Rritet numri i fluturimeve kompanite qe zune vendin e Belle Air

Rritet numri i fluturimeve, kompanite qe zune vendin e 'Belle Air'

Rritet numri i fluturimeve në Aeroportin e Rinasit, ndërsa vendin e “Belle Air” e kanë zënë disa kompani të reja ajrore. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, zëvendësdrejtorja e përgjithshme e Autoritetit të Aviacionit Civil, Enkela Hajdëri, duke folur për prioritetet, veçoi përmbushjen e detyrimeve në kuadër të integrimit në hapësirën europiane dhe sidomos në përshtatjen e strukturës së menaxhimit të trafikut ajror.

Cili është numri i fluturimeve ndërkombëtare të kryera nëpërmjet Aeroportit të Rinasit për periudhën prill-qershor 2014?

Numri i fluturimeve ndërkombëtare të kryera nëpërmjet Aeroportit të Rinasit për periudhën prill-qershor 2014 është 2138 nga Rinasi dhe në total ka pasur 4276 fluturime. Vëmë re rritjen e numrit të pasagjerëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për periudhën prill-qershor 2014, kemi 432 722 pasagjerë kundrejt 408 832 të së njëjtës periudhë të vitit 2013, ose 5.52% më shumë.

A janë shtuar linja të reja ajrore pas largimit të “Belle Air”. A ka aplikime të reja për periudhën që përkon me sezonin turistik?

Mbas largimit nga tregu të kompanisë “Belle Air” hynë në treg tri kompani italiane, “Blue Panorama”, “New Livingston”, “Meridiana Fly” dhe “Small Planet”. Gjithashtu “Alitalia” dhe “Air one” shtuan fluturimet në 114 për javë. Gjatë kësaj periudhe, ka pasur aplikime nga kompani çarteri për të kryer fluturime në periudhën e verës në destinacione si Sharm el Sheik, Antalia, Bratislava, Keln, Londër.

Sa avionë çarter pritës, që zakonisht prenotohen nga operatorët turistikë, kanë mbërritur në vendin tonë? Si është ky numër në krahasim me vitin e kaluar?

Numri i kompanive me avionë çarter për sezonin turistik këtë vit është gjashtë, ndërsa në 2013-n kanë operuar katër të tillë.

Ka hyrë në fuqi rregullorja për avionët e vegjël. Si kanë ndikuar rregullat e reja në lëvizjen e këtyre avionëve?

Po ju korrigjoj. Jo avionë të vegjël, por avionë ultra light. Po, ka dalë një rregullore e tillë me nr. 152, datë 09.04.2014, e cila ka krijuar një kornizë rregullash të operimit të avionëve ultra light (janë avionë deri në dy vende), të cilët fluturojnë për qëllime sportive ose rekreacioni e nuk lejohen të përdoren për qëllime transporti tregtar.

Si po ecën përmbushja e detyrave nga ana e autoritetit për integrimin e hapësirës ajrore sipas standardeve të BE-së?

Shqipëria vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme aktive e FAB-it (Functional Airspace Blocks) – BLU.MED. Me vendet fqinje, së bashku me Hungarinë, Shqipëria merr pjesë në iniciativën “Joint Service Provision Agreement” (JSPA), e cila ka të bëjë me unifikimin e shërbimeve të trafikut ajror brenda rajonit. Në këtë kuadër, Shqipëria zbaton dhe respekton në mënyrë të rregullt detyrimet e saj ndaj LSSIP (Local Single Sky Implementation Plan) apo Implementimi Lokal i detyrimeve në zbatim të programit për një qiell të përbashkët europian. Krijimi i “Single European Sky” (SES), si orientim në drejtim të rregullave europiane, më shumë sesa ato në nivel kombëtar, përbën dhe pikëpamjen e qasjes së sistemit të aviacionit në Shqipëri dhe në veçanti të menaxhimit të trafikut ajror. Po punohet që “Single European Sky” (SES) të bëhet realitet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama