Greta shkel Ameriken

Greta  shkel  Amerikën

 Një kompani e njohur e cila merret me produksionet të zërave më të njohur të botës muzikore si Beyonce dhe U2, kishte rënë dakord që të përfshinte në një përmbledhje, edhe emrin e Greta Koçit dhe përbri saj kompozitorin Genti Lako. Këngëtarja e suksesshme rrëfen për Mapo odisenë e këngës së saj që u publikua në tregun e muzikës botërore, projektet e saj të së ardhmes, përgatitjet që po bën për videoklipet e sezonit si dhe pas suksesit të albumit të saj të parë, për tu rikthyer vitin që vjen me një të dytë, që edhe siç rrëfen, pritet të jetë një surprizë.

Si u përzgjodh kënga “Kërcim dashurie” për në përmbledhjen amerikane?
Menaxherët e kompanisë amerikane distributore kishin dëgjuar disa prej këngëve të mia në faqen e internetit dhe iu kishin pëlqyer. Në një vizitë të tyren në Shqipëri, u takuan me kompozitorin Genti Lako. Na telefonuan për t’i takuar, mirëpo ne ishin në koncert atë ditë. Genti na pyeti nëse mund t’iu jepnim njërën prej këngëve dhe ne ishim dakort. Kaloi shumë kohë dhe ne gati e kishim harruar dhe u habitëm kur e ftuar në Top Albania Radio më treguan se kënga ishte publikuar në një përmbledhje në Amerikë. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm, pasi të them të drejtën nuk e prisja që gjërat do të shkonin deri këtu.

Cili është zhanri dhe tema e këngës?
Kënga është e ritmeve regaton, ndërsa tema është dashuria midis dy të rinjve që dashurohen në një ambient festiv.

Mendon se u përzgjodhe në bazë të aftësive të tua vokale apo edhe për faktin që ke bashkëpunuar me kompozitorin Genti Lako?
Mendoj se merita është e përbashkët. Kam kohë që bashkëpunoj me Gentin dhe të gjitha këngët e tij janë vlerësuar dhe janë bërë hite. Të njëjtin fat pati edhe kjo këngë. Por, kjo këngë nxjerr shumë mirë në pah edhe vokalin tim dhe më vjen mirë që u vlerësua.
A do të bëni përpjekje të tjera për të hyrë në tregun evropian e më gjerë?
Sigurisht që po, aq më tepër pas publikimit të këngës sime në përmbledhjen amerikane, e cila mendoj se është një fillim i mbarë. Është një përpjekje, të cilën do ta vazhdoj deri në realizimin e saj. Kemi disa projekte, të cilat shpresoj të japin rezultat, megjithatë, për momentin nuk mund të zbuloj më tepër. Synimi im është përtej tregut muzikor evropian.

Çfarë avantazhi të jep fakti që emri juaj figuron në një kompani e cila shpërndan emra të rëndësishëm të muzikës?
Është një vlerësim i madh që i bëhet imazhit tim si këngëtare dhe një dritare e re që hapet në karrierën time. Është një hap i rëndësishëm i synimeve të mia dhe një fakt që ndikon edhe në popullaritetin tim.

Edhe pse jeni ende e re në moshë, jeni shumë e kërkuar. Cfarë iu bën kaq të veçantë?
Edhe pse jam e re në moshë, vokali im vlerësohet si i veçantë, i cili iu përshtatet disa rrymave muzikore. Fakti që jam kaq e kërkuar vjen si pasojë e punës sime intensive. Kam ditur t’iu përshtatem shijeve të publikut dhe mendoj se kjo më bën të suksesshme. Një çelës tjetër i suksesit tim është edhe performanca ime live. Mendoj se për një këngëtar, të kënduarit live është ajo që të jep siguri më të madhe në skenë.

Gara në Top Fest

Si ndiheni pas prezantimit tuaj të fundit në Top Fest 4?
Mendoj se ia arrita qëllimit tim për të bërë një paraqitje dinjitoze, e cila mendoj se ishte e dukshme si në këngë, në look dhe në performancë. Edhe këtë herë kam bashkëpunuar me kompozitorin Genti Lako, i cili ka punuar me shumë kujdes për këngën “Sa më lodhe” dhe koreografin e mirënjohur Albi Nako. Edhe pse ishte një punë intensive deri në performancën në Top Fest 4, rezultati ishte ai që prisja. Kënga u prit shumë mirë nga publiku rezultatet i shikoj në reagimet e fansave në komunikimin tim me ta në faqen e internetit dhe mesazhet që më dërgojnë në adresën time të e-mailit. Më kanë ardhur me qindra mesazhe urimesh. Ajo që më befason është se shumica e tyre janë nga diaspora.

Mendoni se do të jeni në listën e fituesve me një çmim?
Për një artist, ashtu si edhe për mua, më e rëndësishme mendoj se është pjesëmarrja në këtë festival, pasi është një prej festivaleve më modernë dhe të suksesshëm në Shqipëri. Audienca që ka Top Fest është çmimi më i madh për një artist. E rëndësishme është që kënga të bëhet hit. Pjesëmarrja në Top Fest është një stacion i rëndësishëm i karrierës sime.

Në cilën kategori do të donit të fitonit një çmim, i cili do t’iu përfaqësonte denjësisht?
Të gjitha çmimet në Top Fest janë prestigjoze. Do të doja atë çmim që vërtet do të meritoj.

Mendoni se keni zgjedhur këngën e duhur, e cila do të kthehet në hit?
Mendoj se është një zgjedhje e mirë. Është një këngë ritmike, e cila alternon disa rryma dhe i përshtatet kohës. Duke parë se kënga po pëlqehet, kjo më bind akoma më shumë se kam zgjedhur të duhurën.

Mendoni se keni sjellë një risi, apo është në frymën e këngëve të mëparshme?
Mundohemi gjithmonë që t’i sjellim publikut këngë të mira. Edhe për këtë këngë kemi punuar me shumë përkushtim dhe mendoj se është një këngë ndryshe.

Projektet e Gretës

Cilat janë projektet për sezonin e verës?
Projekte ka shumë. Do të jem shumë e angazhuar me koncerte nëpër gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Gjatë verës jam e angazhuar tërësisht, ndërsa çdo fundjavë të gjithë vitit e kam të zënë me koncerte të ndryshme. Të gjitha informacionet rreth koncerteve të mia janë të pasqyruara në faqen time të internetit www.gretakoci.com. Gjatë kohës në vazhdim do të realizoj edhe këngë të tjera, të cilat nuk do të publikohen, por do të jenë pjesë e albumit tim të dytë, i cili mendohet të dalë në verën e vitit 2008.

Do të publikoni ndonjë videoklip të ri gjatë verës?
Është edhe ky një ndër projektet tona më të rëndësishme. Do të realizojmë një videoklip, i cili do të jetë gati për publikun në verë. Bëhet fjalë për një këngë ritmike, siç e kërkon edhe vetë sezoni. Xhirimet për të mendohet të bëhen në një nga plazhet e Turqisë.

Me kë do të bashkëpunosh në vazhdim, si kompozitorë, edhe përsa i përket realizimit të albumit?
Për këngët e mia do të vazhdoj të bashkëpunoj me kompozitorin Genti Lako, por nuk përjashtohen edhe bashkëpunime me kompozitorë të tjerë. Ndërsa, përsa i përket videoklipit, për realizimin e tij nuk kemi vendosur akoma, edhe pse kemi disa alternative.

Ndiheni e kënaqur nga ecuria e albumit të parë, “Mos shiko tjetër”?
Ndihem shumë e kënaqur. Albumi ka ecur shumë mirë dhe këtë e vërtetoj kur nëpër koncerte shikoj se publiku i këndon të gjitha këngët bashkë me mua. Shpesh drejtoj mikrofonin ndaj tyre dhe i këndojnë ata këngët.

Cfarë do të bënit ndryshe në albumin tuaj të dytë?
Në albumin e parë patëm luhatje rrymash, në kërkim të përshtatshëmrisë me tregun dhe audiencën. Pas suksesit të albumit në treg dhe pranimit të tij nga publiku, në albumin e ri do të kemi një linjë të pandryshueshme rrymash. Albumi kryesisht do të përmbajë këngë të lehta dhe folk të përzier me rrymat më të suksesshme, si regaton, r’n’b, house etj. Do të eksperimentojmë edhe me këngë të rrymës rege. E kësaj rryme do të jetë dhe kënga që do të publikohet në verë.


Olsi Kalami - Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama