Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dhunës në gjimnaze dhe të drejtat e të miturve

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 15 vite më parë

Aranita Brahaj
Dhunës në gjimnaze dhe të drejtat e të miturve

Titullari, funksionari,punonjësi i thjeshtë i një institucioni, në asnjë rast nuk duhet të publikojë gjeneralitete të të miturve nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qofshin këta autorë...

...apo të dëmtuar nga veprat penale. Ky kufizim vlen për funksionarë të Policisë së Shtetit, të institucioneve shtetërore që kanë akses me detyrimin për mosinformim të të dhënave. Nga ana tjetër, përkon edhe me detyrimin e mospublikimit të gjeneraliteteve dhe pamjeve filmike të të miturve për shtypin e shkruar dhe median elektronike. Ngjarja e fundit e plagosjes së një

nxënësi në shkollën e mesme “Eqerem Çabej” në Tiranë është një ngjarje e rëndë sa u takon problemeve sociale që lidhen me kriminologjinë për të mitur dhe sigurinë në shkolla. Përtej aspektit të kriminologjisë, mënyra se si u pasqyrua ngjarja mediatikisht meriton vëmendje në dy aspekte: së pari, në respektimin e të drejtave ligjore të të miturit nga stafi pedagogjik, si dhe është e drejta për mbrojtje të të dhënave personale; dhe së dyti, e drejta për informim, ku në rastin e një ngjarjeje me të mitur është një e drejtë që rregullohet dhe kufizohet me ligj dhe me kode etike. Mosdhënia e gjeneraliteteve të të miturve autorë apo të implikuar në një ngjarje kriminale përbën detyrim që ka bazë ligjore në disa norma që veprojnë në Republikën e Shqipërisë, përmend këtu Kodi i Procedurës Penale, ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ligjin “Për grumbullimin, administrimin dhe ruajtjen e informacionit të klasifikuar sekret policor”. Po kështu, ky kufizim rivendoset edhe në ligjin e miratuar sëfundmi nga Kuvendi “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, ligj i cili nuk ka hyrë ende në fuqi, por që rregullon të drejtën e të miturit për mbrojtje të privatësisë, duke cituar si subjekte të mundshme të shkeljes së kësaj të drejte institucionet e përkujdesjes shoqërore dhe median.

Kronika e datës 23 nëntor, ku dy nxënës të shkollës së mesme “Eqerem Çabej” në kryeqytet, plagosën me katër goditje me thikë një tjetër nxënës të po kësaj shkolle, është tepër tronditëse po të shtosh dhe faktin që pa u mbushur ende dy muaj të këtij viti shkollor, vetëm në gjimnazet e Tiranës kemi tri ngjarje të rënda. Duke hulumtuar ekranet televizive dhe gazetat do të kuptojmë se zëdhënësi kryesor i kësaj kronike është nëndrejtori i shkollës “Eqerem Çabej”, zoti Mistret Saiti. Të paktën nëntëdhjetë për qind e mediave që kanë publikuar lajmin, kanë intervistuar dhe cituar z. Saiti. Unë do të paraqes më poshtë dy pasazhe të zbardhura nga intervista e tij në dy media, intervistën e dhënë për ABC News dhe atë për Top Channel. Dhe konkretisht duke cituar Saitin: “…dërgova ca çuna të shohin se ç’po ndodhte… nxënësit protagonistë të këtij sherri janë (emër, mbiemër të nxënësit të parë) dhe (emër, mbiemër të nxënësit të dytë), nxënës të klasës së II3. Ata kanë sulmuar nxënësin (emër, mbiemër), nxënës në klasën paralele II(4). Sipas informacioneve që kam nga nxënësit, më rezulton që ky është goditur të paktën katër herë me thikë”. Ndërsa në edicionin informativ të televizionit Top Channel, Sahiti deklaron: “... rreth orës dhjetë e tridhjetë, unë informohem se një nxënës i shkollës është plagosur me katër thika, megjithëse ka ndodhur jashtë territorit u morën të gjitha masat, nga ana tjetër komisariati nr. 4 ishte vënë në lëvizje... Për hir të së vërtetës, unë mund të them vetëm ato që kam dëgjuar, por më rezulton që sherri ka qenë për një gocë. Gjendja shëndetësore e (jep emrin e nxënësit të plagosur) sipas të dhënave të marra nga përfaqësuesit e komisariatit nr. 4, më rezulton e rënduar”.

Duke lexuar këto deklarime të nëndrejtorit të shkollës kuptohen disa të vërteta të modelit pedagogjik që ofron ky rast. Së pari, numri i dy i një shkolle të mesme të përgjithshme në kryeqytet shkel të drejtën e të miturit për jetë private, e drejtë që atij i njihet në të paktën katër ligje të cituara më lart, me fuqi në Republikën e Shqipërisë. Gjeneralitetet e të miturve autorë, viktima dhe dëshmitarë në ngjarje penale (rasti konkret paraqitet si plagosje me dashje) nuk mund të publikohen. Këto gjeneralitete nuk zbardhen as në momentin që shtetasi mbush moshën tetëmbëdhjetë vjeç. Të dhëna të këtij lloji mund të hidhen në regjistra me akses për publikun vetëm pas vdekjes së personit. Përjashtim nga ky kufizim ligjor përbën rasti kur publikimi i identitetit dhe pamjeve të të miturit është i nevojshëm për të ndihmuar zgjidhjen e një ngjarjeje kriminale, ku i mituri është nën rrezik fizik për jetën, siç mund të jetë rasti i një të mituri të rrëmbyer apo deklaruar i humbur. Zbardhja e të tre identiteteve nga një titullar institucioni të arsimit publik është një rast që kërkon minimumi një procedim administrativ si shkelje e rëndë.

Së dyti, duke cituar gjithmonë si burim informacioni persona të tjerë dhe jo veten e tij apo ndonjë koleg pjesëtar të stafit pedagogjik, nëndrejtori deklaron “kur mora vesh ngjarjen, dërgova disa çuna të shikonin se ç’po ndodhte”. Ky detaj më kujton për fat të keq dy personazhe të filmit të regjisorit Dhimitër Anagnosti, “Lulëkuqe mbi mure”, Sulon dhe Kujdestarin. A është etike që një përfaqësues i pedagogjisë aktuale të përdorë adoleshentët si informatorë! E nëse etika është subjektive për t’u gjykuar, nxitja e një të mituri për t’u afruar në një vendngjarje krimi e për t’u bërë dëshmitar i saj është përsëri një veprim kundër interesave dhe sigurisë së të miturit. Situata do të ishte shumë e rëndë nëse ndonjë nga adoleshentët e stimuluar nga nëndrejtori për të marrë informacion do të viktimizohej duke u afruar në vendngjarje. Gjithashtu, nuk është shumë qytetare dhe profesionale tendenca e nëndrejtorit për të theksuar se gjithçka ka ndodhur jashtë territorit të brendshëm të shkollës.

Kjo nuk e lehtëson situatën apo përgjegjësinë e mundshme të stafit pedagogjik të shkollës për rastin në fjalë. Një titullar që insiston në këtë detaj nuk jep mesazhin e profesionistit të përkushtuar tek komuniteti i prindërve që kanë fëmijët në këtë shkollë. Dhe për ta kuptuar nga deklarata se sa stafet pedagogjike kanë ndryshuar drejt një modeli shumë më indiferent dhe më pak human në raportin mësues-nxënës, dua të ndaloj edhe tek një pasazh tjetër i intervistës me nëndrejtorin e shkollës, pjesën ku jep edhe të dhëna për gjendjen e rënduar shëndetësore të nxënësit të plagosur. Kështu, ai deklaron se të dhënat për shëndetin e të plagosurit i ka marrë nga punonjës të komisariatit që po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Vlerësohet interesi i tij për gjendjen shëndetësore të nxënësit, por a nuk do ishte më njerëzore që së paku këtë informacion për jetën dhe shëndetin e nxënësit të kësaj shkolle, mësuesi ta merrte duke iu afruar spitalit ku mjekohet i mituri, ose së paku të citonte një koleg të tij që në statusin e mësuesit kujdestar do respektonte atë traditën humane të shkollës shqiptare të interesimit për një nxënës në vështirësi. Për fat të keq, këto lloj deklarimesh të titullarëve të stafeve pedagogjike mbeten paksa jashtë vëmendjes dhe jashtë analizës qytetare e institucionale. Pak orë pas deklaratës së nëndrejtorit, është ministri i Arsimit dhe Shkencës, Eqerem Tafaj, i cili në një komunikim me GSH, shpjegon se zgjidhja do të ishte rivendosja e patrullimit policor në shkolla. Për analogji, ministri ka një vizion të ngjashëm të përgjegjësisë, si edhe nëndrejtori i shkollës.

Kështu, për të, ngjarja është jashtë oborrit të dikasterit të tij dhe zgjidhja pritet në godinën e Policisë së Shtetit. Në fakt, në minimum do të duhej një analizë nëse stafet pedagogjike në shkolla kanë njohuri mbi të drejtat e të miturve apo i shkelin vetë ato, shprehen si modele të respektimit të lirisë dhe tolerancës sociale, a kanë shprehi të parimeve pedagogjike, janë të besueshëm për bashkësinë e nxënësve dhe komunitetin prindëror. Kjo pasi nëse stafet pedagogjike lënë shumë për të dëshiruar në këtë kulturë mbi parime dhe të drejta qytetare e profesionale, si mund të presim nga këta modele mësuesish të bëhen përçues të mesazhit të komunikimit pa agresivitet e dhunë tek adoleshentët.

Dhe duhet të ndaloj edhe në një aspekt tjetër që lidhet me kronikën e kësaj ngjarjeje. Për fat të keq, asnjë gazetë, ekran apo agjenci informative në vendin tim nuk shfaqi modelin ligjor dhe etik që përkon me mosdhënien e identiteteve të të miturve të përfshirë në një krim. Mjaftoi një deklaratë e pakujdesshme e një nëndrejtori shkolle, ku zbardheshin shumë detaje të krimit, përfshi dhe emrat e autorëve dhe viktimës. Gazetarë, redaktorë e drejtorë informacioni harruan të censurojnë identitetin e tre të miturve. Do ta kisha kursyer këtë lloj kritike ndaj komunitetit profesional ku edhe unë bëj pjesë, nëse ky do të kishte qenë një rast i vetëm, por me të njëjtën pakujdesi hulumtoj se janë zbardhur në të gjitha gazetat dhe ekranet e mundshme, edhe emrat e dy nxënësve të përfshirë pak ditë më parë në një ngjarje analoge në një tjetër gjimnaz të Tiranës.

Emrat e nxënësve u dhanë në të gjitha TV kombëtare apo lokale, vetëm dy gazeta dhanë me iniciale emrin, por të plotë mbiemrin e secilit prej të miturve, ndërsa agjencitë informative dhanë identitetet të plota, në një rast duke shtuar edhe adresën e banimit për një nga të miturit. Shqetësimi social dhe paniku i komunitetit të prindërve përkoi me interesimin për publikim të gjerë me tituj kryesorë në media, ngjarja kaloi kufijtë mediatikë të Tiranës, duke mbërritur edhe në hapësirat për informim në Prishtinë dhe Shkup, ku kolegët gazetarë megjithëse cituan si burim shtypin diskret të Tiranës, u vetëkufizuan duke thënë se identitetin e nxënësve nuk mund ta pasqyrojnë për shkak të moshës së mitur, frazë kjo që mungoi në median shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama