"Në gjithë botën" është argumenti që hasim shpesh jo vetëm në jetën tonë të përditshme, por edhe në debatet publike. Ai shfaqet në forma të ndryshme. Herë "në gjithë botën…", herë "në asnjë vend të botës…", dhe herë-herë "nuk ka vend në botë ku…". Kështu, dikush që është kundër prishjes së Piramidës do të thotë "në gjithë botën ruhen godinat historike". Ashtu sikurse një tjetër që është pro prishjes së saj do të argumentojë se "në gjithë botën shemben simbolet e diktaturës". Në të njëjtën mënyrë, dikush që "argumenton" hapjen e kutive, me siguri do shprehet se "në asnjë vend të botës demokratike nuk mbahen mbyllur kutitë". Ashtu sikurse dikush që është kundër hapjes së kutive do thoshte se "nuk ka vend të botës ku opozita nuk respekton vendimin e gjykatave".
Është e vështirë të gjesh një debat publik shqiptar ku dikush mos ti referohet të paktën një herë të gjithë botës. Me "gjithë botën", në fakt nënkuptohet thjesht Perëndimi, ndonjë vend i Europës perëndimore ose SHBA-të. Kjo për faktin e thjeshtë sepse sistemi politik që ne po përpiqemi të ndërtojmë, konceptohet thjesht si një kopje e modelit perëndimor. Për pasojë, gjithçka që ne duhet të bëjmë në Shqipëri duhet të jetë një kopje sa më besnike e asaj që ndodh në Perëndim. Ndaj, analogjia me perëndimin në debatin tonë publik kthehet në argument.
Problemi është se Perëndimi si një entitet homogjen nuk ekziston. Ka shumë perëndime, ka Amerikë, Francë, Gjermani, Angli, Skandinavi, Itali, e kështu me radhë. Dhe në secilin prej tyre mund të gjesh shembuj si pro edhe kundër për çdo argument. Ndaj të thuash "në gjithë botën", në fakt nuk ke thënë asgjë. Pra, kemi të bëjmë me një pseudo-argument.
Por pavarësisht ndryshimeve, vendet perëndimore kanë diçka të përbashkët që mund dhe duhet të imitohet, mund të thotë me të drejtë dikush. Këto janë aspekte si demokracia, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, liria politike, toleranca sociale apo transparenca në qeverisje. Problemi është se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, transparenca zgjedhore apo demokracia, janë të vlefshme në vetvete jo thjesht sepse mund ti gjejmë në Perëndim. Përndryshe, i bie që nëse në Perëndim nuk ka më demokraci apo zgjedhje të lira dhe të ndershme, edhe ne do duhej të hiqnim dorë prej tyre.
Ndaj, kuti matës dhe vlerësues i zhvillimeve politike në vendin tonë duhet të jenë pikë së pari ideale të caktuara politike, sociale e ekonomike dhe jo referenca të përgjithshme të llojit "në gjithë botën…". Fatkeqësisht, ideale të tilla tek ne rrallë artikulohen, pasi vetë sistemi ynë politik është bazuar në logjikën e kopjes. Ne kopjojmë ligje, kopjojmë fjalime, kopjojmë debate dhe formate televizive, kopjojmë spektakle televizive, e kështu pafund. Për pasojë, demokracia jonë është një imitim sa i shëmtuar, aq edhe bosh i asaj perëndimore.
Në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të imituar "botën", ne nuk kemi mundur të ndërtojmë një përfytyrim të saktë të vetvetes. Këtu duhet kërkuar edhe një nga pasojat e shpërfytyrimit të sistemit tonë politik, ekonomik dhe social. Referenca ndaj botës së jashtme shpesh shërben si mënyrë për të shmangur arsyetimin mbi realitetin tonë të brendshëm. Për pasojë, shumica e debateve publike, duke iu referuar pa fund Europës, shpesh arratisen nga realiteti shqiptar.
Natyrisht nuk ka asnjë gjë të keqe tu referohesh eksperiencave nga jashtë, por ato nuk mund të zëvendësojë realitetin tonë të brendshëm. Zgjidhjet që kërkon realiteti shqiptar nuk mund të kopjohen shabllon nga jashtë. Kështu, nëse diskutojmë për ruajtjen apo prishjen e Piramidës, ne mund ti referohemi eksperiencës së Berlinit, Romës apo Parisit. Ama argumentet pro apo kundër saj duhet të marrin parasysh kontekstin tonë urban, politik, historik, social dhe ekonomik. Përndryshe, në vend që të ofrojnë zgjidhje për realitetin tonë, këto argumente do shërbejnë shpesh për tu arratisur prej tij.