Sot ceremonia madheshtore. Pekini Gjithcka eshte gati
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Shqetësimet më të mëdha të kinezëve vijnë nga manifestimet anti-qeveritare, që mund të demonstrohen në stadiumin olimpik, ose më keq, për bojkotin e ceremonisë nga ana e eksponentëve politikë të vendeve të ndryshme pjesëmarrëse. Do të jetë pjesëmarrës Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, i cili nën emrin e Presidentit të radhës për Bashkimin Evropian do të prezantojë të 267 vendet në ceremoninë e hapjes së lojërave. Lajmin e ka bërë publik Martin Selmayr, zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke shtuar se nuk do të jetë asnjë eksponent tjetër i KEsë në ceremoni. Prezent do të jetë edhe Kryeministri rus Vladimir Putin, i cili do të qëndrojë me 8 dhe më 9 gusht në Pekin për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike 2008, ku më parë ka marrë pjesë si President i Rusisë. Putin do të përfitojë nga rasti për të zhvilluar disa takime bilaterale, si me autoritetet më të larta kineze, ashtu edhe me Presidentin amerikan, Xhorxh Bush, të pranishëm në kryeqytetin kinez.
Një nga "disidentët", Dalai Lama, i ka dërguar urimet për fillimin e lojërave olimpike të Pekinit. "Dëshiroj t‘i ofroj urimet e mia popullit të Republikës së Kinës, shkruan Dalai Lama, organizatorëve dhe atletëve që do të marrin pjesë në lojërat olimpike të Pekinit. Që kur Kina ka prezantuar kandidaturën, unë kam mbështetur të drejtën e saj për të mikpritur lojërat. Ky është një moment i madh krenarie për 1 miliard e 300 milionë kinezë. Këto lojëra do të duhet të kontribuojnë për të promovuar shpirtin olimpik të miqësisë dhe paqes". Një tjetër që dezerton nga ceremonia është Presidenti nepalez, Ram Baran Yadav, i zgjedhur më pak se një muaj më parë, i cili të momentit politik delikat që po kalon republika e re e Nepalit, me pamundësinë për të ndërtuar qeverinë. Por do të jetë prezent, pas një lumi polemikash, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini.
Nëse kryeqyteti është gati të presë botën sportive ndërkombëtare, qielli i saj vazhdon të shqetësojë. Kushtet atmosferike nuk janë aspak të mira: "Do të shikojmë se si do të jetë në orën 8 të mëngjesit dhe do të vendosim nëse do të duhet të lëshojmë shiun artificial", thotë zëdhënësi i meteorologjisë. Çiklistët e skuadrës amerikane, Bobi Li dhe të tjerë, që kanë mbërritur ditë më parë në Pekin me maska për filtrimin e ajrit, kanë kërkuar falje, duke theksuar se nuk donin të provokonin askënd, por thjesht po tentonin të mbroheshin.
"Një botë, një ëndërr", "Pekin 2008"
Shqipëria, e gatshme për startin e olimpiadës, gjithçka duket perfekte
Kanë mbetur pak orë nga starti i aktivitetit më të rëndësishëm botëror dhe Kina është më shumë se gati. Prej kohësh në të vërtetë shteti aziatik ka vënë në shina një sipërmarrje të tillë, e cila i kalon të gjitha parashikimet. Pamjet filmike apo komentet e gazetarëve janë vetëm një siluetë e asaj që mund të shikosh, qoftë edhe duke ju afruar fshatit olimpik. Slogani i këtyre lojërave është "Një botë, një ëndërr". "Pekin 2008" është një ëndërr e vërtetë, aq sa herë pas here të duket se do zgjohesh dhe do të të mbetet një peng i madh. Dhe kjo jo vetëm për një gazetar shqiptar që duhet të kryejë detyrën si gjithë homologët e tij, por edhe paraardhësit në organizim, grekët, pak më tutje australianët e më tej akoma me amerikanët e spanjollët. Kina e ka pushtuar botën me zhvillimin e saj, ndërkohë që lojërat olimpike janë vitrina më e mrekullueshme me të cilën ata mund t‘i servireshin botës.
Edhe pse qielli mbi Pekin çdo ditë është gri, ngjyrat e me të cilat Kina po i prezantohet botës janë kulluar nga ylberi. E në këtë botë të madhe ëndrrash është padyshim edhe Shqipëria jonë e vogël, me 11 sportistët e saj, si kurrë në parë në historinë e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm sportive. Që në ditën e parë që zbritëm në fshatin olimpik, sportistët kuqezinj i kemi gjetur të gjithë në palestrat përkatëse, në seancat e tyre stërvitore, për të përmirësuar apo korrigjuar gjithçka para garës së madhe. Të gjithë duken shumë të gëzuar dhe e kanë pritur me një sportivitet shumë të madh këtë ngjarje, një shans i shkëlqyer për të gjithë, për të treguar vlerat. Tek i takon, kupton se askush prej tyre nuk ka në mendje gjë tjetër veç garës, e kjo jo vetëm në takime zyrtare, por edhe në biseda private. Elis Gurin e gjetëm në palestrën më të madhe të mundjes në të gjithë botën, një impiant tepër gjigand në lindje të Pekinit, rreth 45 minuta nga fshati olimpik. Na qëlloi fati ta gjejmë në tapet, teksa e kishte mbërthyer frikshëm një kundërshtar i bëshëm, ishte një "mik" i tij kubanez, që në pamundësi për të gjetur kundërshtar të peshës së tij (pesha super e rëndë 120 kg) duelonte në ushtrime me Elisin.
Bëhet fjalë për Elis Gurin, mundësin kuqezi, që do të garojë në peshën e rëndë dhe që shihet si një nga pretendentët kryesorë për rezultate pozitive. Pak më tutje takuam edhe Sahit Prizrenin, e cili vazhdon me seanca të veçuara për shkak të një dëmtimi në gju. Kthehemi në fshat, atje i arrijmë të gjithë në momentin e drekës. Kombëtarja është e plotë: ka mbërritur edhe Dorian Çollaku, i cili prej kohësh stërvitet në Finlandë. Një foto zyrtare pas dreke dhe të gjithë më pas në një pritje speciale në ambasadën kineze, ku mysafiri i veçantë është Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha. Është hera e parë që një Kryeministër shqiptar është i pranishëm në lojërat olimpike dhe më shumë emocion për këtë shprehin drejtuesit e komitetit olimpik.
Prizreni: Ta ngremë më lart emrin e Shqipërisë
Pak çaste i kemi kaluar veçmas me flamurtarin e olimpiadës, ose më mirë me kapitenin e skuadrës, Sahit Prizreni. Kampioni shqiptar i mundjes po kalon një periudhë shumë të vështirë për shkak të dëmtimit, por ai ka vendosur të shfrytëzojë deri në fund mundësinë që i është dhënë. Sahiti garon në sportin e mundjes, stili i lirë, në peshën 65 kg dhe përballë do të ketë kundërshtarët më të fortë të kësaj disipline. Sahit, ju nuk po kaloni një moment të mirë, por duket se nuk është thënë fjala e fundit... Kam kohë edhe 11 ditë dhe shpresoj shumë që të arrij të rikuperohem. Dëmtimi nuk është i lehtë, megjithatë them se do ta kalojmë. Kjo është një mundësi që vjen rrallë në jetë dhe unë dua të jap më të mirën për veten dhe për flamurin. Ju vini nga disa paraqitje të mira që keni bërë në aktivitete ndërkombëtare. Si duket rivaliteti në këtë aktivitet?
Kjo është ngjarja më e madhe sportive dhe të gjithë kundërshtarët më të fortë e shikojnë këtë aktivitet si më të rëndësishmin e karrierës së tyre. Është një garë shumë më e fortë se një Evropian apo Botëror. Të them të vërtetën, jam në një garë shumë të fortë, pasi të gjithë kundërshtarët janë kampionët olimpikë në fuqi, ose kandidatët kryesorë. Shpresojmë të arrijmë një prej vendeve të kreut, do të ishte një mrekulli. Cilat janë shanset që Shqipëria të jetë në zonën e medaljes? Për këtë nuk mund të them asgjë, por të gjithë sportistët janë të përgatitur për të dhënë më të mirën. Mjafton të shikosh përgatitjet dhe do të kuptosh që është vërtet një moment që të gjithë kërkojnë ta shfrytëzojnë, duke dhënë më të mirën.
Shpresojmë ta ngremë më lart emrin e Shqipërisë. Si duket organizimi i lojërave olimpike? Mendoj se është perfekt. Të jeni të sigurt që në përfundim të gjithë do të thonë se ky është aktiviteti më i mirë botëror. Për ne sportistët gjithçka është e shkëlqyer, që nga kushtet e stërvitjes, lëvizja, ushqimi dhe çdo gjë tjetër. Në Shqipëri po e presin me shumë interes këtë aktivitet. Cili do të ishte mesazhi nga kapiteni i skuadrës olimpike? Në radhë të parë faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Ky është momenti ynë dhe ne do ta nderojmë Shqipërinë.
Takimi me Berishën dhe mbështetja shqiptare
Një nga momentet më të veçantë për sportistët ka qenë edhe takimi në ambasadën shqiptare në Pekin me Kryeministrin Berisha. Kreu i shtetit është treguar shumë sportiv që në çastet e para të pritjes, duke u munduar të largojë edhe "sikletin" te sportistët. Edhe për z.Berisha ky është cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme të sportit shqiptar dhe rezultatet e arritura nga këta sportistë janë shtysa më e mirë për të mbështetur edhe më shumë sportin në të ardhme. Në takim ishte i pranishëm edhe ministri Pango. Ndërsa nuk kanë qenë të paktë shqiptarë që kanë dalë për të pritur ekipin shqiptar në Pekin. Përveç shumë biznesmenëve dhe intelektualëve të njohur që jetojnë dhe punojnë në Kinë, pas pritjes me Kryeministrin në hyrjen e ambasadën shqiptare janë shfaqur shumë shqiptarë me fl amuj në duar, duke kërkuar autografe dhe foto nga sportistët shqiptarë.