësi i demokracisë që do vriste kuçedrën e komunizmit shqiptar.
Dhe natyrisht këtë kryqëzatë të re “antikomuniste” ai mund ta bëjë përsëri vetëm në mënyrë simbolike, duke shkatërruar Piramidën. Sepse një luftë reale e Berishës kundër traditave komuniste në Shqipëri do të thoshte që Berisha të luftonte vetë kundër Berishës dhe pushtetit të Berishës. Prandaj mendja e tij prej nekrofili makiavelist, intrigon befas shkatërrimin e një ndërtese si Piramida, të cilën, e shpall me të gjithë zërin e propagandës së vet, zemra e regjimit komunist. Por kur paska qenë e tillë, përse e kanë lënë për 20 vjet të rrahë këta varrmihës të komunizmit?
Harresë, verbëri, trashësi? Aspak! Por është mendjeshkrepje tipike enveriane e Berishës për të ringjallur luftën e klasave, dasinë mes shqiptarëve në antikomunistë dhe komunistë. Ata që do dalin kundër shkatërrimit do i akuzojë se po mbrojnë komunizmin. Ndërkaq, shpreson të mobilizojë kundër opozitës (pra në favor të tij) që po mbron Piramidën, të gjithë klasën e zhgënjyer të përndjekurve dhe pronarëve që i la me gisht në gojë për 20 e kusur vjet. E gjitha është një intrigë që duke shpresuar në budallallëkun, naivitetin e jo pak shqiptarëve, kërkon t’i ripërfshijë ata në vorbullën e një konflikti të demoduar ideologjik në qendër të së cilit qëndron një ndërtesë, një gjë pa shpirt, por që propagandohet si shpirti i një sistemi pa shpirt. E pra, nëse sistemi komunist është ende gjallë në Shqipëri, nëse ai ka një shpirt, ky është berishizmi që priret thelbësisht ndaj shkatërrimit të shanseve të demokracisë, të institucioneve të saj ndërsa zhvillon vetëm “luftë” simbolike ndaj traditave komuniste dhe krimeve të sistemit komunist.
Duke qenë në thelb neokomunistë, Berisha dhe berishistët nuk kanë kuptuar se demokracia nuk është revolucion që shkatërron për të ndërtuar. Demokracia e transformon. Ajo nuk ka nevojë të shkatërrojë një ndërtesë që të luftojë komunizmin, por ajo e mposht komunizmin me forcën e lirisë së mendjeve të çliruara, me forcën e fjalës së lirë, të tregjeve të lira dhe institucioneve të pavarura. E mposht me të gjitha ato që Berisha ka 20 vjet që rreket t’i mposhtë. Demokracia e mposht komunizmin jo me shkatërrime “Piramidash”, por me më shumë demokraci, pikërisht me atë që Berisha ka 20 vjet që përpiqet ta shndërrojë në një sistem fals, ku ligji s’është ligj dhe drejtësia është padrejtësi. Berisha kërkon të rrënojë sot “Piramidën” që ta shndërrojë vetë demokracinë në një Piramidë me vetë Berishën në majë të saj.