Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

E pamjaftueshme shumica, heterogjene opozita

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
E pamjaftueshme shumica, heterogjene opozita

Zgjedhjet e kësaj së diele në Kosovë janë akti i finalizuar për një startim të ri vijues dhe promovues. Pesha reale që ka vijimësia institucionale për periudhën postzgjedhore, përbën aspektin më të rëndësishëm të historisë së re që po realizon shteti rishtar i Kosovës. Kjo peshë merr vlerën e një bazamenti për të mos pasuar historia e një tranzicioni alla shqiptar, si ai i Shqipërisë së pas viteve ‘90, por për të fituar kohën për llogari të integrimeve dhe, sidomos për të fituar kohën në provimin e vlerave vetëqeverisëse,në afirmimin e institucionalizmit dhe shtetit ligjor.

Që të vijojë ecja në këtë kah të dëshirueshëm, nevojitet shmangia e gabimeve dhe sidomos ruajtja e korrektesës së asaj që udhëheqësia deklaron, veçanërisht në këto orë të pritjes së rezultatit zyrtar. Dalja e vrullshme e Kryeministrit në detyrë, njëherësh kandidat për më tej, zotit Thaçi, për deklarimin e fitores paraprake, përbën një rënie në pozitën e njohur të fituesit të padurueshëm. Institucioni pra KQZ, pas kësaj, do të flasë për rezultatet e veta përfundimtare, pasi të jetë ndezur mjedisi politik, pra, pasi të jetë zjarrmuar debati politiko-elektoral mes rivalëve që vetëshpallen fitues, sikundër fituesi i vetëshpallur me ngut, Thaçi.

Në këtë deklaratë të tipit “shqiptar” (sjellim krahasimin me zgjedhjet në Shqipërinë tonë, kur Berisha apo Nano e Rama s’kanë pritur kurrë të vijë afishimi i fituesit prej KQZ-së, por janë vërsulur në ngutin e pandreqshëm), udhëheqësit e Kosovës, po instalojnë mekanizmin e politizimit të institucionit që administron zgjedhjet, sikundër edhe po mbjellin klimën e vetëdeklarimit dhe kontestimit. Këto dy aspekte të sapopromovuara në praktikën dhe sjelljen postelektorale në Kosovë, janë premisa të pazhbëshme të tejzgjatjes së sjelljes tranzicionale mes klasës politike dhe ndër marrëdhëniet partiake të Kosovës.

Në këtë rendje vetëdeklarimesh, gjithë oratorët rezultat-shpallës në Kosovë, po kryejnë me dashje apo pa dashje, aktin ndëshkues ndaj besueshmërisë dhe pavarësisë së institucioneve e administratës zgjedhore. Në këtë ngutje dhe mëkat fillestar tranzicioni, po përfshihen si fituesit ashtu edhe humbësit, si shumica që do riqeverisë me aleatë të rinj, ashtu edhe opozita që shfaqet më heterogjene se kurrë. Por pa kaluar në formulën që do të zgjedhë fituesi i këtyre zgjedhjeve për përgatitjen dhe ndërtimin e kabinetit qeverisës, le të mbetemi disi në këtë kulturë zgjedhore të re që po shfaq kjo klasë politike në Kosovë.

Ditët që do të pasojnë pas së dielës, do të jenë sipas gjasave, ditë debatesh, polemikash dhe akuzimesh të shtrira në nivel lokal dhe gjithëvendor. Oratorët elektoralo-partiakë do të silurojnë akuza, denoncime dhe sidomos vlerësime kontestuese dhe demaskuese për sjelljen ndaj votave dhe sidomos për përgatitje dhe manipulim rezultatesh. Kjo maratonë amorfe ka nisur dhe fatkeqësisht në këtë ilaritet virtual e verbal po përfshihen edhe faktorë të tjerë, ekstra politikë dhe ekstra elektoralë. Partitë e mbetura në pakënaqësinë e rezultatit të dëshiruar, po bëhen aktore të gjullurdisë post-elektorale.

Në këtë mënyrë po ngrihet në funksionim mekanizmi i zhurmnajës dhe ndotjes së cilësisë së këtij procesi elektoral. Ndonëse prej të gjithëve, por sidomos prej autoriteteve ndërkombëtare, paraprakisht u cilësuan të qeta dhe kryesisht të rregullta. Deklarimet e menjëhershme të krerëve të partive konkurruese dhe pretenduese, pas deklarimit të zotit Thaçi si fitues, janë cikli i parë i zhurmnajës së kontestimeve që po nis vrullshëm në këtë skenë të “lehonërisë” zgjedhore. Vini re, se sa kontraversalë janë me njëri-tjetrin në deklarimet e para, krerët politikë të partive. Zoti Thaçi e cilësoi fitoren e PDK-së të "thellë dhe bindëse" në shumicën e qyteteve.

Ndërkohë që sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, shton se “fitorja e deklaruar nga zoti Thaçi është "shumë e parakohshme". Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, tha që “një trend i tillë i manipulimit të votës është parashikuar që më parë…”. Nga ana tjetër forca-surprizë në këto zgjedhje, “Vetëvendosja”, ka ngritur pretendimin se “ka pasur manipulime dhe kërkon përsëritje të zgjedhjeve në zonat e prekura”. Përfaqësuesja tjetër e një force me rëndësi siç është AKR, nënkryetarja e saj Mimoza Kusari-Lila, deklaron se “pavarësisht rezultateve ‘të pasakta dhe manipulative’, mund të pritet që PDK-ja të jetë e para në këto zgjedhje, por jo me një rezultat të thellë siç ka thënë Hashim Thaçi…”. (Janë pohime të përcjella përmes BBC-së)

Këto janë deklaratat e para, të hedhura së bashku me emocionin e parë të ndeshjes me rezultatet paraprake. Përmes tyre, lehtësisht mund të shquajmë qysh tani, se në tri-katër ditët e ardhme, mjedisi dhe skena politike e Kosovës do të ndezin edhe më tepër duelin mes akuzuesish dhe shfajësuesish. Ky është partneriteti më i keq në mjedisin ku cenohet dhe sidomos përdoret mekanizmi i demokracisë në zgjedhje. Elementet e këtij mekanizmi të cenuar nuk mbesin tregues vetëm për këtë ndërgjegje rishtare që dëshmojnë aktorët politikë në Kosovë, por bëhen tregues për demokracinë e re institucionale që kanë ndërmend të implementojnë në vend. Me këtë tregueshmëri,udhëheqësit e Kosovës së sotme, po ngrenë dilema të reja dhe po na japin shijen e rënies në pozitat e njohura të gabimeve politike, që klasa e Shqipërisë ka bërë përgjatë gjithë 20 viteve të tranzicionit postkomunist.

Kjo sjellje dhe kjo ndërgjegje e dëshmuar, edhe në këto zgjedhje të cilësuara me të drejtë si të parat e vetëbëra në pavarësi, shtojnë skepticizmin për formulat abuzante dhe sidomos lojërat negativiste që udhëheqësia do të nisë të bëjë në funksion të pasjes dhe mbajtjes së pushtetit. Këto premisa në Kosovën e sotme janë edhe më të rrezikshme, pasi rezultatet e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, po paraqesin një skemë nevojash komplekse për qeveriformuesin dhe partinë e tij që do të kryesojë koalicionin qeverisës. Kjo shumicë e porsadalë nga zgjedhjet në Kosovë është e pamjaftueshme dhe si e tillë udhëtimin ekzistencial do ta nisë nga aritmetika e votave. Kjo aritmetikë është e vështirë, sepse jo gjithmonë udhërrëfehet nga principi për të qenë e suksesshme nesër e pasnesër, por nga etja për ta zgjidhur sa më parë kabinetin.

 Përvoja politike në Shqipërinë “londineze”, sidomos pas viteve 2000, dëshmon fatkeqësisht versionin e kabineteve që jetojnë përmes aritmetikës në Parlament e jo kabinetet që jetojnë për shkak të hopeve apo cilësisë qeverisëse. Në këto vite, forcat partiake të Sali Berishës dhe Fatos Nanos zhbënë përkatësinë e tyre ideologjike dhe jetojnë si forca të realpolitikës së ngushtë dhe meskine. Në këtë përvojë pashmangshmërisht po rrëshqet edhe klasa politike e Prishtinës, por sidomos tri prej forcave kryesore politike kosovare PDK, LDK dhe AAK. Pamjaftueshmëria e shumicës së re parlamentare në Kosovë, bashkëjeton qysh nesër e tutje, me një opozitë heterogjene. Madje, gjasat janë që kjo opozitë jo vetëm do të jetë e larmishme në shfaqjen e vet parlamentare, por diametralisht shpesh edhe e kundërt në çështje të përfaqësimit kombëtarist.

Një “Vetvendosje” përballë forcës apo forcave të pakicës serbe, ka për të qenë vlerë, por edhe element përplasjeje në ditët e parlamentarizmit të ri e të papërvojë të Kosovës së vitit 2011 e në vazhdim. Kjo heterogjenësi e opozitës, nëse nuk orientohet kah një piste të shfaqjes dhe lëvizjes plurale, mund të shkaktojë arsyen e mjaftueshme të rënies në incidente krizash dhe përplasje me kosto institucionale për shtetin e ri. Për këtë arsye, formula e përllogaritjes së interesave që do të bashkohen në një kabinet qeverisës, duhet menduar ftohtësisht dhe duhet llogaritur me precizion politik për të mos u konvertuar në konflikt politik. Në të kundërt, Kryeministri i ri, i shumicës së pamjaftueshme, do të jetë i rrezikuar qysh në ditën e parë të dekretimit, nga vetja dhe nga opozita heterogjene.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama