Në qofshin të vërteta të gjitha ato afera korruptive që kemi kohë që dëgjojmë. Në qofshin të vërteta të gjithë zërat që thuhen lart e poshtë, herë me zë të lartë e herë me zë të ulët. Në qofshin të vërteta vilat e pushtetarëve që ngrihen si kërpudha të stërmëdha, të bukura, por të ftohta e të frikshme, si çdo gjë që vjen pas krimit. Në qofshin të vërteta paratë që shumë njerëz i fusin në xhep përditë në emër të popullit. Në qofshin të vërteta inatet e hajdutëve kur u prishen pazaret. Në qofshin të vërteta shikimet ziliqare mes tyre. Në qoftë e vërtetë pafuqia jonë për të ndryshuar këtë gjendje, atëherë historitë që do të keni mirësinë të lexoni ca më poshtë do të na lënë të gjithëve një shije të hidhur. Do të na ndihin të kuptojmë se në këtë vendin tonë të dashur kanë ndryshuar pa dyshim shumë gjëra, por ama ka mbetur e ngulur fort në kryet e shumë njerëzve lakmia, lakmia e pafund për para e pushtet. Ajo që të err sytë e të bllokon mendjen. Ajo që nuk të lë më ta quash qenie njerëzore atë që ke përballë. Ajo që njeriun e shikon si një çantë që sjell para dhe vetëm kaq.
Në fakt, historitë e këtyre dy faqeve vijnë nga një kohë e largët. Asokohe as që njihej fjala korrupsion. Jo vetëm të gllabëroje para nga shteti, të mashtroje, të abuzoje me fukaranë, por madje edhe të eliminoje fizikisht kundërshtarin tënd politik quhej një gjë më se normale.
Këtyre historive nuk u mungon asnjë prej personazheve që hasen edhe sot e kësaj dite: i korruptuari vetë, pastaj i korruptuari që akuzon të korruptuarin, bukëshkali, dashnorja që vishet me rroba luksi, ethet e parave, mashtrimi i vartësit ndaj shefit, servilët e frikësuar, të fortët e inatosur, të huajt dhe dora e tyre e gjatë. Të gjitha këto personazhe ne, me syrin e sotëm, të moralit që është përhapur përgjithësisht, i gjykojmë patjetër negativisht. Të paktën shumica prej nesh.
Këto histori kanë edhe dy personazhe pozitive. Njëri prej tyre, Tafil Boletini, vinte nga fushat e betejës drejt e në zyrat e shtetit, nga bjeshkët e lira të Kosovës drejt e në batakun e feudalizmit në Myzeqe, nga toka e trimave në vendin e kokulurve. Për fat të keq ai ishte vetëm një nga përjashtimet e pakta. Sa herë që mundohej të bënte ndonjë gjë kundër rrymës e pushonin nga puna, e largonin, e sikterosnin. Me sa duket ndershmëria nuk u prish punë vetëm hajdutëve, por edhe të ndershmit vetë.
Nuk është e thënë që këto histori të jenë kokë e këmbë të vërteta. Ato janë kujtime dhe si çdo gjë e ngjashme edhe ato e kanë dozën e tyre të subjektivitetit. Mbase ndokush prej personazheve që përmenden këtu është sharë më shumë se sa e ka merituar, por ama në qoftë e vërtetë… Megjithatë njerëzit, qofshin këta edhe mbretër, apo të mëdhenj zulmëmëdhenj të tjerë nuk janë veçse kalimtarë në këtë botë. Askush nuk ka mundur që të “arratiset” gjallë nga kjo jetë. E rëndësishme është se çfarë mësimesh nxjerrim nga historitë, jo vetëm nga ajo e personave të shquar, por nga fryma e një epoke të tërë. Se sa kemi mësuar mbase na shërben ky pasazh i Boletinit më 1922-shin, asokohe nënprefekti Fierit: “…Populli myzeqar, i bindur, i urtë dhe i përvuajtur, ende nuk e ka kuptuar se është popull sovran, me të drejta të barabarta dhe i lirë si gjithë të tjerët. Bindja e tyre me aq përulje ndaj bejlerëve më bënte përshtypje, ma vriste syrin”. Sa kohë do të jemi një popull i bindur, i urtë e i përvuajtur njësoj si lalët e afër 90 vjetëve më parë, sa kohë që vetëm shumë pak njerëzve do t’ua vrasë syrin hajnia dhe pafuqia ndaj saj, atëherë na duhet të pranojmë se trutë tanë kanë ndryshuar fare pak. Me sa duket vitet do të kalojnë ashtu si përherë, si uji. Në këtë vendin tonë do të ndërrohen vetëm hajdutët dhe ne që jemi të detyruar të mbajmë shënim gjëra shumë të shëmtuara. Vërtet shumë të shëmtuara.