Roberto Kavalli Adhuroj moden dhe Firencen time

Roberto Kavalli: Adhuroj modën dhe Firencen time
Teknikat që ai përdor, kryesisht me lëkurë e mëndafsh dhe dëshirën e tij për t‘i zbukuruar me qëndisje, lara dhe diamante, e kanë bërë stilistin italian një ndër emrat më të dashur për tapetet e kuq. Ja se çfarë tregon për Firencen e dashur që e adhuron, modën dhe ngjyrat...

Cili është pasioni juaj?

Sigurisht që jam i pasionuar pas modës, sepse ajo është pjesë e jetës sonë. Kur zgjoheni në mëngjes ju thoni me vete: "Çfarë do të vesh sot që të dukem e bukur, seksi dhe e veçantë"? Moda është mendja jonë. Është kjo arsyeja se përse më pëlqen të jem stilist, sepse mund ta përdor këtë profesion për të matur humorin dhe jetën. E adhuroj këtë profesion që kam zgjedhur.

Çfarë ka të veçantë Firence?

Është një qytet vërtet special. Unë udhëtoj shumë, sot jam këtu, nesër mund të jem në Londër, Paris apo Nju Jork. Ky i fundit është qyteti ku ndihem shumë mirë dhe ndonjëherë mendoj se ai mund të krahasohet me drogën që të jep aq shumë energji, por pas gjithë kësaj ndiej nevojën e Firences, dua të kthehem sërish aty. Kam nevojë të vazhdoj të marr ajër, të ndiej se gjithçka është e rrethuar nga arti, të shëtis në qytetin tim dhe rrugëve të tij. Nga të gjitha qytetet italiane, ajo është plot sharm. Thjesht e dashuroj atë.

Ju ka frymëzuar ajo në punën tuaj?

Sigurisht më ka ndihmuar të gjykoj mbi atë që është e bukur, apo atë që nuk është e bukur dhe më ka dhënë ndjesinë e artit. Firencja dhe arti janë së bashku pjesë e jetës dhe qenies sime.

Çfarë pëlqeni më shumë nga qyteti?

Arkitekturën dhe ndërtesat. Çdo herë zbuloj gjëra të reja dhe të ndryshme. Ngjyrën e gurëve, për shembull. Shpesh them: o Zot, ky gur është 700-vjeçar. Dhe të mendosh se 700 vjet më parë Amerika nuk ekzistonte. Është kaq e veçantë.

Arkitektura, apo ajo që ju rrethon aty ju frymëzojnë?

Sigurisht, sepse të jetosh në Firence do të thotë të jetosh me artin, ndaj edhe koleksioni im, moda ime është kaq e pazakontë, me kaq shumë ngjyra. Ëndrra ime ka qenë të bëhesha piktor. Në një moment të caktuar zgjodha inxhinierinë tekstile dhe prej andej kalove te moda. Por, për mua një shfaqje mode është njëlloj si një ekspozitë arti. Dëshiroj që njerëzit që blejnë veshjet e mia të kuptojnë se për mua ajo është një pjesë e vogël arti.

Ka ndryshuar Firencja?

Çdo gjë ka ndryshuar në të gjithë botën. Mendoj se Firence ka ndryshuar më pak se qytetet e tjera, sepse ne jemi më shumë konservatorë, përpiqemi të ruajmë atë që është fantastike. Edhe në 100 vitet e ardhshme na duhet të kujdesemi për gjërat e bukura që ajo ka.


Cilat janë ngjyrat tuaja të preferuara?

Varet nga humori, apo edhe nga vendi ku jam, por ndonjëherë adhuroj të kuqen, kur jam në Firence të verdhën dhe jeshilen, apo gurkalin kur ndodhem në jaht dhe përreth më rrethon bukuria mahnitëse e detit. Më pëlqen kombinimi i ngjyrave. Ngjyrat janë jeta ime.

Ku preferoni të shkoni për t‘u qetësuar?

Firence për mua është vendi ku qetësohem, sepse aty është edhe ferma ime, punëtorët që punojnë me mua prej 40 vjetësh. Aty kam studion, shtëpinë, kopshtin dhe kafshët. I adhuroj kafshët dhe i konsideroj të gjithë si fëmijët e mi. Më pëlqen të qëndroj këtu, të dal në kopsht e të lexoj, apo të dëgjoj muzikë në kohën e lirë. Po ashtu më pëlqen edhe dimri, sepse Firence është qyteti ku nuk bie shpesh borë. Më mahnit ndryshimi i ngjyrave, kafja në të kuqen e vjeshtës, fillimi i pranverës, lulet e qershisë kur nisin të çelin. Sa bukur është të shohësh kur natyra lind sërish.

Po tjetër ku ju pëlqen të shkoni?

Jam edhe pilot helikopteri. Më jep kënaqësi kur fluturoj lart, sepse ndihem si një zog, i lirë. Mendoj se në jetën dhe botën tonë e kemi humbur lirinë, ndoshta sepse jemi konfuzë nga politika dhe televizionet që na kanë bërë skllevër të tyre.

A ka diçka që donit të ndryshoni në Firence?

Asgjë, ajo është e bukur kështu si është.

Nga buron besimi që keni te vetja?

Nëse doni të bëheni i suksesshëm, duhet të keni besim te vetja. Kur nuk jeni i sigurt, atëherë tregoni që jeni i dobët. Për të qenë i fortë duhet të tregoni se keni fuqi dhe dëshirë për ta bërë këtë, të tregoni se keni karakter.

Jeni bërë i famshëm për koleksionet e mrekullueshme për gratë. Për çfarë femrash dizajnoni?

Për gratë me personalitet të fortë. Kjo është gruaja që unë adhuroj, ajo që kërkon të tregojë se sa inteligjente është. Më pëlqejnë gratë. Ndoshta jam burri i vetëm në botë që mendoj se gratë janë më të forta se burrat, kanë më shumë personalitet. Ndoshta sepse janë muza ime. Vetëm ato më frymëzojnë.

Si vishen femrat sot?

Më vjen keq ta them, por ka një vulgaritet në mënyrën sesi vishen. Përpiqen të duken sa më bukur, duke u përpjekur shumë e duke harruar shpesh kufirin midis të qenit seksi dhe vulgare.

Cilat janë "klientet" më të dashura?

E kam të vështirë të jap një përgjigje, por do të veçoja Viktoria Bekamin. Megjithëse është larg, në Los Anxhelos, flasim shpesh në telefon. Ajo është një grua fantastike.

Ajo tashmë është edhe një stiliste? Ju e urreni këtë gjë apo jo?

Është e vërtetë. Më duket krejtësisht pa bazë që yjet e muzikës, apo sportit të krijojnë linjat e tyre të veshjeve. Unë nuk mund të ngrihem në mëngjes dhe të them se do të bëhem këngëtar me zërin e tmerrshëm që kam. Të kesh para sot do të thotë të harrosh të kujdesesh për detajet. Koleksioni i Kejt Mosit për shembull ishte i tmerrshëm dhe gjëra të tilla shohim thuajse përditë. Kjo më duket vërtet qesharake.


Jeta dhe familja

Roberto Kavalli, një nga stilistët më të mëdhenj në botë, sot është 68 vjeç. Është i martuar me Evën, gruaja e tij e dytë dhe nëna e tre nga pesë fëmijët e tij. Së bashku kanë pothuajse 30 vjet. "Jemi takuar kur ajo ishte 17 vjeçe. Është një grua e mrekullueshme dhe një partnere e jashtëzakonshme në biznes". Me dy fëmijët nga gruaja e parë ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe nuk dëshiron t‘i përfshijë në botën e biznesit dhe modës. "Dëshiroj ta zgjedhin vetë rrugën e jetës", tregon ai. Kur e pyet se qarkullojnë zëra se dëshiron ta shesë perandorinë e tij me një çmim prej 500 milionë paundësh, përgjigjet: "Përse duhet ta bëj, nuk më duhen ato lekë".

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama