Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

C’do te beje opozita?

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
C’do te beje opozita?

Kapitulli më i gjatë i një historie kërkese dhe refuzimi politik mes pozitës dhe opozitës pas gati dy vjetësh, është mbyllur. Procesi i transparencës së kërkuar prej opozitës socialiste për procesin zgjedhor të 2009-s, nuk është kryer. Mbi këtë kërkesë ka triumfuar koha për procedim të mëtejshëm kushtetues dhe fjala i është lënë vendimit të njëanshëm të anëtarësisë në shumicë të KQZ-së, duke u urdhëruar djegia e fletëve të votimit. Historia e kësaj kauze është mbyllur, por efektet morale dhe politike që rrjedhin prej saj, kurrsesi. Ky kapitull i fundmë i këtij subjekti të tejzgjatur, në vetvete është më shumë se një prolog, madje kapitull më vete për procesin e afërt zgjedhor të dekretuar në vend prej Presidentit të Republikës.

E vërteta e pretenduar e opozitës, duket se u shfaros fizikisht, por në të njëjtën kohë disa gjymtyrë të kësaj “kufome” të pangjallshme janë ende jashtë. Metafora lidhet me Komisionin Hetimor që vijon të kërkohet dhe parimisht është pranuar të ngrihet prej shumicës, sikundër edhe mosdjegia e materialeve zgjedhore, të cilat sipas pohimeve zyrtare do të vijojë t’i konsultojë opozita me një grup ekspertësh dhe teknokratësh këmbëngulës.

Opozita ka mbyllur një histori aksioni dhe veprimi politik, të cilën e pati dhe e ngriti si kauzën më të rëndësishme të saj në jetën politike të dy vjetëshit të fundit. Pas momentit djegës të fletëve, në mjedisin publik po gjallon diskutimi se zoti Rrama e humbi betejën dhe se zoti Berisha është i pathyeshëm në rezistencën e vet ndaj kundërshtarit politik. Në aparencë natyrisht që ky deduksion duket se është i pari, por në thelbin e fenomenit, mendoj se problemet paraqiten më komplekse. Gjithsesi, dilema e parë dhe që merr më tepër kureshtje pas kësaj është ajo e titullit të këtij shkrimi: Ç’do të bëjë opozita?

Zgjedhjet e majit të këtij viti, janë zgjedhje që kanë si paradhënie një diversitet refuzant mes dy palëve konkurruese. Subjekti i marrëdhënies pa qetësi në këta dy vjet mes kryeqeverisësit Berisha dhe kryeopozitarit Rama, lidhet me përplasjen e tyre për shkak të mosgjetjes së një “modus Vivendi” për ballafaqimin e ri elektoral. Koha ka rrjedhur shumë dhe ajo që ka mbetur në dispozicion të përgatitjes së një konkurrimi dhe përgatitjeje zgjedhore, është tashmë shumë e ngushtuar. Të dy liderët kanë studiuar rrethanat vetjake, duke eklipsuar në një farë mënyre rrethanat e formacioneve të tyre. Për këtë arsye, investimi taktik i deritanishëm i secilit, është në një kontekst me të panjohura. Kryeministri Berisha, falë përvojës së gjatë politike dhe i dominuar prej mekanizmit vetjak të politikëbërjes në raport me kundërshtarin e iniciativave të pakta, vijon të ngrejë kuotat e mbështetjes populiste.

Në rastin më të fundit edhe “dekorimi” i oponentit kryesor e potencial të zotit Rama në PS, pra zotit Blushi si themelues i gazetës së parë opozitare në vend, në kontekstin e parë të tij është një gjest karshillëku, për diversitet të ngacmuar opozitar. Sa i nevojitet sot zotit Berisha një protagonizëm brenda opozitarëve në raport me kryetarin e tyre, Rama. Pjesë e kësaj strategjie duket se është edhe ndërmarrja e lodhur e ortakut të qeverisës Meta, duke rekrutuar në radhët e forcës së tij, individë politikë që janë përjashtuar ose lënë jashtë angazhimit në PS, duke u përpjekur të krijojë një imazh të paplotë të procesit “klisidër” mes PS-së dhe LSI-së.

Në të njëjtën kohë, qeveria e Kryeministrit Berisha është tashmë në një raport publik më të paragjykuar, për sa i përket detyrimit që ka për të realizuar sërish një proces të pastër administrimi për zgjedhjet e afërta të majit 2011. Kjo është një vështirësi e madhe, sepse ajo në thelbin e vet ka të gjitha shanset për t’u konvertuar lehtësisht në një konflikt të ri politik, nëse opozita do të vijojë të shtojë kontestimin e vet qoftë ndaj kreut të institucionit më të rëndësishëm zgjedhor, pra zotit A.Ristani, qoftë edhe për momentin më delikat, atë të diskutimit të Kodit Zgjedhor. Madje, kapitulli për këtë çështje, jo vetëm që është shumë, shumë i vështirë, por sipas përvojës së njohur, apo thënë ndryshe tradicionalitetit parazgjedhor, do të nevojitet një autoritet ndërkombëtar, më ndikues se OSBE/ODIHR-i. Diplomacia elektorale për këtë aspekt, tashmë ka nisur dhe kanë mbërritur mediatikisht pohimet e para qoftë nga SHBA, qoftë nga Brukseli.

Kultura e demokracisë zgjedhore dhe sidomos ajo e administrimit principial të zgjedhjeve të 2011, pas kësaj është në provën e parë të tradhtimit. Diversiteti mes anëtarëve socialistë dhe atyre demokratë në këtë institucion është antagonist në shumicën e çështjeve të diskutuara. Në këtë rrethanë, shumë pakkush beson se qetësia është shpresë për mirëfunksionimin e këtij institucioni në fazën përgatitore. Por të panjohurat mbjellin më shumë dilema edhe për faktin se aksioni i ri opozitar në sesionin e ri parlamentar, nuk do të lidhet vetëm me qeverinë, por edhe me aktoren kryesore drejtuese të Parlamentit.

Në Parlament, marrëdhënia e dy vjetëve të fundit mes pozitës dhe opozitës ka dëshmuar së qeni më shumë konfliktuale se në propagandën publike. Koha e mbetur deri në zgjedhjet vendore, është kohë e parathënë si faza e mësymjes ekspozuese të abuzimit qeverisës, përmes foltores së Parlamentit. Nën sugjerime të opozitarëve të afruar si pjesë e ansamblit jo homogjen të majtë, kryeopozitari Rama duket se po formëson një taktikë të re të heshtur veprimi e lëvizjeje në raport me kundërshtarin. Jo më kot vijon ta mbajë në fuqi edhe dilemën e kandidimit dhe të mosshfaqjes së një pasardhësi të mundshëm në cilësinë e kandidatit për kryebashkiak të Tiranës.

Në plan të parë vijon të na mbajë në përshtypjen se ky mandat, po vlen si një pengmbajtës i PS-së dhe pozicionimit politiko-elektoral të krejt opozitës. Një pjesë tjetër vëzhguesish dhe komentonjësish politikë, po e shohin këtë raport të zotit Rama mes partisë së tij dhe konkurrimit të afërt elektoral, gati ekzistencial. Sidoqoftë, ky është moment kur kryeopozitari ka nevojë për kalkulimin e mirëpërgatitur të shfaqjes së korpusit të vet opozitar. Këtë gjë e ndien dhe e sheh si nevojë më shumë se askush. Sipas pohimeve nga selia rozë, ky është muaji kur strategjia e tij politike do të bëhet pjesë e shqyrtesës dhe miratimit forumal.

Ky është kapitulli kur atij i duhet të ndjekë lëvizjen dhe veprimin e vet në dy pista: Të fitojë marrëveshjen me aleatët dhe aktorët brenda korpusit të majtë, sikundër edhe të pasurojë arsenalin kundërveprues dhe reagues ndaj kundërshtarit të vet politik. Pista e dytë e rrezikon atë të bjerë pre e rikthimit në antagonizmin e konfliktit politik me Kryeministrin Berisha, i cili për shkak se e njeh si kushdo atë mekanizëm, priret ta sjellë në atë “shteg” kryeopozitarin që jeton në dilemën e rikandidimit.

Ditët e ardhme, në skenën politike të vendit, nuk ofrojnë skenar tjetër, veçse atë të tendosjes së mëtejshme të komunikimit dhe përballjes politike mes pozitës dhe opozitës. Opozita i ka të gjitha mundësitë për të shumëfishuar akuzat dhe për ta nxjerrë në pah atë që ajo e quan shmangie të realizmit pozitar në raport me treguesit e ekonomisë dhe mirëqenies në vend. Propaganda dhe mësymja antikorrupsion e saj, po shihet si “çelësi” që ia çel në të gjitha mënyrat dyert e vështirësisë Kryeministrit jetëgjatë Berisha. Për këtë arsye, kjo opozitë me këtë çelës të vjetër në dorë do të mësyjë ta lodhë e ta ulë imazhin e sinqeritetit për pastërti zgjedhore të shumicës apo koalicionit Berisha-Meta e të tjerë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama