Humbja e Vlores se vjeter

Humbja e Vlores se vjeter
Nuk është prej vitesh që s’mbahet mënd kalaja e vjetër e qytetit, kanë humbur rrugë dhe ndërtesa të tëra, kurse Vlora e dikurshme gulçon mes ndërtimeve marramendëse betoni, të cilat i kanë pllakosur kudo. Një udhëtim nëpër qytet, të zbulon këtë vjetërsi të këndshme, që duket se të sotmit e kishin të vështirë ta mbanin. Ndaj, jo shumë kohë më parë, një album i arkitektit Stefa e ngjalli këtë vjetërsi nga hiri i shekujve...duke u kujtuar bashkëqytetarëve hiret e flakura tutje...

E di çfarë kanë të mirë ditët e fundit të gushtit në Vlorë? Nëse do të gjesh ndonjë vend të lartë, mundohu të hedhësh sytë atje ku perëndon Dielli dhe do të shikosh sesi ulet lehtas mes të dy kreshtave të Sazanit. Desdemona Stefa, militantja e aktiviteteve për Parkun Energjetik, pasi e thotë këtë prehet tek një buzëqeshje e gjerë. E thënë kaq poetikisht, në katin e epërm të një pallati në Skelë ku banon me të shoqin arkitektin e njohur Pirro Stefa, kjo s’është larg realitetit, sepse bindesh kur Dielli fillon e ulet ngadalë pikërisht në atë vend, këtë mbrëmje të verës 2011.

Kështu e lë muzgu zakonisht Vlorën e ditëve tona, të feksur frikshëm në atë bardhësi lëbyrëse betoni. Pirro ma shpjegon teknikisht me faktin që ritmet e larta dhe objektet bashkëkohore, që i bëjnë karshi detit përshfaqin një qytet që paradoksalisht po bëhet çdo dite e me modern, por nga ana tjetër e ka vogëluar impaktin e të shkuarës dhe historisë në realitetin urbanistik, atë kontribut të pazëvendësueshëm të brezave. Për të më qartësuar, shfletojmë një album, të realizuar nga ai dhe ku është i mbrujtur qyteti... Ai, po ai, i vjetri. ‘Ishte dikur”, më thotë Pirro dhe të bën një rikonjicion në kohë të qytetit …Një qytet i vogël/ rrethuar me pyje/prehëri mbushur valë/ balli mbushur yje , më kujtohet Asdreni, në një nga poezitë e tij për Vlorën. Me aq pak sa e njihte. Për hir të së vërtetës, çdo gjë që lidhet me Vlorën lidhet me Pavarësinë, për njerëzit që s’e njohin, paçka se qyteti ka një të kaluar të madhe. Ende sot pas monumentit të Pavarësisë mund të shikohen gjurmët e qyteti antik. Ptolemeu e përmend që në shekullin e II para Krishtit. Quhet Jeriko në kohë mesjetare, kurse më 1417, kohë kur Vlora do pushtohet nga osmanët, ka një kulmim tjetër. Nga ky vend Aranit Komneni, vjehrri i Skënderbeut drejton luftën e tij.... Vlora ruan ende një pozicion gjeografik të mrekullueshëm. Në Jug-Perëndim të Shqipërisë dhe në pjesën e Ultësirës Perëndimore, e cila quhet deri më aty Myzeqe, Vlora i bën pengesë veriut me kodra ashtu si malet në pjesën e Jugut. Deri tutje, ku shfaqet krenar, ai Mali i Çikës me 2045 metra mbi nivelin e detit...

Çelebiu

Fortesa e Vlorës është themeluar nga Sulltan Sulejmani. Për të mbrojtur Gjirin e Vlorës nga sulmet venedikase, ai urdhëroi të ndërtohet një fortesë si avlli buzë detit. Kur përfundoi ndërtimi I saj, iu vu dhe emir Avloja, nga fjala Avlli…Muret e fortesës së Vlorës janë njëzet kut të lartë e dhjetë kut të trashë. Në tetë këndet e saj ka tetë llogore të forta, e në secilën prej tyre ka nga shtatë topa të mëdhenj…Qyteti ka katër hane e tetë kroje, ndër të cilët më me emër është kroi i Iljaz Pashës afër teqesë së Jakup Efendiut…Krojet e tjera nuk kanë ujë, pasi kanalet e tyre janë prishur. Kjo është kronika më e plotë e vjetër.

Qyteti do ndërtohej në mënyrë moderne nga Pavarësia dhe deri në kohën e pushtimit. Nën asistencën projektuese italiane u bënë disa plane rregulluese, që do përbënin bazën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Ishte parasysh që qyteti të ishte me fytyrë nga deri me një sistem hipotamik rrugor, ku do harmonizohej gjendja e tij ekzistuese me perspektivën. U ndërtua shtëpia e Vlorajve, Shtiza e Flamurit, Varri i Ismail Qemalit, Muzeu, Sahati i Qytetit, Banka, Sheshi i Bashkisë dhe vepra social ekonomike si kompleksi i spitaleve, shkolla tregtare, Pallatet e Aviacionit, hotel Adriatiku, Moli Zero, rruga transballkanike...Si ishte vërtetë, i them Pirros. Ai ‘e braktis’ profesionin dhe më flet për qytetin e dikurshëm: Kish të bukur jo vetëm detin, pulëbardhat e bajzat deri brenda në qytet, por edhe peshkatarët, palmat e kodrat me ullinj, objektet e kultit, pazari i vjetër ku shkoja të dielave me babanë, zanatçinjtë, Sahati i Bashkisë elegant kur binte në orët e plota, hanet si ai i Gunbardhit, ku linda, apo hotelet me emra ekstravagante për kohen si ‘Gambino’.

Ky më vonë u bë hotel ‘Moska’, pastaj u përshtat për kinezët më ‘ 70, pastaj u bë “Vlora”, dhe tashmë edhe pse vënë nën mbrojtje nga shteti, krejt i braktisur ose hotel “no name”. Megjithatë, Vlora e sotme humbi shatërvanët e dikurshëm, Bar Lulishten ‘1 Maji’, në vendin e të cilit u lartua Monumenti i Pavarësisë, rrugët tregtare; varrezat sipas religjioneve të muhamedanëve, të krishterëve me selvitë në krah, të hebrenjve me mermer të shtrenjtë e dekoracione, skulpturat e parkut e monumentet e heronjve të luftës, skulpturat pacifiste të rrugës Vlore-Skelë të Kristo Papajanit, apo shtëpitë e vjetra që do ti bënin nder kujtesës njerëzore e krenarisë së qytetit. “Qyteti ishte ndryshe atëherë … nuk kishte kaq shume dyqane, shopping modern e bare si sot por sigurisht me shume dashuri, mirësjellje etike e mirëkuptim…, tund kokën arkitekti i njohur.

Vlora e Vjetër, nëpër rrugica

Ajo, që ne njohim sot, fillon, ose të paktën unë e mendoj të konceptuar nga sheshi i Bashkisë. Nëse vazhdon nga lindja në atë që quhet “Rruga e Spitalit” do hasni një Vlorë që megjithë ndërtimet mbetet ende një vend i qetë dhe i dashur...Në jug qëndron një lagje tjetër e madhe që është më e vjetra dhe që quhet Muradie dhe ku si mund të merret me mënd në qendër të saj qëndron xhamia Muradie. Vlonjatët e quajnë xhamia e Kuqe, sipas stilit të ndërtimit që merret me pozicionimet e tullës dhe që osmanët ia huazuan Bizantit. Përballë është një dykatësh, që vendasit ia përshtatën dritaren në nderim të mbretit të tyre shkurtabiq italian Viktore Emanuelin e Savojës...Në fakt, në këtë vend, ku dikur shprehte lulëzimin e qytetit shihen kudo ndërtime karakteristike...Nëse aty nga kjo rrugë do ktheheshe në një vend ku dikur shtëpitë dhe ullishtat ishin gati një, do gjendeshe në mes të haresë të lagjes me emrin Pisoruka. Përballë, por aspak më e panjohur, ishte lagjja tjetër me zona të vjetra si Topanaja etj...

Por nëse do të jesh në bashki dhe nëse merr drejtimin jugor atëherë këmbët të përcjellin drejt rrugës “Justin Godart”, një nga vendet më elegante të qytetit.... Godart mbetet një nga miqtë më të mëdhenj, të Shqipërisë dhe që e vizitoi Shqipërinë deri në vitin 1951. Por pranë dhe duke nisur nga bashkia është edhe rruga e vjetër e hebrenjve. E shpallur rrugë muze. Këtu ishin tregtarë, argjendarë, farmacistë, nëpunës, pulsi ekonomik i qytetit. Ende, karakteristika kryesore e tij, ka mbetur ngushtësia me njëra-tjetrën. Një nga hebrenjtë, që u zhvendos në Izrael ma ka shpjeguar me detaje dikur, sesi jetohej në këtë vend. E hera-herës ndalonte. Rifillonte.

Ka një tradite të shkëlqyer qytetare…

Ka një lloj dashurie dhe prekje, për të gjithë. Si e ndjenit këtë, i drejtohemi Pirros, guidës virtuale të qytetit të vjetër: Mos harroni se në vitet 1908-1932 në qytet kishte një lidhje të ngushtë midis tregtarëve, intelektualeve e parisë se qytetit, ma shpjegon burri, që ka punuar deri në Kanada në profesionin e tij, përveç punëve estetikisht të mira mbjellë kudo. Do ishte kjo frymë që pak nga pak ndryshoi qytetin që deri atëherë ishte gati rural: rruga Vlorë-Skelë, obelisku i Flamurit dhe varri monumental i Ismail Qemalit, Merkatua dhe Sahati i Bashkisë, Lulishtja popullore, portet e Vlorës, rruga transballkanike etj. “Për ndërtimin e Sahatit , bashkia u bëri thirrje tregtarëve dhe qytetarëve, të cilët financuan për ndërtimin e saj me një arkitekturë të kohës. Po kështu, për ndërtimin e kishës së Shën Todhrit, financuan jo vetëm të krishterët, por edhe muhamedanët, bektashinjtë dhe hebrenjtë. Në vitin 1921, shoqëria ‘Vlora e Lirë’, krahas ndërtimit të portit të ri aty ku gjendet sot, financuan edhe mjaft shkolla, botime, mbjellje pemësh e lulishtesh , punimet e para në Plazhin e Vjetër, si dhe Muzeun Arkeologjik Ballkanik të Skelës etj.”, sqaron burri.

Identiteti

Pas çlirimit deri më vitin 58 qyteti pati një ridimensionim të ri shoqëror, por edhe urbanistik dhe arkitektonik. Nëse në këto pak rreshta tonat mund të përmblidhen këto, atëherë kujtojmë se qyteti i reflektoi disa zhvillime të vrullshme në disa drejtime, si në atë urbanistik, të ndërtimit të banesave dhe në drejtim industrial, por sërish përmes paradoksesh. “U bënë ndërtime industriale pa kontekstin e zhvillimit perspektiv. Në mes të viteve ’50 nën ambicien për zhvillim industrial, disa fabrika tragjikisht u vendosën në mes të qytetit: Ekstratanini, Fabrika e çimentos, Fabrika e Orizit, Kombinati i Peshkut...”, shkruan në Albumin e tij Pirro.. Vala e dytë e arbitraritetit politik në urbanistikë do fillonte gjatë viteve ’60 ose me ndërtimin e industrisë vrasëse kimike në plazhet e Kavalonës dhe Treportit: Uzina e Sodës, PVC-ja, Fabrika e Llampave e menduar të bëhej te gjimnazi Ali Demi...Dhe vala e tretë e shkatërrimeve e arbitraritetit politik mbi qytetin e të ardhmen e tij është i ashtuquajturi Parku Energjetik. Kjo është përfundimtarja, por edhe më e trishtueshmja se ishte në demokraci, më shton Desdemona, një nga aktivistet më të vyera të lëvizjes kundër tij, që barrikadoi hapur me beretën e saj.

Në ditët që mbes, më duhet të pyes të vjetër, por të gjithë e kanë humbur tisin e vjetër të qytetit. Çifti Stefa ( që ndërkohë i kanë shtuar me iniciativën e tyre edhe një aktivitet të mrekullueshëm të artit pamor qytetit), por dhe shumë intelektualë të tjerë, më kujtojnë se kanë sërish nevojë për identitetin e Gjirit e Vlorës, Karaburunit, Lagunës së Nartës, Treportit, kodrave veshur me ullinj, Kaninës, pyllit e Sodës, apo disa ”landmarke pejsazhistiko-historike” si Kuzumbaba...që një i vjetër i shton edhe memorialin e Luftës së Vlorës së 20-tës në Babicë, Rrapi i Ujit të Ftohtë, tuneli, Kalaja etj., dhe rrugicat e mbetura përveç monumenteve të mbetura, Rrugica e Hebrenjve, Rruga e Bashkisë, rrugica pranë kishës katolike. “Identitet do të thotë një qytet modern e bashkëkohor me fytyrë nga deti që zhvillohet me ritme të larta e me standarde ndërtimore por në bashkëjetese maksimale me natyrën e peizazhin , në respekt me traditën historike, të djeshme e të sotme dhe në harmoni me kulturën materiale, arkitektonike e urbanistike e cila e bën qytetin të papërsëritshëm, unik e të veçantë”, shton Pirro me një buzëqeshje të çiltër që s’i ndahet.
...
Vetëm se Vlora në ditët tona, kur shikon ndërtimet që përveç të vjetrës po humb dhe të ardhmen. Ky qytet me prioritet zhvillimin turistik, energjetik , industrial, portal ka të paqartë fytyrën e tij të ardhme. I mungon një plan afatgjatë ashtu si edhe një zonim i pastër funksional, sistemi i parqeve dhe shumë e shumë gjëra të tjera...Kjo të bën të harrosh Vlorën e vjetër dhe të kujtohesh për Vlorën e re,ngaqë planet e pjesshme nuk të dërgojnë asgjëkundi ose ashtu si thotë Desdemona në reportazhin e saj:

Qytetet janë si njerëzit, kanë fatin e tyre, shpesh absurd dhe të rastit...Në këtë ditë vere, këto janë fjalët e fundit, që ndajmë, shtuar me trishtimin, që njëherë vërtetë Na ishte Vlora...Një anije tutje mbi Sazan bën dritën e vetme mbi masivin e madh natyror që s’bzan tutje.

Shkrimi u mbështet në Albumin “Vlora, ky qytet” të autorit Pirro Stefa

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama