Akademia e Shkencave dhe kerkimi shkencor

Akademia e Shkencave dhe kerkimi shkencor

Në janar të vitit 2006, bazuar në një dokument të titulluar “Reforma e sistemit të kërkimit shkencor në Shqipëri”, u ndërmor një reformë mbi kërkimin shkencor në vend, e cila përfshiu Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, institucionet kërkimore të dikastereve dhe universitetet e vendit. Sot shtrohet kërkesa për një tjetër reformë, atë të arsimit të lartë, e cila pritet që të hapë edhe njëherë debatin për reformimin e kërkimit shkencor në vend. Në lidhje me këtë problem, po ju drejtohemi me disa pyetje...

...Por, bashkë me reformën në fjalë, duhet parë edhe një tjetër reformë mjafte rëndësishme.  Nisma për tranformimin e arsimit të lartë, duhet të përfshijë edhe një tjetër nismë për reformimin e kërkimit shkencor në vend. Së pari, pasi nuk mund të mendohet një arsim i lartë bashkëkohor, pa kërkim shkencor dhe zbatime të tij në praktikë; sikurse nuk mund të ketë një kërkim shkencor të suksesëshëm, pa përfshirë në të personelin akademik dhe studentët e universiteteve të vendit.


Së dyti, se në çdo drejtim të zhvillimit të vendit sot kërkohen më shumë njohuri bashkëkohore, në fusha si mjekësia, biologjia, teknologjia e informacionit, matematika e fizika, kimia dhe shkencat inxhinierike, etj. Sikurse edhe studimet mbi gjuhën, historinë apo pasurinë kulturore shqiptare duhet të kenë përparësi; duhet njohur më mirë flora, fauna, gjeologjia, pasuritë ujore, pyjet dhe gjithëshka që ka të bëjë me trojet shqiptare. Ndryshe, në çdo hap do të bënim gabime, si shumë nga ato që kemi bërë deri më sot nga mungesa e njohjes, por edhe shumë nga mospërfillja që i kemi bërë mendimit shkencor të akumuluar në vite.


Pa arsimim të përshtatëshëm dhe njohuri të thella mbi teknologjinë bashkëkohore nuk do të mund të hapim madje as vende të reja pune, të cilat për të qenë rentabël duhet të mbështeten në teknologjinë moderne. Ndryshe, nuk do të mund të zgjidhim problemin e prodhimit të pakët e jo cilësor qe kemi sot, as të përballojmë konkurencën e fortë në treg nga vendet fqinje apo ato më të fuqishme.


Një reformë e kërkimit shkencor kërkohet edhe për një varg faktorësh të tjerë, mes të cilëve do të veçoja mënjanimin e disa pasojave nga reforma e kryer në vitin 2006, reformë që preku thellë kryesisht Akademinë e Shkencave, por edhe tërë institucionet shkencore të vendit.


Përfitoj nga kjo mundësi që të jap njëherazi dhe mendimin tim mbi disa ide të hedhura kohët e fundit për një rikthim në Akademinë e Shkencave të institucioneve shkencore që u ndanë nga ajo në vitin 2006, të cilat mendoj se kërkojnë një trajtim të kujdesëshëm pasi nuk do të ishte mirë të merren vendime pa njohur gjendjen e këtyre institucioneve sot dhe të vetë Akademisë së Shkencave, të shndruar tashmë në honorifike. Pa hyrë në detaje e argumenta që do i parashtroj më tej, në institutet kërkimore në varësi të Akademisë së Shkencave prej kohe diskutohej mundësia e shkëputjes prej saj, por arsyet ishin krejtësisht të ndryshme nga ato me të cilat u argumentua shkëputja e diktuar nga reforma e vitit 2006. Duke reflektuar sot për sa ka ndodhur, mënyra si u veprua dhe zgjidhja që i’u dha kësaj kërkese në vitin 2006 ishte e gabuar; “integrimi” i institucioneve shkencore të vendit në departamentet apo fakultetet e universiteteve shtetërore në të vërtetë i "shkërmoqi" ato dhe kërkimi i tyre shkencor pas vitit 2006 nuk shkoi përpara, përkundrazi degradoi më tej.
 
Kërkimi shkencor dhe Akademia e Shkencave


Deri në vitin 2006 kërkimi shkencor ishte i organizuar në 13 institucionet e Akademisë së Shkencave, në universitetet e vendit dhe institucionet kërkimore në varësi të ministrive. Kërkimi shkencor që zhvillohej në institucionet e sistemit të Akademisë së Shkencave, dallonte nga ai që zhvillohej në universitetet e vendit dhe në institucionet në varësi të ministrive, para së gjithash nga objekti i kërkimit, ku vend të veçantë zinin studimet mbi historinë, gjuhën, artin, pasurinë kulturore shqiptare dhe studimet albanologjike në përgjithësi. Sikurse po aq të rëndësishme ishin edhe studimet në fushën e shkencave natyrore e teknike mbi natyrën, florën, faunën, mjedisin shqiptar, me impakt konkret në parashikimin dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore, përballimin e emergjencave civile, monitorimin e mjedisit, etj. Dallimi ishte thelbësor dhe për faktin se në institucionet e Akademisë, kërkimi shkencor ishte qëllimi parësor i veprimtarisë së tyre, ndërsa në universitetet e vendit parësore ishte dhe ende është mësimdhënia.


Institutet e Akademisë së Shkencave dallonin edhe për nga organizimi, administrimi, financimi, planifikimi mbi bazë projektesh dhe raportimi i arritjeve në mënyrë sistematike, për secilin studiues, departament apo institucion shkencor.


Janë këto disa nga arsyet se pse në procesin e "integrimit" të vitit 2006, universitetet e vendit nuk ishin të aftë të "absorbonin" institutet e sistemit të Akademisë, duke ruajtur njëherazi elementët e tyre më pozitivë. Rjedhimisht, institutet shkencore, veçanërisht ata që i përkisnin shkencave natyrore e teknike, humbën pavarësinë administrative, atë të financimit, të organizimit, humbën fleksibilitetin dhe bashkëpunimin mes tyre, atyre i’u vështirësua marrja e vendimeve dhe komunikimi me instanca të tjera shtetërore apo studimore.
 
Shumë reforma, pak rezultate


Organizime e strukturime janë bërë vazhdimisht në fushën e shkencës dhe arsimit të lartë në Shqipëri, si përpara vitit 90të, por dhe më pas, deri më sot. Gjithsesi, kur flasim për reformë të kërkimit shkencor në të kaluarën, nuk mund të anashkalojmë faktin se këto reforma kanë pasur në fokus kryesisht Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Kështu, pas vitit 1990të, Akademia e Shkencave i është nënshtruar të paktën tri herë reformës, ndërsa propozimet për ristrukturim të saj, kryesisht në drejtim të shkurtimit të personelit, kanë qënë të shumta, të ndërmarra nga qeveri të majta e të djathta.


Që në origjinë të saj Akademia e Shkencave ka qënë e ndërtuar mbi dy komponente: nga institutet dhe qëndrat kërkimore në një anë dhe nga bashkësia e akademikëve nga ana tjetër. Është fakt që në fillim të viteve 90të, Asambleja e Akademisë së Shkencave dominohej nga studiues që nuk bënin pjesë në institucionet kërkimore të Akademisë, kryesisht të fushës së shkencave shoqërore, shumë prej tyre të sferës së ideologjisë, si dhe një numur i konsiderueshëm mjekësh të shquar. Ndërsa institutet përfaqësoheshin në Akademi nga një numur i vogël studiuesish, akademikë të njohur të fushës së historisë dhe gjuhësisë dhe disa pak studiuesish të shkencave natyrore e teknike. Ky shpërpjestim në përfaqësim e shoqëroi për shumë e shumë vite Akademinë, duke qënë njëherazi edhe burim pakënaqësish e ambiciesh. 


Reforma e parë u ndërmor në vitin 1992. Konkretisht, me nismë nga qeveria, u pezullua Asambleja e Akademisë, Kryesia e saj dhe drejtuesit e institucioneve kërkimore; drejtimi i Akademisë i'u besua një grupi prej tre vetësh (“troika”, siç u quajt atë kohë), e cila ndërmorri një varg masash në drejtim të shkurtimit të personelit shkencor, administrativ e ndihmës; ndërsa akademikët u larguan në pension. Reforma u shtri edhe në institutet në varësi të dikastereve, ndërsa nuk preku universitetet e vendit. E rëndësishme e kësaj reforme është se drejtimet kryesore të kërkimit shkencor u ruajtën, u ruajtën strukturat bazë dhe burimet njerëzore, ndërsa me një vendim të veçantë të qeverisë, për secilin institucion shkencor brenda dhe jashtë sistemit të Akademisë u përcaktuan qartë objekti i veprimtarisë, fusha e studimit dhe varësia e tij administrative e financiare.


Reforma tjetër erdhi shpejt, në vitin 1997. Akademikët e larguar, madje edhe ata që kishin dalë prej vitesh në pension, u rikthyen në Akademinë e Shkencave; nga radhët e tyre u zgjodhën edhe drejtuesit e rinj të Akademisë. Gjatë kësaj periudhe, sistemit të Akademisë i'u dha një përkrahje më e madhe financiare nga ana e shtetit; ndryshim me rëndësi pësoi edhe vetë statusi i akademikut, të cilëve aty nga vitit 2001 i'u akordua, pavarësisht moshës dhe aftësisë për të punuar, një pagë e posaçme, e përjetëshme. Gjithsesi, ndryshimi më thelbësor, vlera më pozitive e reformës u shënua në mënyrën bashkëkohore të planifikimit dhe financimit të veprimtarisë shkencore, programimin e kërkimit shkencor mbi bazën e projekteve dhe vlerësimin sistematik të peformancës së punonjësve shkencorë, të departamenteve dhe të vetë instituteve shkencore mbi bazën e indikatorëve të performancës.


Por, pavarësisht mbështetjes së shtuar, për çdo vendimarrje nga instancat e larta qeveritare, për çdo propozim me impakt madhor, Akademia e Shkencave detyrimisht duhej të kalonte përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ose një ministri shteti. Prania e drejtuesve të Akademisë në disa instanca të hartimit të politikave mbi kërkimin shkencor nuk ishte e mjaftueshme për ta bërë Akademinë e Shkencave faktor dhe aktor me rëndësi në marrjen e vendimeve me rëndësi për zhvillimin e vendit. Në dukje e parëndësishme, mungesa e komunikimit të drejtëpërdrejtë të Akademisë me qeverinë, në një mënyrë ose një tjetër e linte sistemin e institucioneve të Akademisë jashtë problemeve madhore të vendit dhe e shndërronte vetë Akademinë në një institucion “pa zë”.
Nga ana tjetër, Akademia e Shkencave, mbështetur në një statut të miratuar nga presidenti i vendit dhe një ligj i veçantë, i'u siguronte instituteve dhe punonjësve të sistemit një farë pavarësie, një farë paprekshmërie nga politika dhe ndërhyrja e shtetit. Një "ombrellë" me një status të tillë si ai i Akademisë vlerësohej nga bashkësia e studiesve, veçanërisht kur mjaft institute e qëndra kërkimore në varësi të dikastereve gjatë tranzicionit vuanin deri në degradim jo vetëm nga rotacionet politike, por edhe kur një titullar zëvëndësohej me një tjetër brenda të njëjtit krah politik. Prandaj, mes dilemës së "mungesës së zërit" apo "pasigurisë së ekzistencës", natyrshëm për shumë vite gjatë tranzicionit, është zgjedhur alternativa e dytë dhe për pasojë Akademia e Shkencave vërtet mbijetoi, por njëherazi humbi gradualisht shumë nga vlerat dhe veçanërisht rolin e saj në zhvillimin e vendit.
 
Verdikti i “dhjetë ekspertëve


Reforma e tretë që preku mjaft thellë institutet dhe qëndrat kërkimore të vendit është ajo e 2006. Reforma u mbështet në një raport të përgatitur nga 10 “ekspertë”, të përzgjedhur nga qeveria, që mbanin të gjithë titullin profesor, shumica nga universitetet e vendit. Akademia e Shkencave përfaqësohej nga një profesor i vetëm, i cili pak vite më parë i ishte bashkuar Akademisë së Shkencave. Dokumenti i përgatitur nga ata njihet si “Raporti i Grupit të Ekspertëve”; përbërja e Grupit dhe Raporti përkatës janë lehtësisht të gjendshëm në burime të hapura.


Raporti evidentonte një sërë dobësish të kërkimit shkencor si: mosfunksionimi i Këshillit të Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik (KPSHZHT); mos koordinimi i kërkimit shkencor me arsimin e lartë, që disiplinoheshin nga dy ligje të veçantë e që të krijonin idenë sikur këto dy çështje nuk lidhen me njëra–tjetrën; financimi i kufizuar për kërkimin shkencor, veçanërisht për institucionet universitare; mungesa e një fondacioni për financimin e shkencës; administrimi dhe organizimi jo i përshtatshëm i kërkimit shkencor; mungesa e vlerësimit të cilësisë së veprimtarisë kërkimore; numri i lartë i punonjësve shkencorë e administrativë nëpër institucionet kërkimore jashtë universiteteve; mosha relativisht e lartë e punonjësve shkencorë; mungesa e bashkërendimit të punës në projekte; cilësia e ulët e botimeve shkencore, mospërfshirja e studiuesve të Akademisë në procesin mësimor në universitet, etj. Raporti gjithësesi pohonte faktin se Akademia e Shkencave kishte një organizim e administrim më të mirë se institucionet e tjera, të përshtatëshëm e bashkëkohor.


Të gjitha këto konstatime ishin të drejta dhe kërkonin vëmëndjen dhe zgjidhjen e duhur. Për fat të keq zgjidhja që u propozua nuk rezultoi të ishte e duhura, masat që u ndërrmorrën nuk rezultuan efektive dhe sot, tetë vjetëve nga reforma e vitit 2006, mangësitë e konstatuara nga “Grupi i Ekspertëve” mbeten krejt njësoj, po aq të mprehta e të pazgjidhura.
 
2006, reforma që tronditi rëndë traditën


Do qëndroja pak më gjatë te ajo pjesë e reformës që përbënte thelbin e propozimit të “Grupit të ekspertëve”, që preku fort institutet dhe qëndrat kërkimore të vendit, që cënoi në themel ekzistencën e tyre, që tronditi infrastrukturën dhe “thërmoi" e "treti” traditën e tyre shumëvjeçare. Një nga konstatimet e “Raportit të Grupit të Ekspertëve”, vinte në dukje se deri në vitin 2006, si pasojë e përqëndrimit kryesisht në institutet e Akademisë së Shkencave të kërkimit shkencor, puna shkencore në universitetet e vendit ishte lënë pas dore, ishte periferike. Për t'a korregjuar këtë dobësi, nga ekspertët u hodh ideja se në Shqipëri, sipas tyre si në tërë praktikën botërore, kërkimi shkencor duhet të përqëndrohej në të ardhmen vetëm në universitete. Zgjidhja e dilemave dhe mangësive të shkencës shqiptare u mendua se do të vinte nga integrimi i instituteve në departamentin përkatës të një fakulteti a universiteti; angazhimit të detyruar të personelit të instituteve në mësimdhënie, zvogëlimit drastik të numrit të punonjësve shkencorë dhe ndihmës, shkëputjes së instituteve shkencore nga Akademia e Shkencave dhe shndrimin e kësaj të fundit në një institucion honorifik, me pak shpenzime dhe një aparat administrativ të vogël. Ndoshta nga një rrezistencë më e fortë, apo për arsye të tjera të panjohura për mua, nga Akademia e Shkencave e dikurëshme mbetën të grupuara në Qëndrën e Studimeve Albanologjike vetëm një grup institutesh me objekt studimi nga fusha e historisë, gjuhësisë, etj, që nuk besoj se pësuan ndonjë reformim me impakt pozitiv si pasojë e reformës së vitit 2006.


Sot, thuajse tetë vjet nga ajo reformë, me gjithë masat e propozuara, kërkimi shkencor mbetet po ai; madje me “shkrirjen” e instituteve si struktura më e organizuar kërkimore, kërkimi shkencor, zbatimet konkrete me karakter shkencor dhe sidomos shërbimet e specializuara që ata ofronin pësuan një rënie të ndjeshme.


Ndoshta dikush edhe mund t’i kundërshtojë këto konstatime, por le ti drejtohemi vetëm një fushe, asaj mbi përmirësimin e ekosistemeve të Liqenit të Shkodrës apo Liqenit të Prespës dhe do shihet lehtë se i gjithë investimi financiar dhe njerëzor në këtë fushë ka dhënë shumë më pak ndaj asaj që shpresohej të arrihej. Njësoj, ende ligjet mbi arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor mbeten të ndarë, dhe është pikërisht kjo ndarje që sot kërkohet të mënjanohet.


Edhe për sa i përket mangësive të tjera të evidentuara nga ekspertët, thuajse të gjitha mbetën për më se tetë vjet në po atë situatë, ose u përkeqësuan. Vërtet, a është rritur gjatë harkut të tetë vjetëve financimi për shkencën? Aspak! A organizohet, planifikohet, financohet kërkimi shkencor mbi bazë projektesh në universitet apo institucione shkencore? Aspak! A vlerësohet sot performanca mbi kërkimin shkencor, apo cilësia e botimeve shkencore, pa folur për numrin e tyre? Përsëri jo! Vërtet punonjësit e institucioneve shkencore të “shkrirë” nëpër departamente u përfshinë në procesin e mësimdhënies, por shumica e tyre angazhohen si pedagogë të thjeshtë ushtrimesh e seminaresh, apo lektorë kryesisht në ciklin e parë të studimeve. 


Për mendimin tim, si pasojë e reformës se vitit 2006, jo vetëm që nuk u hodh hap përpara në kërkimin shkencor, por edhe ata pak institute kërkimore që në përballje me mospërfilljen, mungesën e financimit dhe kujdesit gjithësesi jepnin një kontribut me vlerë, sot nuk janë më të tillë, madje janë shumë nën nivelin që ata kishin përpara reformës, ndoshta disa janë në një gjendje "anemie" të thellë, pa asnjë mundësi shërimi. Gjithësesi, kjo është një pasojë që kërkon të analizohet më thellë se në një shkrim të tillë.

 

 

Vijon...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama