Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dy vota per nje ze politik

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Dy vota per nje ze politik

Partia kryesore e vendit, e kryesuar me autoritet të patrazuar prej Kryeministrit Berisha, zhvilloi dje mbledhjen e shumëvonuar të Këshillit Kombëtar. Ndodhi siç edhe pritej: zëri reagues nuk mungoi, por ai ishte i pamjaftueshëm për të mbajtur në seancë diskutimi dhe debati mbledhjen e forumit kryesor kombëtar të partisë në pushtet. Ish-ministri i Jashtëm, anëtar i Këshillit Kombëtar, një prej përfaqësuesve më të spikatur të sjelljes statutore dhe valencës së lartë intelektuale në PD, zoti Besnik Mustafaj, i paraqiti këtij forumi një memorandum.

Ky është dokumenti i parë i këtij lloji në gjashtë vitet e qeverisjes në dy mandate në këtë forcë politike, që mund të cilësohet si një akt i pastër reagimi për mendim ndryshe dhe propozim alternativ në PD. Ky dokument karakterizohej nga një kritikë e adresuar për shkeljet statutore, për mosrespektim të kritereve kohore të parashikuara në statut për mbledhjen dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese të kësaj partie. Kritika në memorandum përqendrohej aty ku “ka një largim gradual, por të vazhdueshëm nga identiteti i saj si parti e qendrës së djathtë”.

Protagonisti i këtij konstatimi, zoti Mustafaj, nuk mjaftoi me kaq, por apeloi: “Unë propozoj që kjo mbledhje e vonuar e Këshillit tonë të ri Kombëtar të ndërmarrë çeljen e një debati të gjerë brenda partisë për identitetin e saj. Ky debat, me pikësynim fokusimin e qartë identitar në programin tonë, do të shërbente si rast për të tërhequr e gjallëruar edhe kapacitetet e grupeve shoqërore dhe të grupeve të interesit jashtë strukturave të partisë...”

Memorandumi “Mustafaj” në Këshillin Kombëtar iu nënshtrua votimit dhe zyrtarisht mori vetëm dy vota, atë të autorit dhe një votë të ish-ministrit të Mbrojtjes gjatë mandatit të parë qeverisës, deputetit Gazmend Oketa. Matanë këtij votimi shumë zëra në heshtje kanë qenë frymë e pazëshme, por që gjallon brenda radhëve të PD-së. Këtë fakt e ka ndier padyshim i pari, vetë Kryeministri Berisha. Memorandumi “Mustafaj” përbën në vetvete një akt statutor të munguar për rikthimin e kritikës së brendshme në partinë e kryetarit historik. Për këtë arsye, ky dokument i lexuar në sallën me 140 anëtarë, shënon një ngjarje ndaj së cilës kemi për të pasur reagime dhe kundërreagime në ditët dhe kohën e afërme politike të partisë që kryeson koalicionin e sotëm qeverisës. Natyrisht kaq është kryekëput e pamjaftueshme për të parë veprimin e një rryme të re oponente apo të organizuar, e cila mund të sipërmarrë një përballje nxitëse apo edhe detyruese për Kryeministrin Berisha, për rikthimin e respektimit të kalendarit statutor në parti.

Heshtja nënshtruese në PD duket se është prishur. Dy vota janë pak, por nuk janë “zero e fill”. Memorandumi “Mustafaj” është sinjali i vetëmjaftueshëm për të parë se edhe brenda PD-së demokracia e brendshme nuk mund të shijohet vetëm si një fjalë karakterizuese për realitetin te të tjerët. Procesi reagues nuk është më vetëm i jashtëm dhe as produkt i oponentëve dhe opozitarëve të zotit Berisha, por ai është edhe një fenomen i rikthyer në gjirin dhe forumet e PD-së. “Zëri Mustafaj” në PD, ndryshe nga zërat e tjerë të shfaqur aq rrallë e në “cikle kometikë”, ka për të pasuar një raport të ri mendimesh dhe kritikash për vendimmarrjen dhe cilësinë qeverisëse në PD. Ky zë shpaloset në kohën e duhur, në çastin kur jeta e PD-së dhe konteksti politik i vendit, e bëjnë edhe më të inkurajueshëm një shfaqje të tillë. Substanca e dokumentit të zotit Mustafaj do të vlejë si një referencë për proceset e reja përzgjedhëse të kandidatëve për kryetarë në pushtetin vendor, por edhe në kuadër të fushatës për zgjedhjet e reja në forumet e pakonstituara të kësaj force. Në vetvete paraqitja në forumin kryesor kombëtar të PD-së dhe publikimi i këtij dokumenti nga ish-ministri Mustafaj, të lë shijen në rikthimin e çasteve të lëvduara të historisë politike me mendim ndryshe në Partinë Demokratike.

Natyrisht është herët të flitet për ndikim apo për trazim të vendimmarrjes apo monoautoritetit të kryetarit Berisha, por kur njihesh me faktin se këtë zë kryetari e pranoi dhe iu gjegj për shkak se lexoi më shumë se kushdo në atë sallë “nënzërat” e pranishëm, beson se aty ku “mbretëron bindja dhe nënshtrimi i heshtur” aty mbarset e ardhmja me ndryshim. “Memorandumi Mustafaj” është shenja e mjaftueshme për të dalluar në mos mendimin e ri ndryshe në PD, së paku “shtatzëninë” e kurajës politike të fjetur. Kjo risi shfaqet pikërisht në momentin e tanishëm te forca që e kërkon shumicën për qeverisje, tek aleatët me identitet amalgamik dhe program kryekëput të ndryshëm nga i saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama