Taksat per reklamat mediatike TVSH ndryshon per heren e 40-te

Taksat per reklamat mediatike, TVSH ndryshon per heren e 40-te
Ndryshon ligji për TVSH. Preken reklamat në media: Nuk janë në përputhje me direktivat e BE-së, duhet të taksohen me 20%. TVSH-ja ndryshon për herën e 40-të. Tani janë francezët, që mbështeten nga projekti IPA dhe që kanë sjellë ndryshime të mëdha. Reklamat në median e shkruar dhe elektronike nuk duhet të përjashtohen nga TVSH. Furnizimet e shtypshkronjave, gazetave, revistave dhe librave, përveç reklamës i kemi aktualisht të përjashtuara. Direktiva Europiane nuk i ka të përjashtuara.

Ditët e fundit në media dhe në prononcime aktorësh kryesorë të qeverisë e të biznesit është trajtuar gjatë çdo gjë që ka pasur të bëjë me një ligj specifik, siç është ligji për akcizat. Grupet e interesit, por edhe ekspertët, kanë anatemuar hartuesit e këtij ligji, ndërsa zyrtarët e mbrojtën atë edhe në komisione kuvendore, me argumentin “bindës”: “ndryshimet janë më të mira se sa ligji që kishte bërë opozita!?”

OK, por kjo është gjysma e së keqes. Projektligji në fjalë, për hir të së vërtetës, u vërdallos aq shumë nëpër tavolina diskutimesh një vit më parë sa u bë i bezdisshëm. Për të nuk foli askush, ose disa, por me gjysmë zëri. Në Këshillin Konsultativ të Biznesit, e vetmja tavolinë debati ku mund të thuash me zë të plotë atë që mendon, nuk pati ndonjë debat “mbresëlënës” për të kundërshtuar draftin e Ministrisë së Financave. Nuk pati as ndonjë material të shkuar, siç e do rregulli i kësaj tavoline, që mund të shkonte në tryezën kryeministrore, si mendim/opinion i biznesit dhe që, merrej apo nuk merrej parasysh, ishte një gjë tjetër. Ministria e Ekonomisë (atëhere) dërgoi një relacion në Këshillin e Ministrave se medemek drafti “u diskutua” me grupet e interesit dhe ...KAQ! Rreth 6 muaj më vonë “bomba” plasi dhe gazetat e televizionet u morën ditë të tëra me “kazanët” e rakisë së Rakickës dhe gjobat e Ridvanit. Bukur! Edhe kjo mund të bëhej, sikundër u bë. Në fund u arrit rezultati: “Ku ishe, hiç gjëkundi, çfarë bëre, hiç asgjë!”
 
Ku është biznesi?

Tani mua m’u kujtua e njëjta gjë, ndërsa qeveria ka hedhur “në diskutim” dy ligje të rëndësishme, ligjin e ri për siguracionet dhe ligjin e rëndësishëm të tatimit mbi vlerën e shtuar. Ato janë vënë mbi tavolinën e anëtarëve të Këshillit Konsultativ të Biznesit dhe, anëtarët, pasi i kanë hedhur nga një sy, i kanë vendosur nën sqetull dhe kanë ikur sipas punës. Por ligjet e mësipërme, ama, janë për biznesin si punë e kushtetutës për shtetin në tërësi, sepse prekin gjerë e gjatë sipërmarrjen.
 
Po hedh ca fjalë për vetëm njërin prej tyre, për TVSH-në!

Draftligji është  i hartuar në kuadër të Projektit  IPA 2007 (Mars 2010-Maj 2012) “Mbështetje për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve” të Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit vendas me Acquis Communitaire, të financuar dhe mbështetur nga Zyra Komisionit të Bashkimit Europian, Tirane. Ai synon harmonizimin me rregullat e Komunitetit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, dhe për të është punuar nga Mars 2011 deri me Dhjetor 2011, përgjatë kohëzgjatjes së projektit.
 
Në relacionin e draftit thuhet se është hartuar nga Grupi i Punës i përbërë nga specialistët e Sektorit të Tatimeve Indirekte në Drejtorine e Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim me ekspertët tatimorë francezë të Drejtorisë së Përgjithshme të Financave Publike.  Përse i rreshtova të gjitha këto? Për të dalë në temë. Ja se si: E para: “Sipas përjashtimeve të përcaktuara në nenin 132 të Direktivës Europiane (DE) - reklamat nga media e shkruar ose elektronike nuk janë të përjashtuara nga TVSH.- 
Sipas Ligjit aktual ne i kemi të përjashtuara, pra nuk i kemi në perputhje me Direktivën.

E dyta: Furnizimet e shtypshkronjave, gazetave, revistave dhe librave, përveç reklamës, ne i kemi mbartur si të përjashtuar nga TVSH-ja, por theksojmë se DE nuk i ka të përjashtuar.

Direktiva i liston këto si furnizime që mund të trajtohen me shkallë të reduktuar. Megjithatë në këtë draftligj, sipas relacionit të ekspertëve shqiptarë dhe francezë,  ne i kemi mbajtur si të tilla për momentin, duke i lënë të hapura si çështje të diskutueshme me Drejtorinë e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, e cila duhet të marrë vendimin përfundimtar. 
 
Një përfundim dhe pritja për miratimin e ligjit...

Siç ndodh rëndom, projekti i mësipërm do të miratohet në ditët që vijnë duke u shoqëruar me togfjalëshin “është konsumtuar me biznesin” (?!). Më pas aktorët e rëndësishëm, siç janë në këtë rast botuesit e mediave, të shtypshkrimeve dhe të librave, përfituesit e shërbimit të reklamave në gazeta, revista e median audiovizive, do të detyrohen të “bërtasin” për TVSH-në që nuk mund ta paguajnë dot, sikundër ka ndodhur edhe më parë. Kostot do të rriten me të paktën 20 % dhe në dyertë e këtyre biznesve do të mund të trokasë edhe falimenti (të mos e urojmë një gjë të tillë). Atëherë do të flasin të gjithë, sikundër bëjnë sot për akcizën dhe kazanët e rakisë. Po nëse për rastin e kazanëve mund të ketë edhe ndonjë aleancë bllokuese në Kuvend (që lidhet me produktin e kazanëve), nuk e di nëse do të mund të gjendet një e tillë për reklamat, furnizimet e librave, shtypshkrimeve, gazetave e revistave. Të shpresojmë!

Ajo që duket tani e gjithë ditën është fakti se biznesi është larguar “në drejtim të paditur”, se askush nuk ulet seriozisht të gjykohë për këto ndryshime dhe as për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe, se askush nuk flet përpara se të flasin ata që vendosin me votë në foltoren e kuvendit.
 
Pak histori

•  Sipas vëzhguesve të vëmendshëm: Ligji për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” është ndryshuar edhe brenda 9 ditësh, në 17 dhe 26 dhjetor 2007.

•  Apo ligji për “Tatimin mbi të Ardhurat” është ndryshuar vetëm në vitin 2007 plot 5 herë. Ekspertët i referohen praktikave të mira ndërkombëtare, të cilat dëshmojnë se nuk mund të ketë një sistem të mirë fiskal pa një sistem të mirë të administrimit fiskal. Ky i fundit mbështetet mbi disa parime ku një nga më kryesorët është parashikueshmëria.

•  Akciza dhe TVSH janë taksat kryesore të konsumit në Shqipëri. Taksa që janë pjesë e çmimit më pakicë për mallrat që blejmë cdo ditë. Të dyja së bashku bëjnë një shkallë tatimore rreth 27 %. Pra për çdo 100 lekë mallra që blejmë, 21 lekë janë taksa.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama