Arsimi parauniversitar ndryshon serish unifikohet me kurikulen e Kosoves

Arsimi parauniversitar ndryshon serish, unifikohet me kurikulen e Kosoves

Nxënësit shqiptarë dhe ata të Kosovës do të mësojnë me kurrikula të njëjta. Do të jetë sistemi arsimor shqiptar ai që do ti përshtatet atij të Kosovës. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla bëri të ditur se Shqipëria do ta kthejë sistemin parauniveristar si në Kosovë, pra 5+3+2.

Nikolla e bëri deklaratën nga Prishtina ku u takua me homologun e saj, ministrin e Arsimit në Kosovë, Ramë Buja.

Grupet e punës me specialistë të përbashkët po punojnë për unifikimin e programeve të kurrikulës.

“Referenca të strukturës së sistemit, kemi njehsuar nivelet arsimore të sistemit tonë me atë kosovar dhe kemi kaluar nga viti shkollor, si njësia bazë e kohës mësimore, te shkalla e kurrikulës, që zgjeron me më shumë se 1 vit kohën e nevojshme për nxënësit, që të arrijnë rezultatet e të nxënit të përcaktuara për secilën shkallë”, u shpreh ministrja Lindita Nikolla.

“Ekipet tona të përbashkëta kanë bërë punë të mrekullueshme, që kjo kurrikul të mos jetë vetëm në 10 mijë e pak km katrorë, por të zgjerohet në më shumë të tilla, me qëllimin e vetëm: të arrihet një nivel më i lartë i arsimit në nivel nacional”, deklaroi ministri i Arsimit në Kosovë, Ramë Buja.

Brenda muajit Maj, grupet e punës priten të dalin me disa piketa të përbashkëta në punën e kryer për unifikimin e programeve mësimore mes dy vendeve.

Sipas njoftimit të ardhur nga ministria e Arsimit ministrja Nikolla, u shpreh ndër të tjera se: “Qasja e re kurrikulare merr parasysh vizionin bashkëkohor rreth nxënies, dijes, njohurisë, inteligjencës, vlerave dhe qëndrimeve dhe krijon mundësi më të mëdha për të shtjelluar dhe për të kuptuar kurrikulën e bazuar në kompetenca. Ndihemi me fat që në përballjen me sfidat e procesit reformues, kemi arritjet, përvojat dhe bashkëpunimin e kolegëve dhe specialistëve të Kosovës. Harmonizimi i sistemit tonë parauniversitar me sistemin arsimor të Kosovës dhe sistemit arsimore evropian, do të zhvillojë në vijimësi kapacitetet e sistemit arsimor për nxënie cilësore.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama