“Për shumë vjet, krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë hasur pak, ose asnjë pengesë në rrugën e tyre, duke e shtuar dhe shtrirë në këtë mënyrë influencën e tyre në Europën Juglindore”, thotë analisti politik i Ballkanit, Misha Gleni. “Kjo traditë tani është duke ndryshuar me shpejtësi dhe kryesisht për shkak të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian ndaj qeverive rajonale për të pastruar veprimet e tyre”. Edhe pse akuzat janë bërë deri më tani vetëm ndaj disa liderëve të rajonit, ndryshimet kanë filluar të ndihen që larg, përtej kufijve kombëtarë. Anëtaret e Bashkimit Europian, Rumania dhe Bullgaria, ndodhen nën presionin e fortë të Brukselit për të luftuar ryshfetet dhe korrupsionin tre vjet pasi vendet iu bashkëngjitën bllokut të 27 vendeve anëtare të BE-së. Gjermania dhe Franca së fundi i ka paralajmëruar që nuk do t’i lejojë të futen në zonën e shteteve Shengen shumë shpejt, sepse kjo mund të kishte “pasoja të rënda” për sigurinë e gjithë bllokut.
Sigurisht që kemi të bëjmë me një moment ngadalësimi të integrimit të Ballkanit në BE. Por “pastrimi” që kërkohet mund të jetë shumë i vështirë për vende që janë mësuar prej vitesh të funksionojnë përmes korrupsionit. Lista me 170 anëtarë të “Transparency International” e vitit 2010 e vendos Maqedoninë dhe Kroacinë në vendin e 62, ndërsa Bullgarinë në vendin e 73. Krahasuar me vendin e Gjermanisë dhe të Francës respektivisht i 15-i dhe i 25-i, rezultatet e mësipërme për vendet ballkanike flasin për një rrugë të gjatë që ato duhet të ndjekin ende. Kjo vlen veçanërisht për Bosnjën, e cila renditet në vendin e 91 dhe për Kosovën, në vendin e 100. Ndërsa Kroacia, si një anëtare e shpejtë e mundshme e BE-së, i ka përmbushur kërkesat e anëtarësimit dhe tani i duhet që të rrisë luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. Për sa i përket rastit të Kroacisë, ai është interesant.
Fillimisht u konstatuan raste të vogla korrupsioni dhe në nivele të ulëta. Bëhej fjalë për raste të korrupsionit në arsim, apo në mjekësi për para të marra në këmbim të notave, apo shërbimeve shëndetësore. Por më pas u shfaqën edhe rastet tronditëse të nivelit të lartë. Ish-kryeministri Ivo Sanader u arrestua në Austri muajin e kaluar, pas një arratie në vijim të fletës së arrestit për akuzën e krimit të “abuzimit me detyrën”. Ish-kryeministri dha dorëheqjen krejt papritur në vitin 2009, pasi media përmes shkrimeve të saj vuri në dyshim burimet e pasurisë së tij dhe për më tepër Kryeministri mbante në raste të ndryshme orë të ndryshme, shumë të shtrenjta, që në tërësi kapnin shifrën e 150 mijë eurove. Sipas medias, thasë të mëdhenj me para ishin parë të futeshin në zyrën e kryetarit të partisë në pushtet, madje një ish-shef thesari kishte dëshmuar se ishte ai që i kishte çuar thasët me para drejt e te Sanader, që më pas i përdorte sipas qejfit. Disa materiale diplomatike që u publikuan ne sajtin e “Wikileaks” flasin se prokurorët janë duke hetuar një përfshirje të mundshme të ish-kryeministrit në disa çështje korruptive.
Ky hetim është i pari që bëhet ndaj një politikani në një rang të lartë në Kroaci. Milo Gjukanoviç është dorëhequr nga detyra pak kohë më parë, por ka mohuar tërësisht ndonjë lidhje të mundshme që mund të ekzistojë ndaj këtij veprimi dhe presionit që thuhet se i kanë bërë ndërkombëtarët për të ndërmarrë një hap të tillë për krime që dyshohet se ai i ka kryer në të shkuarën. Autoritetet italiane e kanë hetuar Gjukanoviçin për akuzat e bashkëpunimit në një zinxhir të kontrabandës së cigareve në vitet ’90. Kjo kontrabandë thuhet se organizohej nga Mali i Zi drejt Italisë me anë të motobarkave përmes Adriatikut. Hetimi u ndal në vitin 2009 për shkak të imunitetit diplomatik të Kryeministrit. Ai vetë i ka mohuar akuzat, por, nga ana tjetër, ka thënë se kontrabanda e ka ndihmuar Malin e Zi që t’u mbijetojë sanksioneve ndërkombëtare që iu vendosën regjimit të Millosheviçit për luftërat e tij ballkanike.
Këto akuza dhe të tjera që pritet të bëhen duket se e kanë minuar besimin e perëndimorëve, të cilët i kanë besuar dhe mbështetur deri pak kohë më parë. Gjukanoviç ka qenë gjithmonë i lavdëruar për mosbindjen ndaj Millosheviçit dhe shkëputjen që i bëri Malit të Zi nga republika që ndau deri në atë kohë me Millosheviçin. Sanader konsiderohej si një simbol i vlerave perëndimore, që në fakt binin ndesh me nacionalizmin tradicional të kroatëve, që ishte një nga arsyet e copëtimit të dhunshëm të ish-Jugosllavisë. Autoritetet në të gjithë rajonin kanë nisur një luftë të dukshme ndaj krimit dhe korrupsionit.
Zëvendëskryeministri malazez, Svetozar Maroviç, dha dorëheqjen së bashku me Gjukanoviçin. Disa ditë më pas, prokurorët vunë në pranga dhjetë njerëz, përfshi vëllain Maroviç, për akuzat e marrjes së ryshfeteve nga një miliarder rus për uljen e çmimit të shitjes së një resorti në afërsi të Budvës. Prokurorët serbë, ndërkohë, kanë nisur procedurat e hetimit kundër disa individëve nga kompanitë e mëdha shtetërore të hekurudhave dhe kujdesit shëndetësor. Nëse këto akuza dalin të vërteta, akuzat kundër Sanader do të arrijnë edhe në vendin e tyre.
Në Ballkan krimi dhe korrupsioni është një fije lidhëse mes shumë shtetesh. Ndoshta koha për pastrim ka ardhur tashmë.