Filmi shqiptar ka nisur me të qarën e një fëmije. Ka qenë pikërisht vogëlushi Xhemal Berisha, protagonist i filmit të parë shqiptar “Fëmijët e saj”, i cili ka mbushu ekranin me të qarën e tij, pas kafshimit të qenit.
Që nga ajo kohë, 55 vjet më parë, kur regjisori i ri Hysen Hakani do të përzgjidhte rastësisht Xhemal Berishën për këtë film, në ekranin e madh të filmit shqiptar janë angazhuar me dhjetëra fëmijë, në role protagonistësh, por edhe role episodike. 2/3 e filmave tanë e kanë në kuadër një fëmijë, shpesh herë si personazh kyç e shpesh herë si personazh çlodhës.
Është e pamundur t’i rreshtojmë të gjithë ata fëmijë që kanë kontribuar e kontribuojnë edhe sot në film, por në këtë histori 55- vjeçare do të rreshtojmë disa prej tyre, ata që spikatën e lanë gjurmë, duke mbetur të përjetësuar ën celuloid, edhe pse jeta e tyre nuk mori atë rrjedhë që nisi rastësisht në sheshin e xhirimit.
1. Xhemal Berisha nuk u angazhua më në film. Ai rol qendror, i cili mban të gjithë konfliktin e filmit, vetëm me të qarën e tij, ishte i pari dhe i vetmi për Xhemalin, jeta e të cilit mori tjetër drejtim nga filmi, por ai i mbetet mirënjohës regjisorit Hysen Hakani që e përzgjodhi në filmin e tij të parë.
2. Shpëtim Zani, është një tjetër personazh simpati filmit shqiptar, ai që materializoi rolin e bukur të Colit në filmin “Debatik”. I takon përsëri merita Hakanit që e përzgjodhi me aq guxim. Edhe Shpëtim Tani nuk mundi të bëjë emër si aktor, por tërë jetën ai u krenua me atë rol të bukur që bëri kur ishte fëmijë. Në këtë film pati disa aktorë të tjerë të vegjël që më pas bënë emër si Roland Trebicka e Dhimitër Pecani etj.
3. Artan Santo është protagonist në filmin “Guximtarët”, një film i regjisorit Gëzim Erebara. Në rolin e protagonistit Santo u mbajt mend për mëse dy dekada, si një njeri përtac, por që në jetë tregoi të kundërtën. Me film nuk u mor më,p or si ekonomist e gjeti rrugën e suksesit. Kohët e fundit është shfaqur edhe si shkrimtar.
4. Në filmin “Mëngjese lufte” Kristaq Dhamo zgjodhi disa fëmijë të shkathët që i dhanë larmi e besueshmëri filmit. Mes tyre përmendim emrat e Rauf Pojanit, Fatmira Dikës, etj. Edhe këtu asnjëri nga fëmijët nuk eci drejt artit të shtatë.
5. Llastica e vogël me emrin Mimoza edhe sot shikohet me admirim nga fëmijët e asaj moshe. Në këtë rol Zhaklina Dhimojani shkëlqeu duke lënë pas emrin e saj, dhe pse më vonë nuk u mor më me film.
6. Xhanfise Kekos i takon merita në zbulimin e sa e sa fëmijëve talentë. Janë aq të çiltër, aq të besueshëm saqë duket sikur janë vërtetë në jetë e jo në ekran, para kamerave, të cilët interpretojnë me aq guxim, saqë edhe të mëdhenjtë e kanë shumë zor. Në filmin e bukur “Beni ecën vetë”, Keko zgjodhi për rolin kryesor një djalë nga Vlora, “Herion Mustafarajn, i cili interpretoi rolin e Benit. Edhe ky film e ky rol pati jehonë e është një nga filmat më të bukur e të suksesshëm të Kinostudios. Herion Mustafaraj interpretoi edhe më vonë në disa filma të Xhanfise Kekos, ku shquhet për rolin e Vaskës te “Tomka dhe shokët e tij”, te filmi “Pas gjurmëve”, si dhe ne filmat “Shoku ynë Tili” dhe më pas kur ishte i ri në dy filma “Sinjali i dashurisë” me Besnik Bishën dhe “Rikonstruksioni” me Vladimir Kasën. Më pas u larguan në SHBA, pa shum; buj; profesionale.
7. Po në filmin “Beni ecën vetë” u shqua edhe një vajzë e vogël, “tullumbacja”, rol që e luan e vogla Selma Sotiriadhi. Kjo vogëlushe është protagoniste edhe në disa filma të tjerë duke qenë mjaft e suksesshme dhe e preferuar edhe për regjisorë të tjetër veç Kekos. Kështu ka interpretuar edhe në filmat “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Dollia e dasmës sime”, “Pranverë në Gjirokastër” dhe “Mësenjtorja”. Më pas, kur u rrit nuk preferoi aktoren, por gjuhët e huaja. Nuk u angazhua më në ekranin e madh.
8. Ilir Çelia interpretoi disa filmash si aktori vogël, por edhe kur ishte në rininë e tij. Pas filmit të parë “Kryengritje në pallat”, ka qenë protagonist në filmat “Lume drite”, “Me hapin e shokëve” dhe “Partizani i vogël Velo”.
9. Dhimitër Anagnosti për filmin “Lulekuqet mbi mure” angazhoi mjaft fëmijë, një pjesë e të Strazimir Zaimi në rolin e Jaçes ishte nga rolet qendrorë e të bukur në këtë film. Më pas, kur u rrit, Zaimi interpretoi edhe në 3-4 filma të tjerë, si në filmat “Gurët e shtëpisë sime”, “Flutura në kabinën time”, “Dhe vjen një ditë”.
10. Enea Zhegu që interpretoi rolin e Lelos në film do ta shohim protagonist edhe ë disa filma të tjerë si Ziguri në filmin Njeriu me top”, apo Tomka në filmin “Tomka dhe shokët e tij”. Interpretoi më pas edhe në filmin “Një jetë më shumë”, të Gëzim Erebarës.
11. Suloja i filmit “Lulkuqet mbi mure” u interpretua nga Krenar Arifi. Roli i tij është pika kulmore e filmit dhe mbeti gjatë në kujtesën e spektatori. Krenari interpretoi më vonë edhe në filmat “Nga mesi i errësirës” dhe “Gëzhoja e vjetër”.
12. Sokol Goxhi, “violinisti i pasionuar” në kohën e luftës, interpretoi për herë të parë në filmin e Xh. Kekos “Tingujt e luftës”. Më pas interpretoi edhe në filmin {Dasma e shtyrë”.
13. Genti Basha djali i vogël që vuante dramën e prindërve të ndarë në filmin “Kur xhirohej një film” ishte pikërisht aktori i përzgjedhur nga Xhanfise Keko. Kz aktori vogël interpretoi edhe disa role të tjerë me sukses si në filmat “Zhesari”, “Një vonesë e vogël”, “Nata e parë e lirisë”, etj.
14. Eptan Lohja u përzgjodh nga Dhimitër Anagnosti për rolin e Mirit në filmin “Në shtëpinë tonë”, një film që i ngjiti e që la gjurmë. Ky film shikohet edhe sot me endje, dhe mbetet nga më të suksesshmit. Lohja interpretoi edhe në filmin “Një gjeneral kapet rob”, ndërsa më vonë nuk u mor me filmin, por sot e gjen veten pranë TV Klanit.
15. Admir Sorra interpretoi bukur në rolin e Gjinos, një rol i vetëm që ka mbetur në mendje. Edhe pse nuk u angazhua më në film, ky rol do t’i kujtohet gjatë atij.
16. Donald Kokona, Taulanti që kërkonte një motër realizoi një rol të bukur të cilin e pasoi edhe me tre të tjerë në një filmin “Të mos heshtës” dhe dy të tjerë në një moshë më të madhe në filmat “Vetmi” dhe “Pas takimit të fundit”.
17. Rudina, protagonistja simpatike e kinokomedisë “Dy herë mat”, është një rol i bukur, i këndshëm dhe i interpretuar me finesë nga Manjola Begolli. I mjaftoi ky rol Manjolës për të shënuar emrin e saj në librin e filmit shqiptar, për të cilën ajo i është mirënjohje , pa dyshim, Bujar Kapexhiut.
Lista e protagonistëve është e gjatë, por do të përmendim kalimthi disa fëmijë të tjerë që patën role të suksesshëm, duke filluar nga filmi “Komisari i dritës”, ku interpreton edhe Murat Basha si një nxënës i urtë, e më pas në filmin “Plagë të vjetra”, djali i vogël në spital, që nduk mustaqet e Ndrekës. Të tjerë emra janë edhe Kolë Prela tek filmi “Lugina e pushkatarëve”, Petro Papakosta në rolin e Partizanmit Velo, Gazmend Gjoka në dy tre role si fëmijë, por që u bë aktor më pas, edhe pse nuk ka luajtur më pas asnjë film, Klajdi Kapexhiu në filmin “Stola në park”, por interpretoi edhe më pas në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza” të M. Shanajt, Altin Velaj në rolin e Batos ë filmin “Shpella e piratëve”, që nuk u pa më në film, Bledar Rudi tek filmi “Zemra e nënës”, apo Vivian Rama tek “Plumbi prej plasteline”, e shumë të tjerë. Gjithsesi ekrani i madh i kinemasë nuk mund të bënte dot pa fëmijët, të cilët i dhanë atij sinqeritetin dhe besueshmërinë. Ndërsa koha tregoi se këta fëmijë bënin dot edhe pa filmin, ai ka qenë thjeshtë një rastësi, një stacion ku jeta ndali për një moment.
Flori Slatina : Gazeta 55