Kapllani nis serine e rinovimeve te shqiptareve ne Bundesligen 2

Kapllani nis serine e rinovimeve te shqiptareve ne Bundesligen 2

Edmond Kapllani ka firmosur të mërkurën në darkë kontratën e tij të re me FSV Frankfurt, duke zgjatur për dy vite të tjera marrëveshjen me këtë klub, për të cilin ka shënuar 21 gola në 52 ndeshje. Ky është vetëm rinovimi i parë mes futbollistëve shqiptarë që aktivizohen në Bundesligën 2, pasi brenda javëve të ardhshme, pritet që të njëjtin shembull ta ndjekin edhe Mërgim Mavraj dhe Alban Meha.

 

Lojtarët shqiptarë kanë qenë protagonistë absolutë të këtij sezoni në Bundesligën 2. Vetë Kapllani bëri bujë me golat e tij, por edhe me zënkat me shokët e skuadrës, që në një pikë të sezonit vunë në dyshim edhe vazhdimin në radhët e FSV Frankfurt. Por forma e jashtëzakonshme e sulmuesit shqiptar dhe realizimi i 10 golave ndihmuan FSV Frankfurt të largohej nga fundi i tabelës të klasifikimit. Kjo paraqitje e tij u shpërblye me rinovimin për dy sezone të kontratës që përfundonte në qershor të këtij viti. Kësisoj, Kapllani ka siguruar të ardhmen e tij në futbollin gjerman, gjë që nuk mund të thuhet ende për shokun e tij të skuadrës, Odise Roshin, i cili vetëm në javët e fundit ka filluar të aktivizohet me rregullsi. Mesfushori shqiptar ka luajtur në 20 ndeshje në këtë sezon, por vetëm në 7 prej tyre ka qenë titullar, duke u bërë shpesh objekt kritikash nga drejtuesit e skuadrës dhe opinioni sportiv që priste më shumë nga 22-vjeçari shqiptar. Drejtuesit e FSV Frankfurt do të vendosin në javët e ardhshme nëse do të mbajnë edhe në sezonin e ardhshëm futbollistin shqiptar, apo nëse do të përpiqen ta shesin atë, meqë kontrata e tij përfundon në vitin 2015.

 

Dyshime të mëdha ka edhe për të ardhmen e Mërgim Mavrajt te Grojter Fyrth. Kontrata e mbrojtësit shqiptar përfundon në mbylljen e këtij sezoni, por ai dhe klubi nuk janë ulur ende në tavolinën e bisedimeve për të folur për rinovimin e saj. Mavraj ka deklaruar shpesh se klubi ka prioritetin në lidhje me të ardhmen e tij, por për momentin, Fyrth po mendon se si të mbrojë vendin e dytë në klasifikim, që çon në Bundesligë në sezonin e ardhshëm. Sido që të shkojnë gjërat për ekipin e tij, Mavraj ka alternativa të tjera për të luajtur në një kampionat elitar nëse nuk rinovon, pasi për të interesohen klube të ndryshme të Bundesligës apo edhe Lacio në Serinë A.

 

Pranë rinovimit dhe përmirësimit të kontratës së tij, është edhe Alban Meha, i cili është kthyer ndër protagonistët e këtij sezoni në Bundesligën 2 me fanellën e Paderborn. Goditjet e tij të dënimit e kanë bërë të famshëm në të gjithë Gjermaninë, ndaj klubi që lufton për t’u ngjitur në Bundesligë në sezonin e ardhshëm, po mendon që brenda muajit të ardhshëm të ulet në tavolinën e bisedimeve për të zgjatur kontratën e mesfushorit, e cila përfundon në qershorin e viti 2015. Paderborn ka marrë disa oferta nga klube të tjera për 27-vjeçarin, por nuk dëshiron kurrsesi të heqë dorë nga mesfushori, i cili në 21 ndeshje ka shënuar 11 gola e dhënë tre asiste, duke qenë një ndër lojtarët më të spikatur të këtij edicioni në Bundesligën 2.

 

 

 

Vlera sipas Transfermarkt

 

Kapllani

 

Pas firmës në kontratën e tij të re me FSV Frankfurt, vlera e sulmuesit 31-vjeçar përllogaritet të jetë 600 mijë euro

 

 

 

Mavraj

 

Vlera e mbrojtësit të kombëtares shqiptare përllogaritet 1.7 milionë euro, duke qenë ndër lojtarët me vlerë më të lartë në Bundesligën 2

 

 

 

Meha

 

Mesfushori, për të cilin Paderborn nuk shpenzoi asgjë për ta marrë nga Trier, tashmë ka një vlerë tregu prej 1.2 milionë eurosh


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama