Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipëria, modeli unik i rregullimit te marrëdhënieve shtet-fe

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Aranita Brahaj
Shqipëria, modeli unik i rregullimit te marrëdhënieve shtet-fe

Në nëntor 2010 Këshilli i Ministrave mori vendim që një organizatë religjioze Vëllazëria Ungjillore Shqiptare të institucionalizohej në nivel bashkësie fetare nëpërmjet një marrëveshjeje të veçantë që do të pasohet me ratifikim në Kuvendin e Shqipërisë. Ky moment është tejet i rëndësishëm për modelin religjioz që rregullon ligji dhe vullneti politik në një vend si Shqipëria.  Kjo më shumë për faktin se bashkësia e pestë fetarë nuk është një fe tradicionale si dhe janë katër komunitetet me të cilat janë nënshkruar marrëveshje të këtij lloji më parë. Prej vitesh në qarqe akademike ku debatohet mbi çështje dhe parime të së Drejtës tonë Publike, parashtrohej teza nëse mund të kishte në të ardhmen marrëveshje të këtij tipi edhe me bashkësi fetare përtej komuniteteve tradicionale. Hapësira ligjore dhe vullneti politik përbejnë dy elementët kyç në trajtimin e kësaj teze, tezë tashmë e tejkaluar me një vendim politik të Qeverisë Berisha.

Shteti Shqiptarë nuk njeh fe zyrtare, laicizmi i institucioneve publike shoqërohet me pluralitet besimi e liri te ndërgjegjes si liri kushtetuese. Pa qëndruar gjatë ne një vlerësim diakronik të modeleve tona juridike theksohet se që në të drejtën zakonore Kanunet, Kisha(Kanuni i Lekë Dukagjinit, At Sh. Gjeçov, Libër i Parë, Shkodër 1933)  dhe çdo lloj kulti tjetër, kishin një status të veçantë, dhe trajtoheshin me një personalitet juridik specifik ku zotërohej pavarësi e plotë në menaxhim dhe paprekshmëri të klerikëve.

Sipas Profesor Giovanni Cimbalo, Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Bolonjës Kushtetuta e 98-ës në Shqipëri u përgjigjet kritereve të vendosura nga Këshilli i Evropës por nuk mund të konsiderohet octroyee, siç është rasti i disa vendeve të Ballkanit, sidomos sa i takon natyrës juridike dhe lirisë së komuniteteve religjioze. Për Prof. Cimbalo autori i “I raporti tra lo Stato e le Communita religioze in Albania” gjithçka vjen ne vijimësi me eksperiencën juridike që ka karakterizuar shtetin shqiptarë që nga Pavarësia. Citoj: “Kushtetuta lëviz në rrjedhën e traditës juridike të vendit që duke nisur nga 1923 ka adaptuar si një nga karakteristikat e tij dalluese pluralizmin e kulteve, pozicion që e bën Shqipërinë një rast unik jo vetëm në të drejtën evropiane, por edhe ndër vende ku islami është në mazhorancë. Këto parametra të veçantë të kulturës juridike dhe institucionale, kjo vëmendje për pluralizmin religjioz, i japin rregullimit ligjor shqiptarë një kapacitet stabiliteti social që i eviton Shqipërisë luftërat e religjioneve luftëra që kanë karakterizuar zonën sllavofone të Ballkanit”.

Kushtetuta jonë ka të theksuar parimin e një shoqërie në bashkëjetesë fetare që në Preambulën e saj duke vijuar në brendësi me një kolanë të gjerë të lirive dhe nocioneve që kanë të bëjnë me besimin dhe ndërgjegjen si të drejta të patjetërsueshme. Në vitin 2002 u nënshkrua marrëveshja e parë ndërmjet Qeverisë dhe Kishës Katolike, marrëveshje që hyri në fuqi në 2005. Po kështu në 2008 - ën Qeveria nënshkroi marrëveshje me tre komunitetet e tjera tradicionale Myslimanët, Ortodoksët dhe Bektashinj. Në harkun kohorë të këtyre viteve raportohet se në vend kanë aktivitet edhe lëvizje fetare Protestante, grupe të Bahait, Dëshmitarët e Jehovait si dhe anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të shenjtërve të ditëve të mëvonshme njohur si Mormonët. Këto lëvizje fetare veprojnë me personalitet juridik që fitohet me regjistrim në Gjykatë sipas ligjit “Për organizatat jofitimprurëse”. Ndërsa nënshkrimi i marrëveshjeve me qeverinë jep njohje zyrtare dhe personalitet juridik më të veçantë, status shoqëror e më tej privilegje të përjashtimit nga taksat dhe përfitime të financimeve sipas një ligji të veçantë për bashkësitë fetare.

Sipas lektores të së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tiranës  Prof. Aurela Anastasi këto marrëveshje funksionojnë si burime të jashtme të së drejtës, njësoj si marrëveshjet ndërkombëtare që marrin fuqi ligjore duke u ratifikuar në Kuvend. Gjatë pesë viteve të fundit një nga tezat e parashtruar për stafet akademike që punojnë me legjislacionin mbi të Drejtën Publike ka qenë edhe teza nëse mund të kishte në të ardhmen marrëveshje edhe me komunitete të tjera fetare të ndryshëm nga katër komunitetet tradicionale të njohura zyrtarisht përpara luftës së dytë botërore. Duke interpretuar hapësirat ligjore të dhëna në Kushtetutë mbi lirinë e ndërgjegjes dhe fesë nuk përjashtohej mundësia e lirisë së kultit (veprimit) as për bashkësi të vogla fetare, qofshin këto misione të huaja që vinë për të çelur institucione të tyre në vend. Numri relativisht i kufizuar i besimtarëve është konsideruar shpesh si një kriter për vlerësimin e origjinalitetit dhe domethënies së tyre për shoqërinë si e tërë.

Nga ana tjetër, kundrejt numrit te besimtarëve si element subjektiv, e drejta e besimit tejkalon këtë argument duke përvijuar në favor të njohjes nëpërmjet një nënshkrimi reciprok shtet – bashkësi. Nëse do të qëndrojmë tek vullneti politik, për rastin e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare do të citojmë pjesë të Raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi gjendjen e lirisë fetare në Shqipëri (http://albanian.tirana.usembassy.gov/key_reports) konkretisht ne raportin e fundit te publikuar citoj: “Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës angazhuan qeverinë gjithashtu dhe mbështetën publikisht në emër të një marrëveshje të barabartë për VUSH-in dhe një ligj të përditësuar mbi fenë”.

 Edhe ne raportin e publikuar për vitin 2006 DASH shprehet se kjo organizatë (VUSH) ka kontaktuar Komitetin për Kultet dhe kërkon të negociojë një marrëveshje dy paleshe, por nuk ka marrë përgjigje për një kërkesë të tillë. Më tej është një intervistë e ish ambasadorit amerikan në Tiranë dhënë për gazetën Panorama datë 19.07.2010 ku ndër të tjera John L. Withers deklaron: “Me sa kam kuptuar, një marrëveshje si ajo që kanë fetë e tjera me Qeverinë ka kohë që është pezull mes VUSH dhe Qeverisë. Është shumë e rëndësishme për ne dhe është shumë e rëndësishme për qeverinë dhe do të donim që qeveria dhe VUSH të kenë një marrëveshje të tillë sa më parë që të jetë e mundur. Si çështje drejtësie ndaj kujtdo”. Tashmë marrëveshja është nënshkruar me bekimin e prezencës edhe të përfaqësuesve klerik të feve tradicionale shqiptare ne ceremoni. Ndërsa teza e parashtruar në ambiente ku formulohet doktrina akademike fare mirë mund të përvijohet me konkluzionin se falë lirive kushtetuese dhe vullneteve politike ne vendin tonë, modeli i pluralizmit fetare dhe karakteri i personalitetit juridik të një bashkësie fetare në RSh shfaqen në një formë tejet tolerante dhe gjeneruese, duke përbërë model unik ndoshta edhe në kontekstin evropian.

Fillimet e Ungjillorëve në Shqipëri. Organizata e njohur deri tani me emrin Vëllazëria Ungjillore Shqiptare është një grup ombrellë për kishat protestante dhe fetë protestante të praktikuara në vend. Sipas informacionit të publikuar nga kjo organizatë në faqen e saj zyrtare, data e themelimit te Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare shënon 14 nëntor 1892, pra 118 vite më parë dhe grupi themelues ka në përbërje emra të rëndësishëm të lidhur me Rilindjen tonë Kombëtare. Kështu përmendim Gjerasim Qiriazi e Petro Nini Luarasi. Nëpërmjet mbështetjes financiare të grupeve të përfshira në lëvizjet për njohjen dhe shkrimin e gjuhës shqipe si një element që identifikohet me kombin, protestantët kishin arritur të përhapeshin edhe me aspektin teologjik nëpërmjet veprimtarisë së këtij karakteri në Manastir dhe në Korçë.

Themelimi kësaj vëllazërie(1892), veç qëllimit teologjik të përhapjes së Ungjillit kishte në programe dhe dy pika të tjera që e bënë të rëndësishëm funksionimin dhe shtrirjen si organizatë: së pari botime në gjuhën shqipe (kryesisht për tekste religjioze) dhe së dyti çelje të shkollave shqipe. Sipas doktorit të shkencave Femi Cakolli, më parë në vitin 1819 Shoqëria Biblike Britanike dhe e Huaj kishte sponsorizuar me 300 sterlina angleze për kthimin e Dhiatës së Re në shqip nga Vangjel Meksi, punë që pas vdekjes së tij u përfundua nga Grigor Gjirokastriti. Në vitin 1864 Kostandin Kristoforidhi punësohet po nga kjo shoqëri për të përkthyer në 1866 Dhiatën e Re nga greqishtja në gjuhën shqipe (Akademia e Shkencave Shqiptare, Fjalor Enciklopedik, vell. II Tirane 2008) . Ky tekst i Kristoforidhit është një nga tekstet më të rëndësishëm për historinë e gjuhës shqipe, me vlera unike për shkencat gjuhësore në vendin tonë. Ndërkohë edhe Gjerasim Qiriazi një nga personalitetet më të rëndësishme të shkollës shqipe së bashku me familjen e tij, vëllai Gjergj e motrat Parashqevi e Sevasti arritën të themelojnë në Korçë pesë institucione religjioze por njëkohësisht edhe edukative ndër to edhe Shkolla e parë për vajza (vasha) njohur si Mësonjëtorja.

Më 1908 prezenca dhe roli i protestantëve bëhet i njohur edhe në arkivat që dëshmojnë mbi Kongresin e Manastirit, kongres nga ku doli alfabeti i sotshëm i gjuhës shqipe. Në materialet historike që arkivojnë këtë ngjarje lexojmë: “në atë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të fesë myslimane, katolike, ortodokse, protestante, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën së bashku për arritjen e një qëllimi të madh kombëtarë”. Në 1887 Gjerasim Qiriazi i drejtohet Portës së Lartë (shteti i kohës) për njohjen e ungjillorëve shqiptarë por kërkesa refuzohet pikërisht nga Sulltan Hamiti i II. Deri këtu kemi një kulturë fetare që duket se arrin të penetrojë në ambiente të elitës shqiptare falë edhe stimulimit monetar të përpjekjeve patriotike për shkrim dhe edukim në gjuhën shqipe. Ndërsa Misioni Ungjillor Shqiptarë si mision fetar, themelohet në vitin 1922 me kontributin e misionarëve amerikan Kenedi e Jasques.  Gjatë gjithë kësaj kohe rritje në vend kishte marrë kryesisht kisha e Korçës si një kishë e identifikuar edhe si lëvizje pro kombëtare. Pas 1940 me vendosjen e Fashizmit nuk kemi më aktivitet të Ungjillorëve në Shqipëri. Në 1992 Vëllazëria Ungjillore rinis aktivitet në Shqipëri dhe në nëntor 2010 VUSH është organizata e parë e cila nënshkruan një marrëveshje me shtetin shqiptarë për tu njohur si bashkësi fetare, duke mos qenë një nga katër bashkësitë tradicionale.


Aranita Brahaj – Master ne Shkenca Juridike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama