Saranda Kenaqesia e pushimeve ne vendin e shenjtoreve

Saranda Kënaqësia e pushimeve në vendin e shenjtorëve

Ajri dhe uji, gjelbërimi sinkronizohen me bukurinë natyrore dhe me objektet e shumta historike si në asnjë vend tjetër. Saranda po bëhet gati për orën e saj, sezonin turistik. Gjithçka duket se ka mbajtur frymën në pritje të tij. Duket se ka një vëmendje të veçantë më shumë se njerëzore në vendin që Zoti i ka falur kaq e kaq gjëra të mrekullueshme. Nëse ka udhëtim që e nis me dëshirë të madhe, e asnjëherë nuk më lodh e më mërzit me gjithë vështirësitë e infrastrukturës është pa dyshim ai drejt Sarandës. Nuk e di si ndiheni ju mbasi tek unë mund të ndikojë fakti që kam kaluar këtu një pjesë të mirë të jetës sime. Kur jetoja këtu e doja vendin dhe njerëzit, por vlerat e vërteta të Sarandës dhe krejt bregdetit të Jonit i ndjej realisht tani që vij rrallë dhe si vizitor. Pothuaj se gjithnjë kam zgjedhur të shkoj në Sarandë, duke përshkruar rrugën e bregdetit nga Vlora. T

ani që gjysma e saj nga Vlora në Dhërmi është rindërtuar me parametra bashkëkohore, udhëtimi bëhet edhe më komod. Pjesa tjetër nga Dhërmiu në Sarandë i ngjan një kantieri gjigant ku punohet në çdo kilometër me një ritëm të pabesueshëm, po të kihet parasysh vështirësia që sjell terreni malor dhe shkëmbor ku kalon rruga. Gjithsesi, me gjithë pluhurin dhe rrugën e pashtruar, askush nuk ankohet. E rëndësishme është që rruga po bëhet. Makina gjarpëron në rrugën buzë detit drejt Sarandës, që është edhe epiqendra e udhëpërshkrimit tonë. Kini durim, për pak do të mbërrijmë në destinacion, e unë do ju tregoj për shumë gjëra që ju presin në Sarandë dhe rrethinat e saj.

Mirësevini në Sarandë

Nuk e kam fjalën për tabelën e vendosur në hyrje të qytetit në Qafën e Gjashtës, por për mikpritjen e vërtetë që banorët e qytetit turistik iu rezervojnë vizitorëve të shumtë në këto muaj të sezonit turistik. E kam zakon sa herë shkoj në Sarandë të ndaloj në hyrjen e saj për të soditur natyrën e bukur, e sidomos për të mbushur mushkërinë me ajrin e pastër. Këtu duket se merr kuptim të plot fjala të mbushësh me frymë, pasi e ndjen në krejt qenien tënde cilësinë e ajrit që thith. Ndoshta mushkëritë tona e ndiejnë më shumë edhe për shkak të kontrastit të madh me smogun që jemi të detyruar të thithim çdo ditë në Tiranë. Po nejse, le të vazhdojmë udhëtimin tonë për të parë nga afër çfarë vlerash, kualitetesh e kënaqësish na afron Saranda dhe sarandjotët.

Pasi kam kryer ritualin tim, vazhdoj zbritjen për në Sarandë. Instinktivisht e kthej makinën tek hoteli i një mikut tim të vjetër, Astrit Zejnos. Hotel “Mediterraneo” është nga më të njohurit në Sarandë, jo aq për madhështinë e tij, por për ambientin e mrekullueshëm në mes të pishave me një lulishte mahnitëse, ku çlodhja arrin kulim e saj. Nga këtu mund të shohësh krejt qytetin në të dyja skajet e gjirit të Sarandës, nga Limioni në Berdenesh. Përballë ke Korfuzin, që natën ose në mot të kthjellët duket sikur e prek me dorë. Një pamje mahnitëse ku toka, qielli dhe deti shkrihen në një tablo të vetme, ku e ke të vështirë të dallosh kufijtë midis tyre. Gjithsesi, një gjë e tillë është e vështirë të shpjegohet me fjalë, por shumica prej jush e kanë parë apo kanë planifikuar ta shikojnë, prekin e ndjenë mrekullinë që ofron Saranda. Habitem dhe e admiroj Astritin. E nisi me një kioskë të vogël në 1992 dhe sot ka krijuar një ambient sa romantik, aq edhe bashkëkohor. Astriti është vetëm njëri nga qindra bizneset me destinacion turizmin në qytetin e Sarandës, por i veçantë për mikpritjen dhe respektin që u ofron klientëve të tij, me shumicën e të cilëve ka ngelur edhe mik.

Shërbimi, një cilësi më shumë se komerciale

Ajo që bie veçanërisht në sy të çdo vizitori në qytetin e Sarandës është pa dyshim pastërtia. Gjithmonë kam pasur mendimin se Saranda është qyteti më i pastër në Shqipëri. Kjo ka qenë një cilësi e hershme e qytetit edhe atëherë kur nuk bëhej fare fjalë për turizëm. Është më shumë një traditë qytetare e trashëguar dhe e ruajtur me fanatizëm brez pas brezi. Rrallëherë të bie rasti të shikosh ndonjë letër në rrugë, për të mos folur pastaj për pastërtinë që është pa dyshim e nivelit evropian. Mendoja se bumi i ndërtimeve do të kishte krijuar papastërti, baltë e inerte siç jemi mësuar në Tiranë, por çuditërisht në rrugë nuk kishte asnjë shenjë që të kujtonte se këtu ndërtohej. Furnizimi me ujë është ndoshta një nga arritjet e mëdha të dy-tre viteve të fundit të Sarandës, që me përjashtime të vogla, ka furnizim 24 orë me ujë të pijshëm. Prania e bollshme e ujit ka zgjidhur një nga problemet jetike te bizneset e turizmit dhe investimet në këtë fushë kanë qenë të jashtëzakonshme. Energjia elektrike nuk ka qenë problem as vitin e kaluar, ndërkohë që autoritetet lokale gjithsesi i kanë marrë masat, duke garantuar marrëveshje me Ministrinë e Energjetikës, gjë që do të thotë një furnizim 100% i garantuar për gjithë sezonin turistik. Infrastruktura ka arritur nivele bashkëkohore falë investimeve që ne tre vjet është rritur nga 200 mijë në 1 milion USD grand nga qeveria. Kjo do të thotë më shumë rrugë të shtruar dhe më shumë ambiente publike në shërbim të turizmit. Numri i bizneseve në tre vitet e fundit është rritur nga 624 në 1400, gjë që ka rritur konkurrencën, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë dhe çmimin e shërbimeve. Megjithatë, gjithçka nuk mbaron këtu. Saranda ka një tendencë të dukshme drejt standardeve, si e vetmja rrugë për t’u bërë një konkurrent i denjë ndërkombëtar për turizmin.

Turizmi kulturor, një alternativë e pazëvendësueshme

Turizmi kulturor është pa dyshim një tjetër vlerë që Saranda u ofron vizitorëve. Pasuritë arkeologjike që kulmojnë me Butrintin e famshëm. Këtu mund të shohësh, të prekësh e të ndjesh historinë disamijëvjeçare të ruajtur të paprekur nga vitet. Është i vetmi vend në rajon ku janë pranë e pranë një kishë e një xhami dhe një sinagogë, një sintezë historike jo vetëm e qytetërimit të lashtë, por edhe të tolerancës fetare që karakterizon qytetin dhe gjithë Shqipërinë. Kalaja e Lëkurësit është jo vetëm një simbol arkeologjik dhe ia rezistencës për identitet kombëtar, por edhe një shprehje e shenjtërisë së qytetit. Emrat e lokaleve të shërbimit shprehin qartësisht edhe historinë. “Onhezmus” emri më i vjetër i Sarandës, “Butrinti”, “Dyzet Shenjtorët”, “Porto Eda”, emri i qytetit në përkujtim të vajzës së Musolinit gjatë periudhës së pushtimit fashist. Kjo periudhë kujtohet si periudha e konturimit të Sarandës moderne. Labëria, Çamëria, “Hasan Tasini”, “Baba Rexhepi” e të tjera janë emra që mbartin një pjesë të historisë dhe legjendave të shumta të kësaj zone, me një dinamikë të paparë historike. Mendo që të gjitha këto i ke në një hapësirë që mund të arrihet edhe duke udhëtuar në këmbë.

Qeverisja vendore, si pjesë e suksesit

Qeverisja aktuale vendore ka natyrshëm pjesën e saj në progresin jo vetëm turistik të Sarandës. Duhet theksuar se qeverisja vendore nga 1992 ka përbërë një problem real për Sarandën, për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit që nuk është vështirë ta vëresh sidomos në arkitekturën e këtyre viteve dhe biznesin e ndërtimeve. Kryetari aktual i bashkisë, Edmond Gjoka, përbën jo vetëm një kthesë në administrimin lokal të qytetit, por edhe një rast të veçantë në historinë politike të Sarandës. Ai është i vetmi kryetar bashkie i zgjedhur për dy mandate rresht, prova më e pakontestueshme e respektimit dhe vlerësimit të punës së tij nga qytetaret sarandjotë.

Këmbëngulja e kryebashkiakut Gjoka ka bërë që Saranda të evoluojë dukshëm, jo vetëm në planin turistik. Universiteti ose më mirë dega e Universitetit të Tiranës në Sarandë është një nga arritjet më të vlerësuara të qeverisjes së tij. Z. Gjoka thotë se bashkia paguan 50 % të rrogave të pedagogëve kryesisht nga Tirana dhe 50% të qerasë së banesave për studentët nga rrethet e tjera. Mësimi zhvillohet në kushte bashkëkohore në një godinë luksoze, pronë e Bashkisë Sarandë. Zoti Gjoka thotë se suksesi i tij është i garantuar nga bashkëqeverisja me qytetarët. Ulja e taksave lokale ka bërë që baza e biznesit të rritet dukshëm, duke hapur kështu edhe mundësi të mëdha për punësim. Vitin e kaluar të ardhurat nga turizmi arritën në rreth 30 milionë euro, ndërkohë që objektivi i këtij viti është tek 40-milionëshi. Të rëndësishme për zotin Gjoka nuk janë arritjet, por ambiciet. Bashkia ka gati rreth 20 projekte, studimi i të cilave është realizuar me fondet e Bashkisë së Sarandës. Shëtitorja nga Saranda në Çukë, rreth 3 km e gjatë, duket se është marrë në konsideratë nga BB. Ndërkohë që interesante duken projektet e koncesioneve. Aeroporti Ndërkombëtar i Sarandës është një projekt që pret të konkretizohet dhe për të kanë filluar negociatat e para. Ndërkohë që në të njëjtën fazë është edhe një port i planifikuar jahtesh në gjirin e Sarandës, studimi i të cilit ka përfunduar. Zoti Gjoka e vlerëson si shumë te rëndësishëm koordinimin me qeverinë qendrore. Bashkëpunimi në politikat e zhvillimit dhe mbështetja financiare e ligjore prej qeverisë aktuale vlerësohen prej tij si më të suksesshmet në 17 vitet e fundit. Tregues për këtë janë vetë shifrat e buxhetit të shtetit për Sarandën. Zoti Gjoka dëshiron veçanërisht të theksojë kontributin e Kryeministrit Berisha në këtë mbështetje, i cili duket se e ka dobësi më shumë se politike perlën turistike të Shqipërisë. Por zoti Gjoka ka edhe pakënaqësi nga politika. Si mangësi kryesore ai cilëson mungesën e një lobingu politik për Sarandën, gjë që do të lehtësonte realizimin e shumë iniciativave zhvillimi, projektet e të cilave nuk mungojnë.

Defekte e mangësi

Natyrisht që si në të gjithë vendin, edhe në Sarandë gjithçka nuk shkon vaj. Tendenca për kufizim të hapësirave të gjelbra është realisht një problem ende i pazgjidhur. Një problem i evidentueshëm është mungesa e plazheve dhe hapësirave publike. Shkatërrimi i bregdetit është gjithashtu problem. Individë me apo pa leje mundohen të përfitojnë terrene, duke mbushur hapësira në det, që konsiderohet si tokë e askujt. Kjo ka bërë që lokalet buzë ujit të hyjnë në një garë për zgjerimin e hapësirave për plazhe, duke hedhur në det lloj-lloj mbeturinash inerte, gjë që kërcënon seriozisht relievin natyror dhe florën e faunën. Ka edhe të tjera më të vogla, por këto që theksuam janë një shqetësim real për komunitetin sarandjot.

Ejani në Sarandë!

Kjo nuk është një thirrje patriotike, por shprehje e një realiteti kënaqësie e relaksi që nuk arrin ta kuptosh po nuk e provove personalisht. Nuk e kuptoj dot se si mund të shkosh në Turqi apo Mal të Zi, pa provuar më parë Sarandën dhe mundësitë e turizmit që të ofron ajo.

Rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve të huaj është treguesi më i mirë për vlerat e perlës sonë turistike. Ejani në Sarandë edhe ju që keni shkuar para disa vitesh dhe mund të keni të drejtë të mos më besoni. Ejani dhe shijoni ndryshimin! Shijoni këtu gërshetim të historisë, traditës dhe modernes. Ujin dhe ajrin e pastër, ushqimin e freskët dhe të shijshëm. Mos u mendoni gjatë. Thjesht! Vendosni dhe nisuni! Mos nguroni! A nuk është ky është vendi që kanë zgjedhur të jetojnë edhe shenjtorët?!

NGA NEBIL ÇIKA : Gazeta Metropol

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama