Mediat dhe Politika
Partia, gazetaria dhe z. Dell
Gëzim MEKULI*, Prishtinë
Çfarë është pavarësia e opinionit publik në Kosovë sot? Cilët janë ata persona dhe organizma që po e kontrollojnë mendimin, qëndrimin dhe fjalën e lirë? Kush është ai që ka fuqinë rreth mediave? A janë mediat dorë e zgjatur e institucioneve qeveritare dhe partiake.
Mediat shqipe janë ”rob” i burimeve të informacionit që vjen nga UNMIK-u, EULEX-i dhe nga partitë politike. Problemet e pazgjidhura politike të Kosovës nuk janë paraqitje e realitetit që bëjnë këto media. Ato nuk janë reflektuese besnike të botës dhe të realitetit të shqiptarëve të Kosovës, por më shumë janë duke e paraqitur "realitetin" ideologjik të parë me ”syzet dhe me thjerrëzat” e UNMIK-ut dhe EULEX-it; E, ky është edhe "realiteti" i partiakëve dhe i klaneve të qeverisë së Kosovës. Këta dhe vetëm këta janë regjisorët e debatit dhe të polemikave në opinion.
Filozofi dhe sociologu i madh i këtij shekulli, Habermas, thotë se opinioni publik në kohën e feudalizmit ishte i përfaqësuar. Pra, opinioni publik në këtë periudhë përfaqësohej dhe paraqitej nëpërmjet mbretërve dhe princave të oborrit mbretëror.
Ky lloj opinioni publik, kokë e këmbë, ka qenë i lidhur me oborrin mbretëror dhe ishte produkt i vetë mbretit. Ishte mbreti ai që përfaqësonte dhe paraqiste popullin në opinionin publik. Ishte mbreti ai që i tregonte popullit se si duhet të jetonte dhe të mendonte. Populli nuk kishte asnjë rol në vendimmarrjet dhe në përpunimin e opinionit publik. Populli ishte vështrues pasiv i ngjarjeve politike dhe ekonomike. Feudalizmi paraqiste dhe ushtronte pushtetin e vet te populli dhe jo para popullit.
Dobësimi i opinionit publik vjen se kultura masive konsumuese ka bërë që ne të shndërrohemi nga një publik rezonues kulturor në atë konsumues të kulturës. Inteligjencia e shoqërisë që kemi sot, është tërhequr prapa. Kjo inteligjencë, fillimisht duke qenë aktive dhe udhëheqëse në debate dhe në kritika publike, që në kohët më të vështira dhe më të zeza të sundimit rankoviqian, titist dhe millosheviqian, është censuruar dhe është detyruar të qëndrojë në pozitën pasive të vështruesit të ngjarjeve në opinionin publik. (Ku është Demaci? Ku është Qosja, Ku është E. Stavileci?)
Pothuaj, çdo gjë që është duke u prodhuar nga shkencëtarët, letrarët, profesorët universitarë dhe doktorët e mirëfilltë të shkencave, mbetet në "dhoma të mbyllura" dhe pak e rrallëherë fiton publicitetin e duhur medial në opinion. Kjo është një ndër arsyet që opinioni publik ka humbur funksionin e tij kritik.
Partiakucët janë duke e ushqyer dhe duke e zbatuar këtë opinion feudalimponues dhe reprezentues, sepse politikat mediatike feudaliste kanë shndërruar sistemin politik të Kosovës në një "media show". Opinioni shqiptar i Kosovës, për shkak të këtyre ndryshimeve, është shndërruar në objekt tallës dhe vend për tregti dhe shitje. Ky opinion nuk është më forum për një debat racional dhe kritik. Interesa të ndryshme grupore, të prirura nga lakmia dhe kamja, po shfrytëzojnë opinionin publik dhe injorant si një arenë për të ekspozuar dhe për të reklamuar pozitat dhe prestigjin e tyre, duke mos pasur në konsideratë interesat e përgjithshme. Të gjithë këta faktorë kanë si pasojë që opinioni ynë publik ka rrëshqitur në drejtim të opinionit publik feudal e reprezentues.
A do të ndryshoj ky opinion feudal pas 12 Nëntorit?
Patjetër! Sepse shqiptarët duan të kenë një hapësirë publike mu si atë të popullit të madh amerikan; kritik, të lirë dhe demokrat.
*Gëzim Mekuli është emëruar kandidat për Deputet nga Lëvizja Vetëvendosje!