PD shpall Topallin puciste

PD shpall Topallin 'puciste'

Nis kundërpërgjigja për kritikat e Jozefina Topallit ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Deputetët e rinj demokratë kanë reaguar pas publikimit në media të debatit në kryesinë e grupit parlamentar duke e konsideruar Topallin si një deputete që ka humbur ekuilibrin dhe mbështetjen në bazë. Sipas deputetes së Lezhës, Albina Deda deputetët që kryesonin listat duhet të dorëhiqeshin nëse kishin pak dinjitet. Ajo shton se mbajtja e PD-së në disa duar e ka dëmtuar atë ndërsa vlerëson udhëzimin e nxjerrë nga Basha. E ndërkohë debatet në selinë blu janë pranuar dhe nga vetë kryetari Basha. Në një deklaratë për median ai ka pohuar se: “Debate ka dhe do të ketë gjithmonë se kjo është parti e lirisë”. Basha ka shtuar se Partia Demokratike është një por demokratët do të kenë gjithmonë lirinë e mendimit dhe lirinë e shprehjes.

Reagimet kundër Topallit

“Disa deputetë të Partisë Demokratike, ose ndryshe deputetë që kanë humbur ekuilibrin dhe mbështetjen në bazë, sipas mediave kanë kundërshtuar udhëzimin e PD-së dhe Bashën. Deputetët që kryesonin listat në qarqe duhej të jepnin dorëheqjen nëse do kishin pak dinjitet dhe përgjegjshmëri. Jo vetëm çuan PD-në në humbje por tani duan të mbajnë përsëri partinë për vetë ose miqtë e tyre”, - shkruan në rrjetin social facebook deputetja demokrate e Lezhës, Albina Deda. Ndërsa vlerëson udhëzimin e firmosur nga kryetari i selisë blu, ajo thekson se përqendrimi i PD-së vetëm në disa duar e ka dëmtuar atë. “Udhëzimi është më i miri deri me sot, i nxjerrë nga PD-ja, pasi i jep mundësi pjesës së shëndoshë, të rinjve, dhe bën një ripërtëritje që e fuqizon dhe rrit mbështetjen e anëtarësisë. Mbajtja e PD-së në disa duar dhe lidhje interesash e ka dëmtuar PD-në”, - shkruan ajo. Sipas Dedës, të vjetrit duhet t’u hapin rrugën të rinjve, të përkushtuarve, atyre që nuk e shesin Partinë Demokratike sa herë nuk është emri i tyre në lista kandidimi. “Të vjetrit të kontribuojnë me bagazhin e tyre dhe të mos i shohin të rinjtë si rivalë, por si kolegë që së bashku të sjellin Partinë Demokratike në pushtet sa më shpejt. Të mbështesim kryetarin Basha në iniciativat e tij dhe të mos pengojmë në punën e tij për ambicie e llogari personale. Suksese PD-së në këtë fushatë zgjedhjesh brenda radhëve të saj”, - përfundon komenti i ligjvënëses demokrate të Lezhës.

 

Reagimi i saj vjen pas debateve të forta në kryesinë e grupit demokrat ku Topalli por dhe deputetët e tjerë Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi dhe Majlinda Bregu kanë kritikuar kryetarin e partisë për moskonsultim me strukturat sa i përket udhëzimit për zgjedhjet. Por ish-kryeparlamentarja nuk është ndalur vetëm këtu. Topalli i ka kërkuar gjithashtu kryedemokratit Basha, sqarime pse ai në një intervistë televizive ka deklaruar se ajo është nënkryetare e Partisë Demokratike. “Pse ke përdorur emrin tim si nënkryetare të PD-së kur unë kam dhënë dorëheqjen nga ky post 3 ditë pas dorëheqjes së zotit Berisha?”, mësohet të ketë thënë Topalli. Burime nga selia blu konfirmuan se kryetari Basha ka zgjedhur t’u përgjigjet deputeteve demokratë vetëm duke u dhënë të drejtë, por pa sqaruar më tej për vendimet e tij. Një tjetër kritikë e tyre ka qenë zgjedhja e koordinatorëve. Zgjedhja e tyre në çdo rreth pa asnjë bazë statutore është konsideruar si aspak normale nga anëtarët e kryesisë demokrate. Por edhe për këtë çështje Basha ka zgjedhur mos japë sqarime. Sipas një vendimi të kryetarit, gjithë procesi zgjedhor në rrethe po monitorohet nga koordinatorët e emëruar nga vetë Basha dhe të cilët raportojnë vetëm tek ai dhe jo në strukturat drejtuese të PD-së. Kjo gjë është pranuar, edhe pse jo publikisht, edhe nga krerët e rretheve të PD-së, të cilët janë ndjerë të mënjanuar nga koordinatorët e dërguar me porosi të kryetarit. E ndërsa udhëzimi i dytë i Bashës përjashton dhe ‘ligjërisht’ veteranët e selisë blu.

Udhëzimi i dytë i Bashës

Në udhëzimin e dytë të firmosur nga Lulzim Basha thuhet shprehimisht se “s’kualifikohen nga kandidimi kryetarët e seksioneve që kanë plotësuar dy mandate si kryetarë të zgjedhur seksioni si dhe ata kryetarë të zgjedhur seksioni që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë rezultatet për PD më të ulëta se zgjedhjet parlamentare paraardhëse nivel seksioni”. Po ashtu jashtë gare mbeten dhe deputetët, duke saktësuar në udhëzim se: “Në propozimin e kandidatëve për kryetar dege të Partisë Demokratike të respektohet mos-pajtueshmëria e mandatit të kryetarit të degës të PD-së me mandatin e të zgjedhurve (deputet, kryetar këshilli qarku, kryetar bashkie, kryetar komune)”.

 

Në garë nuk përfshihen as ata që konsideron si humbës në zgjedhjet e 2013-ës, krahasuar me ato të vitit 2009. Edhe pse vetë udhëzimi sjellë përplasje në vetvete sepse ndërsa Basha përjashton nga rikandidimi kryetarët e grup-seksioneve që kanë plotësuar dy mandate si kryetar grup-seksioni dhe ata kryetarë që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë rezultate më të ulëta se zgjedhjet parlamentare paraardhëse, shton më tej se analiza e zgjedhjeve duhet të nxjerrë në pah mënyrat e skemave të përdorura nga kundërshtari për realizimin e joshjes së votuesve të mundshëm të PD-së por pa cenuar dinjitetin e zgjedhësve individuale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama