Skeni pse paguani per te marre ate qe ju takon

S'keni pse paguani per te marre ate qe ju takon

Shërbimi shëndetësor është një nga problemet më delikate. Partia Socialiste gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar shëndetësi falas, çfarë nënkupton se qytetari nuk do të marrë shërbim nisur nga aftësia e tij për të paguar, por nga nevoja. Në raportimin e Ministrisë së Shëndetësisë për punën e saj në 300 ditët e para të qeverisjes së majtë, kryeministri, Edi Rama foli për reformën në shëndetësi.

Duke theksuar se i qëndron premtimit për shëndetësi falas, Rama paralajmëroi nisjen e një fushata antikorrupsioni që do të fokusohet tek fusha e shëndetësisë. Rama tha se hapi i parë është identifikimi me emër dhe mbiemër i mjekëve që paguhen me taksat e qytetarëve, por që nuk i shërbejnë atij denjësisht.

“Fushata antikorrupsion që do të fillojë në vjeshtë do të ketë në zemrën e vet, luftën kundër  korrupsionit në shëndetësi, luftën kundër korrupsionit nëpër spitale, luftën kundër korrupsionit dhe bakshishit në çdo sportel dhe në çdo derë ku njerëz në nevojë dhe në pikë të hallit vijnë për të marrë atë që u takon, kujdesin e shoqërisë përmes shërbimit publik. Në këtë drejtim, toleranca do të jetë zero”, tha Rama.

“Viti i dytë i mandatit tonë do të karakterizohet nga një luftë e panjohur më parë kundër korrupsionit. Një luftë e shtrirë në të gjitha nivelet dhe në të gjitha planet. Besnikë deri në fund të bindjes sonë se lufta kundër korrupsionit është në radhë të parë, reformë, transformim i sistemit, dhe sigurisht edhe ndëshkim.”

Kryeministri gjatë fjalës së tij nënvizoi se, “është e patolerueshme që Shqipëria në mes të Evropës, kandidate për Bashkimin Evropian, të jetë vendi ku nëpër gjithë arteriet e shërbimit shëndetësor flluskon llumi i korrupsionit”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama