Censusi permbys fete 70 per qind refuzojne ose nuk e deklarojne besimin

Censusi permbys fete, 70 per qind refuzojne ose nuk e deklarojne besimin
Publikimi i rezultateve te Censusit 2011 ne Shqiperi nis ti ngjaje procesit zgjedhor. E megjithate, shtyrja ne kohe e shpalljes se rezultateve nuk mund te fshehe me ndryshimin e ndodhur brenda popullsise shqiptare e cila ne vitin 2011 edhe numerikisht ka ndryshuar duke shkuar ne 2,831,741 banore.  Perpos kesaj, ajo paraqitet me nje tipologji te re identitare sidomos sa i perket hartes fetare. Kështu burime nga INSTAT-i bëjnë të ditur se në procesin e deklarimit fetar raporti i dikurshëm i sanksionuar mes dy besimeve kryesore fetare në Shqipëri mund të pësojë rrëshqitje.

Arsye për këtë është jo dhe aq lindja e neofitëve apo konvertimi mes besimtarëve, sesa mosdeklarimi i qytetarëve. Shifra 70%, e përmendur më herët në media, që sugjeron numrin e të regjistruarve që nuk janë shprehur për besimin, rezulton përafërsisht e vërtetë edhe sipas burimeve nga INSTAT/ Duke mos marrë në konsideratë faktin se rreth 1 milionë emigrantë nuk janë bërë pjesë e censusit, atëherë ndërtimi i fytyrës së re fetare të shqiptarëve pritet të jetë befasues. Për krahasim në një sondazh të kryer që në vitin 2001 në këtë drejtim solli në vëmendje shifrën se të paktën mbi 10% e qytetarëve deklaronin se nuk i përkisnin asnjë besimi. E marrë gjithsesi me rezervë ajo sinjalizon se një proces tjetërsimi është në zhvillim edhe pse besimi fetar perceptohet nga një pjesë e popullsisë si përkatësi për shkak të familjes dhe jo si çështje besimi.

Komunitetet fetare, referencë te shifra e 1930-s.

70% myslimanë, 20% ortodoksë dhe 10% katolikë-kjo shifër e regjistruar në censusin e vitit 1930 pret tanimë të konfirmohet ose të përgënjeshtrohet. Në këtë proces delikat, INSTAT ka zbatuar parimin e  vetëdeklarimit të qytetarit, ndonëse shprehja e besimit është çështje private. Gjithsesi komunitetet fetare në Shqipëri ndonëse mbeten në pritje të publikimit të të dhënave,  kanë paraprakisht pritmëritë e tyre. “Ne kemi bërë një deklaratë si komunitet Mysliman përpara fillimit të procesit, ndërsa tani presim rezultatin zyrtar”, tha Agron Hoxha, përfaqësues i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

I pyetur mbi të dhënën zyrtare të deritanishme për besimin fetar, pra 70-20-10, ai u shpreh se “pritmëritë tona janë diku afër kësaj shifre, por duhet pasur parasysh edhe periudha e gjatë e komunizmit ku nuk lejohej besimi fetar”. Kështu për KMSH-në, 70% e popullsisë perceptohet si e përkatësisë myslimane, ndonëse në këtë kuadër përfshihet edhe komuniteti Bektashi. Më i rezervuar është shprehur dom Gjergj Meta i Kishës Katolike, sidomos në raport me 10% e mirënjohur për besimtarët e saj. “Ne kemi evidentuar në muajin nëntor problemet e hasura në procesin e censusit, por ne nuk jemi shprehur kundër procesit në vetvete. Do të presim rezultatin e pastaj do të shprehemi nëse do të jetë e nevojshme. Shifra që ju sillni, pra 10%, nuk është analizuar si e tillë nga Kisha katolike, pasi për ne numrat kanë rëndësi relative. Për ne kanë rëndësi besimtarët cilësorë”, tha Dom Gjergj Meta.

Në një aspekt formal kjo qasje shumë e moderuar zgjidh shumëçka, por ajo bie disi ndesh me prononcimin e Kishës Katolike në muajin nëntor, me të cilin ajo dëshmoi se është e shqetësuar për mangësitë në procesin e regjistrimit të qytetarëve që i përkasin besimit katolik. Por me gjasë kriteri i regjistrimit sipas kohës së banimit në Shqipëri prek më shumë komunitetin ortodoks, pasi një shumicë emigrantësh janë të këtij komuniteti. “Nuk kemi asnjë të dhënë dhe në momentin e publikimit do të bëjmë komentin tonë. Nuk dimë realisht asgjë për të dhënat e censusit”, tha Thoma Dhima i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në pamje të parë, duket se statistika e vitit 1930 është minimumi që komunitetet fetare presin nga regjistrimi, pse kështu nuk do të kishte firo. Por është e qartë se prej vitit 1930 e deri më sot, në Shqipëri, një vend që përjetoi ndalimin e besimit fetar për një brez të tërë, ka rrjedhur shumë ujë dhe për këtë arsye rezultati i INSTAT-it mbetet të provojë nëse lufta bëhet për ringjalljen shpirtërore sikundër shprehet shpesh kryeministri aktual, apo për statistikën.

Shqipëria, anëtare e Konferencës Islamike

Në Shqipëri ka zyrtarisht 4 komunitete fetare të njohura tradicionalisht që rrjedhin nga dy besime-mysliman dhe kristian. Komuniteti mysliman ndahet në sunit dhe bektashi, ndërsa ai kristian në ortodoks dhe katolik. Këto muajt e fundit, Shqipëria ka njohur zyrtarisht edhe komunitetit Protestan, një risi kjo që duhet thënë se gjen pika takimi edhe me historinë e Rilindjes. Në të gjithë këtë hartë fetare, konkurrenca për besimtarë është historike dhe aktuale. Historike pse ajo dikur u sfidua me kredon e Vaso Pashës e më vonë nga regjimi komunist, por aktuale për shkak të përparimit të institucioneve fetare thuajse ngado. Lëvizja e shifrës së besimit mbetet me rëndësi parësore, pasi përcakton ndryshime thelbësore gjeopolitike. Kështu  në respekt të shifrës tradicionale, Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e Konferencës Islamike, ndërkohë që një rrjedhje eventuale nga shumica dominuese myslimane,  mund të shtronte pikëpyetje mbi angazhimin politik në fjalë.

Regjistrimi, emigracioni dhe bojkoti përgjysmon pakicën greke 

Omonia në shtator nis vetë regjistrimin

Dilemat e mëdha që qarkojnë të dhënat për besimin fetar shqiptarëve si premisë më shumë hartimit të statistikës, nuk qëndrojnë për sa i përket regjistrimit etnik. Kjo për arsye se “çështja greke” në Shqipëri, e kthyer në moto të disa partive, praktikisht nuk merr dot një përgjigje nga Censusi 2011. Të paktën sa i përket minoritetit grek në vendin tonë procesi nuk ofron asgjë sesa një problem më shumë, pasi ai ka bojkotuar në masë regjistrimin. I pyetur nga gazeta “Shekulli”, kreu i partisë së minoritetit grek, MEGA, Kristaq Kiço u shpreh se në fakt statistika që do të dalë nuk mund ti përgjigjet realitetit.

“Ne si parti bëmë thirrje që minoriteti të marrë pjesë në procesin e regjistrimit, por në fakt ai u bojkotua në masë si pasojë e thirrjes së bërë nga OMONIA. Ka probleme që ne i kemi evidentuar si cilësia e keqe e regjistrimit; janë bërë me laps, apo keq, duke cenuar realitetin. Për më tepër që nuk janë përfshirë në regjistrim ata që jetojnë jashtë e që për pasojë nuk përfshihen në statistikë”, tha Kiço. Ai nuk ka pranuar të flasë mbi një shifër konkrete se sa është pritmëria e përfaqësuesve të pakicës greke për peshën e saj numerike në kuadër të popullsisë së Shqipërisë.

Prej rreth 60-70 mijë pjesëtarë të pakicës greke që janë regjistruar në vitin 1989, e dhëna e Censusit 2011 shkon jo më tepër se gjysma e kësaj shifre. Por përveç relativitetit shumë të madh që vetë censusi sjell në këtë kuadër, është edhe qëndrimi i mbajtur nga OMONIA që e zhbën thuajse fare atë. Kjo organizatë që drejtohet nga Vasil Bollano dhe është në mbështetje të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka bërë të ditur se do të organizojë në muajin shtator vetë regjistrimin e pjesëtarëve të pakicës greke në Shqipëri nisur nga kriteri i vetëdeklarimit.

Ai do të shtrihet në të gjithë vendin dhe do të presë shprehjen e vullnetit nga ata qytetarë që deklarohen si grekë. Pra për regjistrimin etnik qeveria shqiptare dështon kështu totalisht, aq më tepër që OMONIA pretendon të çojë edhe problemin e heqjes së termit kombësi nga certifikatat në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Elementi më kryesor që do të sillte censusi i OMONIA-s nëse realizohet do të ishte e dhëna demografike për zonën e Himarës, ku ekziston prej vitesh një problem i kësaj natyre. Dalja në dritë e një shifre konkrete për qenien e një pakice greke në Bregdet, do të riaktualizonte sikundër në vitin 2006, kërkesën për përfshirjen e saj në hartën e minoritetit grek në Shqipëri.

Vllehtë

Arumunët, letër KE-së dhe OSBE-së për të drejtat

“Vllehtë në Shqipëri përbëjnë ndoshta komunitetin më të madh mbas shqipfolësve”-kështu shkruhet në faqen zyrtare të Komitetit Shtetëror të Minoriteteve të Shqipërisë, që përcakton pa një të dhënë shifrore, minoritetin e parë në vend. Të integruar brenda trungut shqiptar, vllahët kanë krijuar së fundmi një parti, Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane duke ridalë në skenë me identitetin e tyre. Ata janë edhe më të qartët në qëndrimin e vet ndaj censusit 2011 të cilin shprehen se nuk e njohin fare. “Ne nuk e njohim fare regjistrimin, madje unë personalisht kam një përvojë shumë të keqe me anketuesit. Do të shprehim shqetësimet tona për të gjitha problemet tona në KE dhe pranë OSBE-së”, tha për Shekullin, kreu i partisë, Valentin Mustaka. Ai ka sjellë si shembull faktin se në Maqedoni, Radio “Shkupi”, ka një seksion në gjuhën vllahe, që i përgjigjet mesa duket nevojës për përfaqësim të popullsisë vllahe të Krushevit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama