Kabuni me rrush të thatë
Për 4-5 persona duhen:
Oriz 1 gotë uji, lëng mishi 2 gota uji, rrush i thatë 1 filxhan kafeje, sheqer 1 filxhan caji, gjalp 3-4 lugë gjelle.
Orizi pastrohet, lahet dhe kaurdiset me gjalpë, pastaj shtohet lëng mishi (mundësisht dashi) ose ujë, rrush i thatë (shpëlahet më parë me ujë të vakët), pak kripë dhe vihet të ziejë. Kur është thithur pothuajse i gjithë lëngu dhe në sipërfaqe janë krijuar vrima, hiqet nga zjarri, përzihet me sheqer, kanellë e karafil të bluar. E mbulojmë me kapak dhe e leme ne nje vend te ngrohte. Masa hidhet në forma ose filxhanë dhe pastaj përmbyset. Për kabuni masa e orizit dhe e lëngut merret si për pilaf të zakonshëm: 1 kg oriz me 2 litra ujë.
Sheqerpare
Për 25 copë duhen:
Për brumin:
Miell 3 gota uji, gjalpë 1 gote, vezë 1 kokërr ose 2 të verdha, sodë një majë luge kafeje, pak vanilje, sheqer 1 gotë uji.
Për shërbetin duhen:
2 gota sheqer, një gotë e gjysmë ujë.
Rrihet gjalpi me sheqer, shtohen vezët pjesë-pjesë duke i rrahur vazdimisht dhe në fund hidhet mielli i perzier me sodë. Zihet brumi i cili pritet ne forma dhe shtrohen në tavë të lyer me yndyrë. Lihet të piqet për 20-25 minuta, hiqet nga furra dhe kur të vlohet i hidhet shërbet i aromatizuar me vanilje. Duhet pasur kujdes që shërbeti të mos i hidhet i nxehtë pasi sheqerparet qullosen.
Shëndetlie
Për 25 copë duhen:
Miell 3 gota uji , sheqer 1 gotë uji, mjaltë 2-3 lugë gjelle, vezë 2 kokrra, sodë një majë luge kafeje, arra 1-2 filxhanë kafeje, gjalpë 2 filxhanë kafeje, pak vanilje dhe ujë 2 filxhana kafeje.
Për shërbetin:
Sheqer 3 gota uji, ujë 2 gota e gjysëm.
Në një enë përzihen mirë vezët sheqeri, mjalti, gjalpi dhe në fund shtohen arra. Pastaj hidhet miell i përzier me sodë. Zihet brumi i cili nuk duhet të punohet shumë që të mos bëhet elastik. Brumi i përgatitur vendoset në tavë të lyer me yndyrë, rrafshohet me dorë, lyhet sipërfaqja me vezë, bëhen disa vija me pirun në formë rombi dhe hidhet shërbet i vakur i aromatizuar me vanilje.
Tullumba
Për 25 copë duhen:
Për brumin:
Miell 1 gotë, vaj ose gjalpë 2-3 lugë gjelle, vezë 3-4 kokrra, pak kripë e sheqer, ujë treçerek gote.
Për shurupin:
Sheqer 2 gota, ujë 2 gota, vaj për skuqje.
Brumi për tullumba përgatitet duke zier në uje miell së bashku me gjalpë ose yndyrë tjetër dhe pas zierjes ky brumë përzihet me sasi të madhe vezësh, Për ti dhënë formën tullumbave përdoret një vegël e dhëmbëzuar. Forma mbushet me brumë dhe vihen të piqen nga të dyja anët në zjarr të nxehtë. Pas skuqjes hiqen nga zjarri dhe hidhen në shërbet të ftohtë ku mbahen 1-2 ninuta. Pastaj hiqen dhe rreshtohen në pjatë.
Marre nga : Home.no.net