Violeta Manushi artistja qe i perket Kombit

Violeta Manushi, artistja qe i perket Kombit
Jeta dhe karriera

Violeta Manushi lindi më 6 mars të vitit 1926, në Voskopojë të Korçës dhe ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2007, në Tiranë, pas një sëmundje të rëndë. Ajo është një nga ikonat e Teatrit Popullor, ndër të parat aktore, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi, ashtu edhe në dramë, si në skenë, ashtu edhe në kinematografi.

Gjatë karrierës së saj realizoi 100 role në teatër dhe 16 role në kinematografi. Interpretimi i fundit i Aktores së madhe është tek tragji-komedia “Streha e të harruarve”, shkruar nga Ruzhdi Pulaha. Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit, më vitin 1946, ku u shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit” (1957) ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, që ende është në fuqi. Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre. Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana në vitin 1958 dhe deri tek “Rrethimi i vogël”, në vitin 1989, tek teledrama “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin, ku spikati talenti i aktores për interpretimin e plakës Nicë. Për rolin e Ollgës tek “Zonja nga qyteti”. Violeta Manushi u vlerësua me medaljen e festivalit të filmit në vitin 1977.

Malli për Violeten

Drita Pelingu – Mjeshtre e Madhe
Sa shumë më mungon Violeta

Me mallin e dhimbjen për kolegen, për miken time të afërt, në këtë ditë të trevjetorit të ndarjes nga jeta, dua të përsëris, atë që kam shprehur, se Violeta Manushi, ka qenë dhe mbetet një aktore e madhe e dramës dhe e komedisë. Në mënyrë të veçantë, përshtatja e saj me komedinë, ka qenë e shkëlqyer. Ajo sillte gazin në gjithë familjet shqiptare, por spektatori, të cilit ajo me interpretimet e saj i ngjallte shpresën, i largonte lodhjen, e zbaviste, asnjëherë ky spektator, nuk e mori vesh se jashtë skenës, ajo Violetë, kishte një mori halle, probleme, punë të pambarimta, që kryente me dashuri e forca të mëdha. Është i gjatë, shumë i gjatë vargu i figurave artistike të krijuara nga kjo artiste e madhe, që nga Dorina tek “Tartufi i Molierit dhe deri tek faturino. Në “Streha e të harruarve” e Ruzhdi Pulahës. Në këtë rol të fundit, në një moshë të madhe, përsëri doli në pah jo vetëm talenti i pashtershëm i Violetës, por magjia skenike bëri që ajo të heqë shkopin, që e shoqëronte e të mos ndjente dhimbjen e këmbëve në skenë. Rolet, që e bënë të pavdekshme Violeta Manushin dhe që e vendosën atë si gur themeli në Teatrin Popullor, janë “Olimbia” tek Karnavalet e Korçës e sidomos Ollga tek “Zonja nga qyteti” e dramaturgut R.Pulaha. Karriera e kësaj artistike, mbetet një shkollë e rëndësishme për brezat e aktorëve.

Margarita Xhepa – “Artiste e Popullit”
Plastika Violeta Manushi, e paarritshme

U mbushën tre vjet, që nuk e kemi mes tonë, kolegen tonë, Violeta Manushi. Ajo që dua të them, në këtë ditë teksa e kujtojmë me mall është se, Violeta nuk ka luajtur teatër, ajo është e vërteta. Të flasësh për një aktore me dimensione kaq të mëdha, sikurse është ajo, duhet të matesh mirë. Violeta erdhi për të luajtur në skenë, duke sfiduar mentalitetin e kohës dhe u shndërrua në një nga kolonat e forta, mbi të cilën u ngrit Teatri Kombëtar. Bashkë me të tjerët, krijuan traditën e teatrit me një repertor të jashtëzakonshëm, duke skalitur karaktere me një fuqi emocionuese të jashtëzakonshme. Violeta Manushi, veçohet si karakter nga vullneti, serioziteti, disiplina artistike e paarritshme, si gjatë provave edhe në shfaqje. Kjo artiste e madhe, ka krijuar figura të jashtëzakonshme mjeshtërore, të tipizuara deri atje, sa ne koleget e saj, nuk e kishim shumë të lehtë të bëheshim dublante apo partnere me të. Ishte shumë tokësore, absolutisht e besueshme, kjo aktore e madhe e skenës dhe filmit. Plastika Violeta Manushi, mbetet e paarritshme.

Lazër Filipi – “Artist i Merituar”
Manushi, një shkollë e madhe për femrat aktore

Violeta Manushi krijoi figura të pavdekshme dhe vetë ajo si artiste, mbetet e tillë. Ndoshta do të duhet një shekull, që të vijë një Violetë Manushi, që interpretoi në skenë dhe film për një periudhë prej 60 vjetësh. Kjo artiste është njëherësh edhe një shkollë e madhe për brezat që do të vijnë dhe veçanërisht për aktoret femra.

Ruzhdi Pulaha – Dramaturg.
Fama, e bën aktoren të pavdekshme

Violeta shkëlqeu me rolin e Ollgës, duke krijuar një figurë krejt tjetër nga ajo e koleges së saj Orgocka, një figurë, që falë mjeshtërisë së saj, hyri në historinë kombëtare të krijimtarisë aktoriale. Ishte pjesa ime e parë që vihej në skenë dhe impresionet e saj, janë të paharruara, për përkushtim artistik të rrallë, deri në detajet më të holla. Violeta Manushi, ka qenë gjithmonë sfidante me vështirësitë dhe gjithmonë ka fituar. Ajo ka sfiduar jo vetëm moshën, por edhe shëndetin, sëmundjen. Një sfidante e pamposhtur deri në vetëmohim, do të mbeten të pashlyeshme kujtimet që kam nga një bashkëpunim, që për fat të keq mbeti në mes. Kjo aktore e famshme, mbetet e pavdekëshme.

Reshat Arbana – “Artist i Popullit”
Violeta dhe brezi ynë, nuk bënë pazar me artin

Brezat kanë shumë për të përfituar nga karriera e aktores Violeta Manushi, nga përvoja e madhe e pakrahasueshme, puna e palodhur, vullneti dhe këmbëngulja, për të çuar deri në përsosmëri rolin. Deri tek përkëdhelja që i bënte rolit, përkëdhelje aq e bukur, si dinte ta bënte vetëm ajo. Apo qëndrimi i saj si qytetare, pasi në mëshirimin e një figure, aktori fut edhe qëndrimin e tij si qytetar, natyrisht edhe qëndrimi që mban vetë figura. Brezat e aktoreve, do t’i këshilloja që kur një Violetë e ngarkuar nga pesha e moteve, dilte në orar në punë, nuk përtonte edhe pasdite, të komportohej aq bukur, po të rejat çfarë duhet të bëjnë? Violeta ishte plaka labe, një trime që nuk i a bënte tërr syri, ishte një nënë e dhimbshme, një lypsare, një Olimbi, një Ollgë… Sot na shpalosen role të vakta. Nuk bëhet arti pa shpirt. Ne, brezi i Violetës, nuk morëm asnjë çentezë, por roleve u dhamë shpirtin tonë. Shpërblimi më i madh për ne, është vlerësimi, që na bën populli, duartrokitjet që na shoqërojnë tërë kohën e na mbajnë gjallë, na bëjnë të lumtur. Kjo është gjëja më e rëndësishme në jetën e një aktori. Duhet të dimë se jeta e artisti është mësim, mësim, mësim deri sa të mbyllë sytë. Çdo gjë është arritur në sajë të mundit, sakrificës, por jo të shpërblimit material. Për sa kohë, që është në mes paraja, ne nuk mund të kemi art. Arti nuk i ka qejf pazaret. Nuk bëhet pazar me artin.
 
Dritëro Agolli – Shkrimtar
Shtëpia e Violetës ishte skena, rolet ishin fëmijët e saj

Artiste e Popullit Violeta Manushi, mbetet një nga kalorset dhe fisnike e skenës, që bashkë me brezin e saj, hodhën themelet e Teatrit Kombëtar dhe vendosën bazamentin e dashurisë për teatrin tek njerëzit. Në këto themele,bashkë me teatrin,Violeta Manushi, ndërtoi edhe shtëpinë e saj. Për atë, Teatri dhe shtëpia, ishin një. Ajo nuk u martua, nuk bëri fëmijë, vatra e saj ishte skena dhe rolet, ishin fëmijët e saj. Këta ishin shumë, të vegjël, të rinj, të moshuar, të mençur, shakatarë e seriozë. Atyre u dha frymën e saj, shpirtin dhe mendjen, u dha karakterin kombëtar dhe popullor, veset dhe virtytet, zemërimin dhe trishtimin, prandaj, këto personazhe të krijuara prej saj, u bënë thellësisht popullorë, bashkë me vetë Violetën. Le të përmendim këtu “Olimbinë” tek “Karnavalet e Koracës”, Nicën tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Zyhranë tek “Fytyra e Dytë” dhe Ollgën tek “Zonja nga Qyteti”. Violeta Manushi firmosi personalitetin e saj, duke shkelur mbi të gjitha rrugët e Shqipërisë, në klasa shkollash dhe auditore fakultetesh. Kudo, ajo ishte e mirëpritur, sepse u sillte njerëzve gëzim, humor, shpirtgjerësi, prej saj buronte bukuria dhe humanizmi njerëzor. Janë shumë virtyte, që e bëjnë atë të pavdekshme.

Tinka Kurti – “Artiste e Popullit”
Violeta Manushi ka lindur shumë “luanë”

Violeta Manushi është një personalitet i pakrahasueshëm i popullit shqiptar. Me talentin e saj, ajo të sfidon çdo moment, pasi është një aktore qysh nga krijimi i teatrit Kombëtar dhe veçohet si një figurë, që rrallë dikush tjetër mund ta përballojë lojën e saj. Unë do të veçoja interpretimin e saj tek “Karnavalet e Korçës”, që, nëse do ta mendosh Violetën, duhet të thuash Olimbi. Ajo e ka qëndisur rolin. Ajo figurë, ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht një monument kulture për artin shqiptar. Roli tjetër është Ollga tek “ Zonja nga Qyteti.” Ky rol, i arritur deri në përsosmëri në interpretimin e tij, bëri, që artistja e madhe, të ketë një emër të dytë dhe të gjithë shqiptarët ti thërrisnin Ollgë Violeta kishte të drejtë të ndjehej krenare për këtë. Gjykoj se zë vend një shprehje e Ezopit, teksa flasim për këtë artiste të madhe. Kur dikush u shpreh se “kam bërë shumë fëmijë”, ai u përgjigj se: “Unë bëra një, por e bëra luan.” Violeta Manushi, ka “lindur” shumë luanë. Jeta e saj personale, është e dhimbshme. Violeta ka qenë një vajzë e bukur, e shëndetshme, e talentuar dhe me shumë vullnet, por ndonjëherë natyra, pa dashur të privon, qoftë edhe një gjë të shtrenjtë e domosdoshme, sikurse është krijimi i familjes, lënia e trashëgimtarëve. Unë gjykoj se janë dy arsye, që e penguan të arrinte këtë: e para se Violeta Manushi rriskoi në emër të skenës, teatrit dhe tjetra, për vetë personalitetin e saj, askush nuk ka pasur kurajon që t’i thotë “Të dua”. Pavarësisht, kjo artiste e kish shpirtin e nënës, ajo ka luajtur në teatër dhe film deri në përsosmëri.

Piro Milkani – “Artist i Popullit”
Madhështia e aktorit, kur populli e njëson me emrin e rolit

25 korriku i tre viteve më parë, është një ditë dhimbjeje, jo vetëm për artin, por për të gjithë shqiptarët. Dhimbja ime, është e dyfishtë, kur shikoj derën e mbyllur të shtëpisë së Violetës. Por, sot dhe gjithmonë, ne kujtojmë dhe nderojmë aktoren e madhe shqiptare. Me filmat “Zonja nga qyteti e “Shoqja nga fshati”, Violeta Manushi, skaliti një personazh, që ka hyrë në fondin e artë të filmit shqiptar. Sa herë më ka qëlluar të shoh përpara portës së Violetës, fytyra të panjohura që vinin ta takojnë Violetën, të këmbejnë një fjalë me të, të interesohen për shëndetin e saj, të ndajnë me të një buzëqeshje. As unë dhe as ata nuk e dinë nëse kë kanë ardhur të takojnë Violetën, apo teto Ollgën, apo ndoshta të dyja. Pikërisht, këtu qëndron madhështia e aktorit, kur populli e njëson emrin e tij, me rolet që ka interpretuar.

Roza Anagnosti – “Artiste e Merituar”
Teatri Kombëtar, mban vulën e Violeta Manushit

Virtyt i aktores Violeta Manushi, çka nuk e kanë pjesa dërmuese e njerëzve të skenës, ishte se ajo ka qenë e mbetej kurdoherë e gatshme, për të dhënë ndihmë, sekretin e aktrimit, mjafton të konstatonte përkushtimin dhe disiplinën e tjetrit. Me talentin e saj, plastikën, seriozitetin, impenjimin dhe disiplinën artistike, artistja e madhe skaliti role të jashtëzakonshme. Teatri Kombëtar mban vulën e Violeta Manushit.

Luftar Paja “Artist i Popullit”
Violeta, një gur i rëndë themeli i Teatrit Kombëtar

Aktorja e famshme Violeta Manushi, ka krijuar një boshllëk të madh me mungesën e saj. Ajo ishte dhe mbetet një yll i zjarrtë, që ndriçon udhën brezave të artistëve, ishte dhe mbetet gur i rëndë themeli i Teatrit Kombëtar. Artistët janë investim i shoqërisë, janë pjesë e artë e historisë së kulturës së Kombit shqiptar, ndaj shteti dhe institucionet e tij, janë të detyruar t’i nderojnë.

Dr. Makbule Çeço
Aktorja e shquar, mbetet figurë e nderuar e së majtës shqiptare

Tre vjet pa Violetën tonë të shtrenjtë. Ajo u largua prej nesh fizikisht, por praninë e saj, portretin, fjalët e mençura, humori në bisedat tona shoqërore, por edhe këshillat e saj, janë kurdoherë mes nesh. Përveçse një aktore me përmasa të mëdha, një nga themelueset e Fondacionit “Nermin Vlora”, Violeta Manushi, ishte dhe mbetet një nga figurat më të nderuara të Partisë Socialiste, të së majtës shqiptare. Teksa vendosim një buqetë lule në varrin e saj në këtë 25 korrik, përpara na del e gjallë Violeta, që përballoi me dinjitet vdekjen. Kujtoj një nga bisedat e saj të fundit, pasi ishte kthyer nga Turqia. “Nuk pranova të operohem, – na tha duke qeshur, sepse mjekët turq më thanë se do të hiqnin jo vetëm pjesën e veshit, por edhe një pjesë të fytyrës. Do të doja të vdisja e bukur, të dashurit e mi të më kujtonin ashtu, sikurse jam ngulitur në mëndje dhe zemër”. Ndjehem fatlume, që jam një ndër mikeshat e aktores së madhe, gruas së shquar,Violeta Manushi.

 Disa prej roleve që ka interpretuar “Artistja e Popullit”, Violeta Manushi.

Teatër:

“Qypi me flori”
“Epopeja e Ballit Kombëtar”
“Dom Gjoni”
“Pas vdekjes”
“Halili dhe Hajria”
“Tartufi”
“Mikroborgjezët”
“Rrënjët e thella”
“Orët e Kremlinit”
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
“Morali i zonjës Dulska”
“Arturo Ui”
“Lumi i vdekur”
“Karnavalet e Korçës”
“Zonja nga qyteti”
“14 vjeç dhëndër”
“Epoka para gjyqit”
“Borgjezi fisnik”
“Fytyra e dytë”
“Pallati 176”
“Valsi i titanikut”
“Kati i gjashtë”, etj. etj.

Filma:

1958: “Tana”
1961: “Debatik”
1965: “Vitet e para”
1969: “Përse bie kjo daulle”
1969: “Plagë të vjetra”
1970: “Gjurma
1973: “Mimoza llastica”
1975: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
1976: “Zonja nga qyteti”
1977: “Zëmra që nuk plaken”
1980: “Një shoqe nga fshati”
1981: “Përtej mureve të gurta”
1983: “Një vonesë e vogël”
1984: “Taulanti kërkon një motër”
1986: “Rrethimi i vogël”
1987: “Etja”, etj..

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama