Analiza - Lirika

Lirika

Serembja shkroi vjersha, poema, drama. Po për shkaqe të ndryshme vetjake dhe ekonomike, vetëm një pjesë e vogël e krijimtarisë së tij ka arritur gjer te ne. Për poetin mund të gjykojmë kryesisht nga vëllimi italisht që botoi sa ishte gjallë, dhe nga vëllimi Vjershë, që e botoi më 1926 në Milano i nipi.
Vitet e fundit studiuesit tanë dhe arbëreshë kanë arritur të gjejnë një përmbledhje me 40 sonete, të botuara italisht në vitet `90 që dallohet nga protesta e hapur shoqërore, po kështu mjaft dorëshkrime poetike që nuk njiheshin, dhe një numër të madh lerash nga korrespondenca e tij. Të gjitha këto hedhin edhe më shumë dritë për Seremben si poet. Vjershat që trajtojnë motivin patriotik, janë pothuaj të pakta, por të pasura në problematikëdhe në vlera artistike. Serembja ka meritën se jep kushtrimin për luftë kundër turkut jo në mënyrë të tërthortë si De Rada, por të hapur. Që në vjershën "Rrutullupë" ("Vrull"), e shkruar para vitit 1860, duket shqetësimi e padurimi me të cilin e vështron Serembja fatin e atdheut. Në katër strofat e kësaj vjershe, që është nga më të realizuarat për antitezat tronditëse, vrullin luftarak, konçizitetin e thjeshtësinë, shkrihen malli për atdheun e të parëve, dëshira për ta parë të lirë, urrejtja për pushtuesin, besimi në të ardhmen "Nga urrejtja ngrihet shpresa dhe ndriçon". Idetë e shprehura në këtë krijim poetik të hershëm, do të përshkrojnë gjithë poezinë patriotike të Serembes.
Në vjershën Detari, gjejmë heroin luftëtar për çlirimin e atdheut jo më si figurë historike, por si luftëtar të ditës, si hero qytetar dhe në këtë kuptim mund ta quajmë këtë vjershë ndër më të përparuarat e Serembes dhe të kohës. Megjithëse shtjellohet brenda një kornize konvecionale, të cilën mund ta ketë përcaktuar folklori (një detar lë vashën dhe shkon të luftojë- nuk kuptohet ku dhe si- për lirinë e atdheut), vjersha është aktuale për problemet që ngre. Atë e përshkron ideja e lartë e vënies së interesave të atdheut mbi ato vetjake. Konflikti midis së veçantës dhe shoqërores zhvillohet në plan lirik dhe zgjidhet në përputhje me karakterin militues të letërsisë arbëreshe, ku shkëlqen më qartë në vjershën kushtuar. Dora d'Istrias, Zonjës Elena Gjika, ku ndihet një notë e re në letërsinë tonë, hedhja e parrullës së bashkimit të të gjithë popullit shqiptar në luftë të armatosur kundër osmanëve dhe parashikimi i ditës së lirisë. Dëshira për liri kombëtare në shpirtin e poetit është e pashkëputur nga dëshira për lirinë e gjithë popujve. Prandaj ai u këndon me entuziazëm lëvizjeve çlirimtare të popujve të tjerë, duke ndier krenari të ligjshme për rolin që kanë luajtur shqiptarët në këto lëvizje ("Për lirinë e Venetisë", "Koroneut").
Poezia e Serembes me tematikë patriotike shquhet për optimizëm, për frymë luftarake dhe për besim të patundur në të ardhmen e lëvizjes kombëtare. Në vjershat më të goditura kjo shprehet me konçizitet, përmes një figuracioni të fuqishëm; në të tjera ka retorizëm, po ai shkrihet në çiltësinë e ndjenjës. Motivi i dashurisë zë një vend të gjerë në poezinë e Serembes. Në thelb poeti e sheh dashurinë si forcë jetësore, si burim lumturie. Një mendim i tillë pasqyrohet në vjershat që i këndojnë lindjes së dashurisë ("Kënga e dashurisë së parë", "Këngë e gëzueshme", "Fytyra e saj").
Më vonë lirika erotike e poetit fillon të përshkrohet nga fryma elegjiake. Megjithatë, dhembja e poetit nuk kalon në pesimizëm, po mbetet thellësisht njerëzore. Veçanësi e poezisë së Serembes është analiza e hollësishme psikologjike e ndjenjës. Ciltërsia, njomësia dhe thellësia e ndjenjës i japin poezisë erotike të Serembes një vlerë të madhe njerëzore dhe përgjithësuese.
Poezia e Serembes është e pasur në problematikë, në të përfshihen edhe motive të tjera, si: motivi shoqëror, i natyrës, motivi filozofik, motivi fetar, të gjitha me nota autobiografike. Në një pjesë të madhe të këtyre vjershave shprehet revolta e poetit kundër shoqërisë që e rrethon. Kjo revoltë është e vetëdishme dhe e fuqishme, po poeti nuk e sheh qartë shkakun e padrejtësive shoqërore, prandaj dhe demaskimi që u bëri atyre tingëllon abstrakt, etik. Serembja ka çaste që i drejtohet fesë. Vjershat e tij fetare shquhen më tepër për revoltë sesa për misticizëme fatalizëm. Disa prej tyre kanë vlera të ndjeshme artistike, që vijnë nga thellësia e analizës së ndjenjës. Midis tyre spikat për bukurinë e tij soneti "Natë", që është në vazhdën e vjershave të romantizmit evropian. Kjo vjershë dallohet nga pasuaria e fantazisë dhe fluiditeti plot dritë. Një sintezë të të gjitha motiveve të krijimtarisë së Serembes e gjejmë në vjershën "Elegji", ku arti i tij ka arritur kulmin, midis spontanitetit të frymëzimitdhe punës së kujdesshme artistike. Kjo vjershë mund të quhet kryevepra lirike e Serembes. Ajo është, në të njëjtën kohë, një nga kryeveprat lirike të romantizmit tonë e, në përgjithësi, të letërsisë shqiptare dhe mund të krahasohet me lirika nga më të mirat e romantizmit evropian.
Në sonetet e botuara në vitet `90 thellohet karakteri shoqëror në problematikë, stigmatizohet korruptimi i kishës, sistemi i taksave, që rëndontë mbi popullin, synimet imperialiste të Italisë. Po forma nuk përputhet gjithnjë me thellësinë e brendisë. Romantizmi i Serembes dallohet nga ai i De Radës dhe i Darës, meqenëse, krahas heroit qytetar, në të gjejmë heroin kryengritës, që sfidon shoqërinë. Edhe Serembja, sikurse poetët e tjerë arbëreshë u mbështet në poezinë popullore, veçse jo në rapsoditë epiko-lirike, po në lirikë dhe mori prej saj jo vetëm motive e figura po edhe mënyrën e perceptimit të realitetit, freskinë dhe natyrshmërinë që e dallon. Poezia e Serembes dallohet për muzikalitetin e saj. Ky krijues e pasuroi poezinë arbëreshe me vargje e me lloje të reja, duke lëvruar për herë të parë odën, elegjinë, sonetin, baladën. Poeti iu kushtua, kryesisht llojeve të vogla të poezisë. Spontaniteti i jep forcën tërheqëse poezisë së Serembes, po edhe e ka çuar disa herë në proliksitet e shpërndarje të idesë. Stili i tij është herë patetiko-oratorik, herë intim lirik dhe në thelb është analitik.
Serembja është një poet i shquar, origjinal në zgjidhjen e temave dhe në trajtimin e tyre. Ai nuk shkroi kurrë pa shtytjen e frymëzimit, po edhe nuk lë pas dore formën artistike. Serembja pasqyroi revoltën e intelektualëve arbëreshë pas bashkimit të Italisë dhe, njëkohësisht, pjekurinë më të madhe të lëvizjes çlirimtare të Rilindjes. Temën patriotike poeti e trajtoi në një plan më aktual, duke i dhënë karakter kushtrues më të hapur. Ai ndërthurri këtë temë me probleme shoqërore dhe e thelloi frymën demokratike të letërsisë arbëreshe. I pushtuar nga idetë liridashëse, ai trajtoi i pari në letërsinë arbëreshe motivin e luftës çlirimtare të popujve të tjerë.
Poezia e Serembes dallohet për diapazionin e gjerë të motiveve e llojeve. Ai lëvroi lirikën politike, lirikën e dashurisë, lirikën filozofike e të peisazhit. Bashkë me De Radën e me Darën, Serembja është një nga përfaqësuesit më kryesorë të letërsisë arbëreshe të Rilindjes sonë Kombëtare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama